«USA Today»: Kush dhe pse e vrau Xhemajl Mustafën?

Beriane Mustafa shpreson se gjykata e re e krimeve të luftës do ta zbardhë vrasjen e babait të saj, Xhemajl Mustafës, dhe se do ta çojë drejtësinë në vend, «jo vetëm për shkak të rastit të babait, por për të gjitha krimet e luftës që janë kryer këtu (në Kosovë)».

Xhemajl Mustafa.



Kur Beriane Mustafa po kthehej nga shkolla në shtëpi gjashtëmbëdhjetë vite më parë, pa një turmë njerëzish para banesës së saj dhe u trondit kur e mori vesh se babai i saj, gazetar dhe këshilltar i njohur politik, ishte vrarë.

Vrasja e Xhemajl Mustafës nuk e lë rehat as ditëve të sotme. «Zgjoheni në mëngjes me pyetjen që të sillet përherë nëpër mend: <Kush dhe pse e vrau?>», thekson Mustafa, 35 vjeçare. «Dhe kjo nuk të lë rehat përditë dhe të vret».

Mustafa shpreson se, më në fund, vrasësit e babait të saj do të dalin para drejtësisë. Një gjykatë është themeluar në qytetin holandez, në Hagë, dhe gjatë muajve të ardhshëm pritet të nisë gjykimin e krimeve që dyshohet se janë kryer nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – përfshirë edhe presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçi – gjatë dhe pas luftës në Kosovë për pavarësi prej Serbisë në fund të viteve nëntëdhjetë.

Bashkimi Europian u ka kërkuar zyrtarëve të Kosovës ta zhvendosin Gjykatën Speciale në Hagë për shkak të shqetësimeve se mund të kërcënohen dëshmitarët. Gjykata, e themeluar më 2016, do të operojë sipas ligjeve të Kosovës dhe do të financohet prej Bashkimit Europian, dhe do të përbëhet prej gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë. Zyrtarët e Gjykatës Speciale do të publikojnë afatet kohore të procedurave në javët e ardhshme.

Gjykata Speciale do të përqendrohet në krimet e kryera gjatë luftës që pasoi shkatërrimin e Jugosllavisë dhe që u desh ndërhyrja e NATO-s, prirë prej amerikanëve, për nxjerrjen e forcave serbe jashtë Kosovës. Ish-krahina shpalli pavarësinë më 2008, por ende nuk njihet si shtet i pavarur prej Serbisë dhe aleates së saj, Rusisë.

Prokurorët ndërkombëtarë ia kanë dalë me sukses të sjellin raste kundër krerëve serbë. Vjet, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e shpalli fajtor Radovan Karaxhiqin, lider politik i serbëve të Bosnjë, për gjenocid në masakrën e Srebrenicës, ku shumica prej viktimave ishin myslimanë boshnjakë. Ai po e vuan dënimin prej dyzet vitesh burgim.

Babai i Berane Mustafës, Xhemajli, ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës që e këshillonte presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ishte një prej njerëzve shumë të afërt të Rugovës, i cili vdiq pas luftës.

«Nuk mund të thoni se konflikti mbaroi në qershor 1999 kur NATO-ja hyri në Kosovë», ka deklaruar Nora Ahmetaj, hulumtuese e të drejtave të njeriut në Qendrën për Kërkim, Dokumentim dhe Publikime në Prishinë.

Ende nuk dihet se kush do të akuzohet. Në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Europës thuhet se presidenti Thaçi dhe anëtarë të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës trafikuan organe, kryen rrëmbime dhe torturuan e vranë serbë, romë dhe shqiptarë të Kosovës, të cilët dyshohej se kishin bashkëpunuar me Serbinë.

Thaçi i ka hedhur poshtë akuzat dhe zyra e tij ka refuzuar ta komentojë këtë.

Tomë Gashi, i cili ka qenë këshilltar i Thaçit, ka thënë se pret se presidenti dhe politikanët e tjera do t’i rezistojnë hetimeve dhe dënimit. «Nuk kanë gatishmëri të qëndrojnë në një qeli prej gjashtë metrash katrorë në një shtet të huaj rreth tre mijë kilometra pa askënd», ka deklaruar ai. «Ata kanë jetë të mirë këtu dhe ishin në pushtet për shtatëmbëdhjetë vite, dhe e trajtojnë Kosovën si monarki. Jetojnë si mbretër. Ata përnjëmend janë të frikësuar».

Serbët e Kosovës, pakica më e madhe etnike në vend, shpresojnë se dorasit, më në fund, do të përfundojnë në bankën e të akuzuarve. «Është e rëndësishme, jo vetëm si serbë, por edhe si qenie njerëzore», thekson Nenad Maksimoviq, drejtor i Qendrës për Paqe dhe Tolerancë. Faton Klinaku, sektar i organizatës së veteranëve të UÇK-së, ka deklaruar se Gjykata Speciale duhet të ketë selinë në Kosovë për t’u marrë me krimet. Ai gjithashtu nuk beson se Serbia ndonjëherë ka dhënë llogari për krimet e saj në Kosovë. «Pjesa më e keqe prej gjithë kësaj është se askush nuk po merret me krimet e shkaktuara prej Serbisë në Kosovë», deklaron Klinaku.

Beriane Mustafa shpreson se gjykata e re e krimeve të luftës do ta zbardhë vrasjen e babait të saj, dhe se do ta çojë drejtësinë në vend, «jo vetëm për shkak të rastit të babait, por për të gjitha krimet e luftës që janë kryer këtu».