«Urdhri i Pavarësisë» për kundërshtarin e pavarësisë së Kosovës

Vladimir Prela në shtypin e Tiranës e quante Kosovën «lëkurë leopardi» sa i përket përbërjes etnike dhe kritikonte këmbënguljen e Ibrahim Rugovës për pavarësi. Ai bënte thirrje që rreth 40 për qind e territorit të Kosovës t'i jepet Serbisë. Tani kryetari i Kosovës Hashim Thaçi e ka dekoruar atë - me «Urdhërin e Pavarësisë». Në vijim një fragment nga një shkrim i publicistit Agim Morina nga viti 1996, ku ai polemizonte me Prelën dhe gazetarë të tjerë të Tiranës për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj Kosovës.

Foto: Shutterstock

Tendencioziteti negativ hetohet sidomos kur ngrihet shumë pluhur për qëndrime të cilat për një shqiptar me pak mend në kokë as që mund të merren me mend. Fjala vjen çështja e ndarjes së Republikës së Kosovës. Në shkrimin e tij «Një variant boshnjak për Kosovën», të datës 1 gusht 1996, fq.5, Vladimir Prela, i entuziazmuar nga komenti i njëfarë Aleksa Dragniqit, thotë se «…ideja e shkrimtarit të njohur serb, Dobrica Qosiç» që «territori kosovar» «të ndahej në 39 për qind për Serbinë dhe 61 për qind për shqiptarët». Mësimi i artikullit: «Nuk është hera e parë që probleme të kontestueshme zgjidhen me ndarjen e territoreve dhe me shkëmbimin e popullsive. Rastin e fundit e kemi në Bosnjë, por ka patur edhe raste «paqësore» (thonjëzat e demantojnë pohimin e V. Prelës dhe atë «por»-in e tij, që do të thotë se ai kot mbush thesin me fjalë) të kësaj natyre. Sidoqoftë në se (lexo: nëse) bëjmë një paragon me Bosnjën, PAVARËSISHT SE KOMPOZIMI ETNIK NUK ËSHTË IDENTIK ME ATË BOSHNJAK, përsëri NJË LLOJ «LEKURE LEOPARDI» EKZISTON EDHE NË KOSOVË». Këto janë fjalë mehlem për plagë të çdo çetniku i cili ka mbetur ulok në fushëbetejat e Bosnjës dhe s’mund të vijë të pijë gjak në Kosovë.
«Akoma më shumë», vazhdon zoti Prela, «drejtuesit aktualë të rezistencës shqiptare as nuk e kanë afruar këtë ide. Z. Ibrahim Rugova flet me këmbëngulje për një Republikë të Kosovës». Një «klasë politike dhe ekonomike» sipas Prelës menduaka «se është e aftë të jetojë e të prosperojë në një shtet të dytë shqiptarofolës». Kjo «temë», pra tema e ndarjes së Kosovës, qenkësh ndeshur «vetëm në shtypin jo partiak apo studimor të Kosovës» dhe «Drejtuesit e LDK këtë ide e kanë injoruar apo blasfemuar në (lexo: me) fjalorin tipik të politikës shqiptare që nuk lë shteg për alternativa.»(!)
Manipulimi vazhdon në po këtë stil:
«Tani formula zyrtare e Shqipërisë për Kosovën është (…) largimi i trupave serbe nga KRAHINA…».
Dhe në fund bie maska: «Ndarja e Kosovës midis serbëve dhe shqiptarëve duket si një ide praktike, (për kë? A.M.) që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë konfliktin serbo-shqiptar.»
E para, zoti Vladimir, ideja për ndarjen e Kosovës nuk është ide e Dobrica Qosiqit, por shumë më e hershme, qysh prej kohës kur ky farë Qosiqi i thoshte mutit mjaltë. Ndiqni një kurs intensiv për historinë e Shqipërisë dhe do ta mësoni më saktë se kur i «kujtohet» akademikëve serbë ndarja e Kosovës. Sepse duhet të pyeteni edhe ju se ku ishte ky farë Dragniqi deri tash, bashkë me këtë farë Cosic-in dhe «-viqat» tjerë?
