Ura e Ibrit hesht BE-në dhe ndez serbët

Parku barrikadë që ndodhet mbi urën qendrore në Mitrovicë nuk do të shembet as të enjten, është paralajmërimi që kanë dhënë Qeveria e Serbisë dhe autoritetet lokale në Mitrovicën Veriore, të banuar kryesisht me serbë, shkruan sot Koha Ditore.




Prishtina zyrtare këmbëngul që ai të rrënohet, e Bashkimi Evropian (BE) ka zgjedhur të heshtë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, kanë firmosur në gusht marrëveshjen e titulluar “Liria e lëvizjes/konkluzionet e urës”, nëpërmjet së cilës i është kërkuar BE-së që ta revitalizojë urën e Mitrovicës me rrethinë, sipas rekomandimeve të vlerësimit teknik dhe bazuar në dizajnin arkitekturor të 29 qershorit të vitit 2015, të dakorduar mes dy palëve. Marrëveshja është mbërritur me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar. BE-ja është caktuar si autoritet për implementimin e marrëveshjes, e edhe si palë përgjegjëse për ta kontraktuar kompaninë që do t’i kryejë punët sipas projektit për revitalizim.

Nëpërmjet pikës së dytë të marrëveshjes, kryeministrat e të dyja vendeve janë dakorduar që «më 15 tetor të vitit 2015 kontraktuesi do t’i mbyllë të dy anët e urës me barriera fikse dhe një rrethojë fikse ndërtimi».