Urrejtja e burrave të frustruar

Perëndimi po nënshtrohet, po kapitullon para islamit, të majtët po e ndalojnë prostitucionin, vajzat nuk po vishen më «sexy». Me këso budallallëqe po shëtit nëpër Europë shkrimtari francez Michel Houellebecq. Përse llomotit kështu Houellebecq? Ndoshta për shkak të problemeve me potencë seksuale. Por, ky problem i tij nuk ka të bëjë me islamin, as me krishterimin, por me biologjinë.

«Opinioni publik është një drogë e rrezikshme. Shkrimtarët e mëdhenj përherë janë edhe kurtizane të mëdha të ekonomisë së vëmendjes». Michel Houellebecq, autor francez.

Michel Houellebecq këtë javë ka qenë në Berlin. Atje ka marrë çmimin «Frank Schirrmacher» nga fondacioni me të njëjtin emër. Schirrmacher ka qenë shef i rubrikës së kulturës i gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ), autor librash mbi temat më aktuale perëndimore (demografinë, teknologjinë, inteligjencën digjitale). Më 1999 Schirrmacher në FAZ organizoi një debat pothuaj të përditshëm për Kosovën: NATO gjuante bomba nga ajri kundër terrorit serb, në FAZ shkruanin për Kosovën dhe luftën intelektualë nga mbarë bota. Prej Gabriel Garcia Marquez te Orhan Pamuku. (Me këto shkrime Schirrmacher ka edituar një libër për Kosovën).

Schirrmacher ishte intelektual publik, debatues i pandalshëm dhe nxitës debatesh, gazetar me ndikim në mbarë botën perëndimore. Më 12 qershor 2014 ai vdiq, papritur, nga sulmi në zemër. Në pllakën e varrit të tij është shënuar ky citat i gjeniut gjerman Johann Wolfgang von Goethe: «Bindja për vazhdimësinë tonë për mua e ka burimin nga nocioni i veprimit; nëse unë deri në fund dukem i pandalshëm, atëherë natyra është e obliguar të më ofrojë një formë tjetër të ekzistencës, nëse kjo e tanishmja nuk mund ta durojë më shpirtin tim». Lajmi për vdekjen e Schirrmacherit tronditi botën mendore gjermane. Për të nderuar veprën e tij, angazhimin e tij, u themelua një fondacion dhe u vendos të jepet një çmim. Vitin e kaluar këtë çmim e mori poeti Hans Magnus Enzensberger. Sivjet mirënjohja iu nda shkrimtarit francez Michel Houellebecq. Sipas jurisë ai është «inspirues dhe vizionar», sepse vepra e tij po u shquaka për «thellësinë analitike dhe origjinalitetin provokativ».

Në romanin e tij të fundit «Nënshtrimi» Houellebecq përpiqet të trondit botën (perëndimore), duke përshkruar Francën të qeverisur (ose thënë më mirë: të sunduar) nga islamistët. Ajo ditë, sipas tij, nuk është e largët. Dhe Houellebecq po bën gjithçka që kjo ditë të afrohet, duke e trembur publikun me vizionin e tij apokaliptik. I tillë ishte edhe fjalimi që e mbajti të hënën në Berlin me rastin e pranimit të çmimit «Frank Schirrmacher». Fjalimin e tij Houellebecq e filloi me lëvdata për gazetat kryesore europiane, «El País», «Corriere della Serra», «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Këto gazeta, tha ai, janë pronare të autoritetit intelektual mbi mbarë sistemin medial. Në rregull, mund të jetë kështu. E Franca? Nuk ka media? Po, tha Houellebecq. E ka «Le Monde», por e vetmja fjalë që e përshkruan raportin mes tij dhe kësaj gazete është «urrejtja». Përse Houellebecq e urren «Le Monde»? Sepse kjo gazetë është e majtë, zëri i së majtës franceze, të cilën shkrimtari e urren me shpirt e zemër dhe gëzohet që «Le Monde» po i ikin lexuesit.

