Ura e Ibrit nuk u rihap, problemi është politik

Premtimet e shumta që ura kryesore mbi lumin Ibër të jetë funksionale nga mesi i qershorit nuk kanë kryer punë, raporton KTV.

Tanimë kjo çështje po konsiderohet më shumë si problem politik.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se është duke u punuar intensivisht që deri në fund të muajit kjo urë të jetë e lirë për qarkullim.

Asamblistët e të dy komunave të Mitrovicës, asaj të jugut dhe të veriut, thonë se Mitrovica ka mbetur e vetme në luftën e saj ndaj strukturave paralele.

Fajtor për këtë çështje konsiderohet të jenë institucionet qendrore dhe vet kryeministri Isa Mustafa.

Analistët theksojnë faktin se shumë pak është punuar që mesi i qershorit t’i gjejë qytetarët e Mitrovicës të lirë për qarkullim në të dyja anët e Mitrovicës.

Mirëpo, për zyrtarët e Bashkimit Evropian, procesi i revitalizimit të urës mbi Ibër në Mitrovicë varet nga angazhimi i ndërtuesve dhe vullneti i mirë i palëve.