UP-ja s’e ka ndërmend të tërhiqet nga vendimi për afatet e provimeve

Studentët e Universitetit të Prishtinës mund të mbesin pa hyrë në provime, deri në janarin e vitit të ardhshëm.




Kjo, pasi që Senati i UP-së duket të jetë i prerë në vendimin e tij, që përveç afateve të rregullta, të mos ketë ndonjë afat të ndërmjetëm në tetor dhe prill, siç ishin aplikuar deri këtë vit.

Aq më tepër që ky vendim gjen mbështetje edhe në Statutin e UP-së, ku pika e 2-të e nenit të 111-të, thotë se «Afatet e provimeve përfshijnë afatin e dimrit (janarit), pranverës (qershorit) dhe të vjeshtës (shtatorit). Por, për Shkëlqim Malokun, kryetar i Këshillit të Studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, Senati do të duhej ta rishqyrtonte këtë vendim të tij, duke i marrë parasysh specifikat e çdo fakulteti».

Ndërkaq, Egzon Daku, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së, thotë t’i kenë dërguar Senatit një shkresë me 4 kërkesa, ku kërkohet edhe aplikimi i afatit të tetorit dhe prillit.

KTV-ja ka kontaktuar edhe me zyrtarë të UP-së, por ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.