Duke lexuar fjalimin e tij në Berlin lexuesi nganjëherë duhet të largohet nga ekrani nga frika se mos po e stërpik shkuma e gojës së Houellebecq. Për këtë autor nuk ka dilemë: e majta është frikacake, e majta ka imponuar frikën nga islami, e majta këmbëngulë që në debatin publik të përdoret vetëm fjalori korrekt politik, e majta po e dobëson perëndimin. E majta është vetë djalli. E majta është «një kafshë e zënë në ngushticë e cila ka frikë nga vdekja dhe bëhet e rrezikshme». E majta angazhohet për integrime europiane, Houellebecq ëndërron që BE të shkatërrohet sa më shpejt. Romani i tij «Nënshtrimi» u publikua atë ditë kur në Paris u sulmua revista e vetëquajtur satirike «Charlie Hebdo». Në Berlin Houellebecq tregoi se më 11 shtator 2001 ishte botuar një intervistë e tij në «New York Times», në të cilën, sipas tij, gazetari mendonte se shkrimtari nga Franca po e tepronte me theksimin e rrezikut nga islamistët. «Thënë shkurt: duket se zoti (apo fati apo një hyjni tjetër e tmerrshme) po zbavitet duke përdorur librat e mi për të krijuar rastësi tragjike».

Europa, sipas  Houellebecq, dalëngadalë po heq dorë nga vlerat e veta. Universitet në Europë dhe sidomos në Francë me lehtësi lëshojnë pe sapo shohin mundësinë e përfitimeve financiare nga Monarkitë e Gjirit Persik. «Këtu sërish shohim aftësinë e natyrshme të francezëve për kolaboracionizëm». Natyrisht me fanatikët fetarë me shpatë në dorë, me mjekra të gjata dhe pantallona të shkurtra. Houellebecq përmend një mik të tij, Maurice Dantec, i cili e paskësh parashikuar rrezikun e madh të islamistëve. «Gjatë luftës në Ballkan ai shkoi në Bosnjë – në Bosnjë, e cila ishte ndër vendet e para ku xhihadizmi ndërkombëtar trajtoi njerëzit e tij. Kjo ishte: Maurice Dantec udhëtoi në Bosnjë dhe ai e kuptoi se çfarë po ndodhte atje. Ai ishte i vetmi».

Asnjë fjalë për krimet e llahtarshme «kristiane» serbe në Bosnjë, asnjë fjalë për gjenocidin në Srebrenicë, asnjë fjalë për rrethimin e Sarajevës dhe djegien, mes tjerash, të Bibliotekës Nacionale të Bosnjës, asnjë fjalë për be për politikën serbocentriste të presidentit François Miterrand. Natyrisht që ardhja e fanatikëve fetarë në Bosnjë gjatë viteve ’90 ka qenë një gabim fatal i atyre që e kanë mundësuar. Ky gabim u tolerua jo vetëm nga aventurieri mysliman Alija Izetbegoviqi, por edhe nga shtetet perëndimore, të cilat ngurronin të ndërhynin me ushtritë e veta. Kështu dy mijë a tre mijë fanatikë nga Lindja e Mesme dhe nga Çeçenia mbollën farën e islamit radikal në Bosnjë.

Në fjalimin e tij Houellebecq ankohet se bota perëndimore është e lodhur dhe e frikësuar, njeriu perëndimor ka arritur në pikën e fundit të vetmisë, qytetarët mbahen në një gjendje të fëmijërisë së vazhdueshme, andaj në këtë situatë po mbytet burrëria. Burrëria në kuptimin e potencës seksuale, mendon shkrimtari francez. Fakti se Franca mund të jetë vendi i dytë në botë pas Suedisë që i dënon klientët e prostitutave për Houellebecq është e papranueshme, frikësuese. «Të ndalosh prostitucionin domethënë të rrëzosh njërën nga shtyllat e rendit social. Kjo domethënë ta bësh të pamundshme bashkëshortësinë. Pa prostitucion, i cili i shërben bashkëshortësisë si korrektues, bashkëshortësia do të fundoset dhe me të edhe familja dhe tërë shoqëria. Të ndalosh prostitucionin është thjesht vetëvrasje për shoqëritë perëndimore».

Islamistët, është i bindur Houellebecq, një ditë ndalen, sepse njerëzit do të lodhen nga gjaku e masakrat, por vend për të marrë frymë s’ka, sepse depërtimi i islamit në Europë sapo ka filluar, sepse demografia është në anën e tij, sepse Europa ka hequr dorë nga lindja e fëmijëve dhe kështu i është dorëzuar një procesi të vetëvrasjes. Dhe këtë proces të (vetë)shkatërrimit Houellebecq e sheh edhe te vajzat që s’po vishen më «sexy».

