Urra, përpara: të ngutemi t’ia kalojmë Ganës me 110 ministra

Çfarë duhet të mësojmë nga bota e largët afrikane? Ndoshta nuk duhet të mësohet asgjë, sepse llogaria është kjo: një zëvendësministër i Kosovës për një vit i grabit nga arka e shtetit deri në 69 mijë euro. Për kaq para një punëtor kosovar duhet të punojë 15 vjet.

Foto: Shutterstock



Në pranverën e këtij viti shteti afrikan i Ganës u bë temë e mediave botërore. Besoni apo jo: kryetari i Ganës Nana Akufo-Addo në kabinetin e tij emëroi 110 ministra. Nana Akufo-Addo tha se kabineti i madh është «investim i domosdoshëm», sepse ministrat janë të nevojshëm për «ndryshime të mëdha». Shpenzimet, tha presidenti, janë minimale.

Kosova është duke ecur me hapa të sigurt për të tejkaluar Ganën. Nëse është numëruar mirë Republika e Kosovës ka 58 zëvendësministra dhe 21 ministra, pra mbi 70 anëtarë të kabinetit. Ka ministra që kanë nga katër zëvendësministra. Por, ka një dallim mes Ganës dhe Kosovës. Shteti afrikan ka një territor prej 238’537 kilometra katrorë, ndërsa Kosova, siç dihet, është e vogël sa një gogël: 10’908 kilometra katrorë. Pra, në territorin e Ganës mund të gjejnë vend 22 Kosova.

Edhe sa i përket numrit të popullsisë Gana dhe Kosova nuk mund të krahasohen. Kosova ka rreth dy milionë banorë, Gana gati 29 milionë banorë. Në të dy rastet emërimi i kaq shumë ministrave e zëvendësministrave është skandaloz. Për dallim nga Gana, e cila ka vijë bregdetare prej 535 kilometra, Kosova nuk ka dalje në det. Sundimtarë të Tiranës disa herë i kanë premtuar Kosovës një port në veri të Shqipërisë, por në fund ky liman detar iu dha kinezëve për ca para. Ose thuhet se iu dha. Kushedi.

Ganezët kanë personalitete të njohura botërore. Kofi Annan është njëri prej tyre. Por, atë s’e pyet kush në vendin e tij. Edhe Kosova ka personalitete të njohura, të tillë që prodhojnë lajme duke emëruar çdo ditë nga një zëvendësministër. Duke rehatuar kushërinj e dhëndurë, teze e dajallarë. Ka ardhur dita që të futen duart thellë në qypin e shtetit, të merret çfarë ka, sepse shanset e tilla nuk vijnë shpesh në jetë. Ka të tillë që kanë pritur e kanë luftuar që nga viti 2004 të kthehen edhe njëherë aty ku e lanë «qeverisjen e mirë».

Në numrin e së hënës gazeta Koha Ditore kishte bërë një llogaritje të duhur. «Nëse shkohet deri në limitet e vëna, shpenzimet vjetore për një zëvendësministër mund të shkojnë deri në 69 mijë euro». Ose 180 rroga mesatare. Për të fituar 69 mijë euro një punëtor kosovar duhet të punojë 15 vjet. «Me numrin aktual të zëvendësministrave (58), shuma totale e shpenzimeve për një vit është 4 milionë e 25 mijë euro», shkruan Koha Ditore. Dhe vazhdon: «Për një mandat qeverisës nëse mbetet ky numër i këshilltarëve, buxhetit të Kosovës vetëm zëvendësministrat mund t’i kushtojnë 16 milionë e 102 mijë euro». Përballë këtyre shifrave mbetet vetëm për të shpresuar se mandati i kësaj qeverie do të marrë fund sa më shpejt. Sepse ashtu siç nuk vjen fatkeqësia vetëm, edhe zëvendësministri nuk vjen fillikat.

«Në shpenzimet vjetore të një kabineti të zëvendësministrit përfshihen edhe këshilltari, asistenti dhe shoferi. Paga mujore e zëvendësministrit është 1 mijë e 324 euro. Nëse ministri vendos që zëvendësit t’ia ndajë një këshilltar, ai do të marrë pagë mujore prej 656 eurosh, kurse asistenti paguhet 480 euro, e shoferi 504 euro». Por, kujdes: «Përveç pagave, nga kuleta e shtetit, zëvendësministrit i paguhen shpenzimet për reprezentacion, udhëtimet jashtë vendit, telefoni, biletat e udhëtimit, derivate dhe mirëmbajtje të makinës, material shpenzues. Për mbulimin e shpenzimeve të takimeve zyrtare, ministri mund të shpenzojë deri në 200 euro në muaj. Për telefon shpenzimet mujore të zëvendësministrit janë 100 euro, këshilltarit 70 euro, asistentit dhe shoferit nga 20 euro. 800 euro janë paraparë për biletat e udhëtimit zyrtar për ministrin, po aq edhe për këshilltarin».

Athua sa i kushtojnë Ganës 110 ministra? Mbetet të sqarohet. Ndoshta qeveria e Kosovës së shpejti do të njoftojë opinionin me një raport të detajuar mbi numrin e madh të ministrave në kabinetin e Ganës.