E dyta, kur ju thoni se «një lloj «lëkure leopardi» ekzistuaka edhe në Kosovë», ju dëshmoni se ose e keni një tru leopardi ose një tru dhelpre. Sepse 100 mijë serbë e malazias nuk mund të krijojnë «lëkurë leopardi» ndër dy milionë shqiptarë, qofshin ata të mëdhenj edhe sa Polifemi, kështu që «paragoni» me Bosnjën është tepër keqdashës ose tejet naiv. Pra, ju, ose përpiqeni të krijoni mjegull e hutesë në opinionin publik shqiptar ose s’keni lidhje për ato që shkruani. Një llogari e thjeshtë tregon se, sipas jush, nëse në 200’000 shqiptarë jetojnë 10’000 serbë (prej të cilëve 5000 janë policë) kjo është «lëkurë leopardi»! Kur kështu mendon një shqiptar, i cili është edhe gazetar, dhe plus këtë e shkruan, po merr guximin edhe e boton, vërtet është për të vënë kujën!
E treta, nuk flet «Z. Ibrahim Rugova me këmbëngulje për një Republikë të Kosovës» as nuk ka çka «të afrojë» as «të largojë» ai. Sepse Vladimiri ende jeton me idenë se çdo kryetar shteti është Enver Hoxhë dhe mund të bëjë si t’i teket atij. I. Rugova si kryetari i Republikës së Kosovës vetëm ua përcjell qarqeve ndërkombëtare vullnetin e popullit të Kosovës të shprehur me referendum. E vullneti i popullit të Kosovës dihet. E atë që një popull e kërkon me referendum është në gjendje ta mbrojë me çdo mjet e në çdo mënyrë. Republika e Kosovës është një realitet, deshët apo s’deshët ju zoti Vladimir. Këtë Republikë e ka pranuar Parlamenti shqiptar. Dhe nëse për ju si individ nuk janë obligative vendimet e një parlamenti tuaj, nëse për ju nuk është turp të mos e miratoni vullnetin e një pjese të robëruar të popullit shqiptar, atëherë vërtet do të na bindni se për ju vlejnë vetëm ato që i miraton parlamenti serb. Pastaj, Republika e Kosovës nuk është «një shtet i dytë shqiptarofolës» por një shtet i dytë shqiptar, e nëse mendoni të thoni shqipfolës atëherë kjo është tjetër gjë: shqiptarët nuk i thonë gjuhës së tyre e folme shqiptarisht, por e folme shqipe! As këtë s’e ditkeni vallë?! Atëherë ju duhet doemos edhe një kurs intensiv i gjuhës shqipe.
Zoti Vladimir, mllefoset që LDK-ja nuk lejuaka shteg për alternativa, d.m.th. shteg për ndarjen e Kosovës, që del se paskësh ndonjë parti tjetër në R. e Kosovës që e lënka këtë shteg. E me sa dimë ne, nuk ka pasur as nuk ka, as parti, as shoqatë, as grupacion në Kosovë që e ka llogaritur këtë «shteg» si të mundshëm. Dhe a e dini pse? Sepse kësaj i thonë shkurt e shqip tradhti kombёtare. E tradhtia kurdoherë dhe kudo në botë ka vetëm një dënim. Zoti Vladimir, natyrisht, e di mirë këtë, por puna e tij është të përhapë mjegull e kjo i shkon në vijë sepse nuk mund ta zërë në gojë me emër së paku një subjekt politik apo jopolitik që ta ketë bërë këtë gjë. Si e mendoni ju, fjala vjen, i teket Serbisë nesër që ta pushtojë këtë Shqipëri Administrative, dhe ju për t’u çliruar nga robëria do të bëni hesape si ta ndani me Serbinë? Po, ku ta dish, Vladimirët edhe mund ta bëjnë këtë punë. Sepse Vladimiri ende i thotë Kosovës «Krahinë» dhe këtë me mjeshtri ia mvesh pushtetit aktual.
Dhe në fund, del mësimi i dytë, se ndarja e Kosovës «duket si një ide praktike». Përkrah artikullit të Vladimirit është artikulli tjetër me titullin gjigant e mbështet «idenë» e tij «praktike»: «39% serbëve 61% shqiptarëve!?» nga një autor që fshihet prapa inicialeve Z. A. Së paku ai ka turp t’i dalë emri por ka nevojë për honorar, sepse eksperimenti zombist, për fat, nuk e ka kalbur të tërin. Kështu aksioni i suksesshëm propagandistik u krye.
(Ky shkrim është fragment nga artikulli polemik me kryeredaktorin e atëhershëm dhe dy gazetarë të gazetës ditore «Koha jonë» në Tiranë, me titull «Feudalizim i hapësirës informative shqiptare» botuar në «Rilindja», Tiranë, më 21-22 gusht 1996).