UPZ lidh bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës




Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj, i shoqëruar edhe nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues i UPZ-së, Bekim Gashi dhe zv.kryesuesi Abdullah Zejnullahu, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Universitetin Bujqësorë të Tiranës, ku është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave Pyjore të këtij Universiteti.

Kjo marrëveshje është arritur në vazhdën e punëve përgatitore për themelimin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në kuadër të UPZ-së.

Në këtë rast, dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, Vath Tabaku gjithashtu shprehu gatishmërinë që t’i ofrojë mbështetje themelimit të fakultetit të ri me gjitha kapacitetet kadrovike, laboratorike, etj..

Rektori i UPZ-së, Vataj e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje dhe falënderoi dekanin e këtij fakulteti për mbështetjen e parezervë të ofruar në këtë kuadër.

Në këtë takim gjithashtu u diskutua mundësia e themelimit të programeve të përbashkëta dhe ofrimi i diplomave të njohura si ‘Joint diploma”. Duke u bazuar në kapacitetet e të dyja universiteteve një mundësie e tillë është e realizueshme në të ardhmen.

Kjo është marrëveshja e katërt që arrihet në kuadër të arritjes së partneritetit ndërkombëtar për themelimin e fakultetit të ri, Fakulteti i Shkencave të Jetës dhe Mjedisit ku përfshihet Departamenti i Agrobiznesit, Departamenti i Shkencave të Ushqimit dhe Departamenti i Shkencave të Mjedisit.