Çfarë të thuhet pas kësaj rrufeje? Si shkrimtar Houellebecq ka të drejtë të parashikojë në çdo çast apokalipsin, por kur edhe fjalimet e tij i ngarkon me botëkuptime reaksionare, atëherë problemi është jo te shkrimtari, por te njeriu. Dhe me këtë problem merret «Die Zeit», më saktë autori, përkthyesi dhe regjisori Robin Detje. Zakonisht duhet pasur kujdes me përdorimin e superlativëve, por shkrimi i Detje e meriton cilësimin gjenial. Sipas tij parashikimet e Houellebecq për fundin e Perëndimit janë vetëm klithma për fundin e tij. Nëse po merr fund bota ime, le të fundoset edhe krejt rruzulli tokësor. Ky është kërcënimi i tij dhe shokëve të tij. «Mplakja, ky dështim i ngadalshëm i organeve, është operë e madhe mashkullore. Teatër i madh. Lëndë e madhe për romane. Dhe Michel Houellebecq prej vitesh është adresa e parë për probleme të potencës dhe të frikës nga tredhja, për dëshirimin e pornografizuar të dashurisë, gjithnjë e më shumë të pasuruar me frikën nga islami», shkruan Detje. Sipas tij Houellebecq po përpiqet të krijojë diçka të bukur nga balta, të krijojë art nga rakia, urrejtja dhe frika – dhe kështu të jetë përherë i pranishëm në jetën dhe debatet publike: «Opinioni publik është një drogë e rrezikshme. Shkrimtarët e mëdhenj përherë janë edhe kurtizane të mëdha të ekonomisë së vëmendjes». Kujdes, bërtet Houellebeq, po vjen koha e matriarkatit, të cilin fjalori i gjuhës shqipe e shpjegon kështu: «Formë e hershme e shoqërisë njerëzore (në periudhën e komunës primitive), ku rolin drejtues në gjithë jetën ekonomike, shoqërore e familjare e luante gruaja dhe ku grupet gjinore krijoheshin sipas lidhjeve të afrisë në vijën e grave».

Detje flet për një grup në rritje të intelektualëve në moshë, të cilët fantazitë e tyre erotike dhe mungesën e takatit seksual duan ta arsyetojnë apo shpjegojnë me rrezikun nga islami. Europa në rrezik, sepse myslimanët po bëjnë më shumë seks! Europa në rrezik, sepse myslimanët nuk u japin grave të tyre pilula kontraceptive! Shoqëritë që prodhojnë fëmijë vendosin edhe për epilogun e luftërave kulturore. E kështu me radhë, vazhdimisht përplasje me trenin e tmerrit (gjermanisht: Geisterbahn), nënshtrim, fundosje, mirë se vini në këtë «swinger club reaksionar, ku mund të hysh vetëm nëse zhvishesh deri në mëri».

Detje e përfundon polemikën e tij me këtë konstatim: «Problemet me potencën seksuale nuk janë fundi i botës, të dashur burra-kalamaj! Problemet me potencë janë krejt normale nga një moshë e caktuar. Ato janë lëndë e mirë për romane, por s’janë arsye të djegësh xhami! Ah, sa e dhimbshme është kjo, me të vërtetë».

Është e mundshme që Houellebecq të mos lexojë tekste të tilla si ky i Robin Detje. Në numrin e së enjtes të një reviste reaksionare zvicerane, e cila u prin shpesh fushatave raciste ndaj të huajve, sidomos shqiptarëve, nga ballina Houellebecq përshëndet publikun me një breshëri të re pallavrash. Titulli i intervistës: «Francezët e kanë qejf luftën». Pse jo?! Në fjalimin e tij të mbajtur në Berlin shkrimtari skandaloz francez nuk përmend asnjë gabim që perëndimi ka mundur të bëjë ndaj botës arabe, aziatike apo afrikane në 200 vitet e fundit. Kolonializmi francez? Parajsë! Rrëzimi i qeverisë demokratike në Iran më 1953 nga shërbimet sekrete amerikane dhe britanike? Eksport i demokracisë! (Në fakt grushti i shtetit u bë për të marrë nën kontroll pasuritë e naftës dhe gazit të Iranit). Terrori izraelit kundër palestinezëve qe më tepër se gjysmë shekulli dhe indiferenca perëndimore? Diçka e paqenë në sytë e Houellebeq! Aleancat perëndimore me diktatorë dhe regjime fanatike fetare nga Afrika veriore në Afganistan? «Francezët e kanë qejf luftën». Në të vërtetë Houellebecq po shkruan për t’i bindur francezët t’u pëlqejë lufta. Por duket se francezët, përfshirë edhe gazetën e madhe «Le Monde», nuk do të nisin luftëra për shkak të problemeve krejt personale të një shkrimtari që e ka gabuar rolin e tij publik.