Ura

Dita kur ndodhi ajo që s’mund të merrej me mend: Predrag Matejeviq shkruan më 9 nëntor 1993 një ese pas rrëzimit të Urës së Vjetër në Mostar. Ky intelektual i madh kroat, mes tjerash, shkruan: «Ndershmëria e kombit manifestohet, ndër të tjera, me gatishmërinë për t’i pranuar krimet të cilat kryhen në emër të tij. Kjo është ndoshta shkalla më e lartë e ndjenjës nacionale, në të njëjtën kohë edhe më fisnikja dhe më e rrezikshmja».

E quanim thjesht «e vjetër», ashtu siç quhet babai apo miqtë: ishim «te e vjetra», u lamë «nën të vjetrën», më guximtarët prej nesh kërcyem në lumin Neretva «nga e vjetra».



Nuk kam menduar se dikush do të guxonte ta rrëzojë Urën e Vjetër në qytetin tim. Kam udhëtuar në muajt e fundit nëpër qytetet e huaja dhe kam folur për të: gjashtë ura janë shkatërruar në Mostar dhe rreth tij, por megjithatë jo edhe kjo e vjetra. Dukej se, pavarësisht nga barbaritë, ajo do të mbetej si vlerë dhe si histori. Kam besuar se pikërisht në themelet e vlerave dhe të historisë do të gjendet ndonjë zgjidhje dhe do të shpëtohet ajo që ende mund të shpëtohet në Bosnjë-Hercegovinë. Edhe një herë isha naiv.

Do të ishte e papërshtatshme në këtë kohë që të diskutohet për bukuritë e Urës Mostarit, për përshtatjen e saj me mjedisin, për ashpërsinë e ndërtimit të saj dhe për bardhësinë e gurit nga i cili është gdhendur. Për të më lidhin kujtimet nga fëmijëria dhe rinia. E quanim thjesht «e vjetër», ashtu siç quhet babai apo miqtë: ishim «te e vjetra», u lamë «nën të vjetrën», më guximtarët prej nesh kërcyem në lumin Neretva «nga e vjetra». Nën të janë shkëmbinjtë që mostarasit i quajnë «shpella»: «Zelenika», mbi të cilën rriteshin fiku dhe shega, «Shupla», nën të cilën ishte një vorbull e rrezikshme («kapak»), «Soko» e vogël dhe e madhe, «Glavar» si një nishan në një port të vogël, «Duraxhiku» i madh, në të cilin djelmoshat përgatiteshin për «kërcim nga trari». Në të gjitha këto vende uleshin pulëbardhat e detit. Këtu është Mesdheu…

Këtu kemi jetuar qëmoti në harmoni, pavarësisht dallimeve. Miqtë e mi kishin emra katolikë, ortodoksë dhe myslimanë: njiheshim më shumë sipas karakteristikave sesa nga emrat. Nuk i donim ata që vinin nga anët lindore apo perëndimore, kur dallimet e tyre ishin më të rëndësishme se përshtatja. Me zemërim i quanim «harbutë» dhe «pantallongjerë». Sikur ta kishim imagjinuar se çfarë do të ndodhte me bashkëjetesën tonë. Kur gjatë kohës së luftës së fundit, asaj të Dytë Botërore, në qytetin nëpërmjet të cilit kaluan dhe plaçkitën ushtri të huaja dhe vendëse – gjermanët, ustashët, italianët, çetnikët – natën depërtoi në Mostar batalioni me partizanë të plagosur dhe të sëmurë, ne ishim solidarë, pavarësisht dallimeve. Krenoheshim për këtë: historia i dëshmoi vlerat e tilla.

Në historinë e barbarisë, vendin më të keq e zunë shkatërruesit e qyteteve. Mostarin filluan ta shkatërrojnë «serbët», vazhduan «kroatët» – i vë në thonjëza për t’i dalluar nga ata kroatë dhe serbë që nuk janë fajtorë, të cilët turpërohen bashkë me ne. Pavarësisht nga ajo se kush «filloi i pari», kush më shumë e kush më pak shkatërroi apo vrau, një padrejtësi nuk mund të justifikohet me një tjetër. Gjithkush do të përgjigjet për të, shkatërruesit e Mostarit, sikur edhe të Vukovarit, torturuesit e Sarajevës.

Urën e Vjetër e shembën përfundimisht, nuk ka më dyshim, ushtarët e të ashtuquajturës Herceg-Bosnja. Dhe kështu i shkaktuan dëm të madh vetë Kroacisë në kohën kur bota filloi ta kuptojë më mirë, ta pranojë si një komb të lënduar. Dëshmitarët e huaj të besueshëm, ata të cilët edhe ne i udhëzuam kur dëshmuan për krimet serbe në kampet si Omarska, Manjaça, Oxhaka ose Tërnopole, kohët e fundit e paralajmëruan botën për ekzistencën e llogoreve të ngjashme në Dretel, Gabel, Lubushka, në «heliodromin» (fushë helikopterësh), vend afër Mostarit. Ndershmëria e kombit manifestohet, ndër të tjera, me gatishmërinë për t’i pranuar krimet të cilat kryhen në emër të tij. Kjo është ndoshta shkalla më e lartë e ndjenjës nacionale, në të njëjtën kohë edhe më fisnikja dhe më e rrezikshmja.

Krahas krimeve të luftës, të kryera nga hordhitë e Karaxhiqit dhe të Mladiqit, përmenden për muaj të tërë vrasjet në Mostar dhe Hercegovinë, si dhe hakmarrjet në Bosnjën qendrore. Mate Boban nuk do të mund ta bindë askënd se rrënimi i urës ishte e parëndësishëm, incident i rastit. Ai kohët e fundit i shkroi letra presidentit të Kroacisë, me plot lajka injorante dhe të papëlqyeshme, duke theksuar se ata po e realizojnë «vizionin» e tij. Nuk e kam dëgjuar distancimin e presidentit nga fjalët e tilla, nga shkatërruesit e veprave të përfshira në vlerat e trashëgimisë dhe historisë së njerëzimit.

Bashkohem me intelektualët kroatë të cilët kanë kërkuar nga presidenti që të mendojë për dorëheqjen.

Paris, 9 nëntor 1993. Ditën e rrënimit të Urës së Vjetër në Mostar.