Universitetin «Kadri Zeka», sfidë në ndërtimin e kapaciteteve të larta arsimore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar Universitetin «Kadri Zeka» në Gjilan, ku ka folur për zhvillimet në këtë universitet dhe përkushtimin për cilësi dhe modernizim të mësimdhënies.




Ministri Bajram, siç thuhet në njoftimin nga kjo ministri, ka thënë se Universiteti «Kadri Zeka» vazhdon të jetë sfidë në ndërtimin e kapaciteteve të larta, në mënyrë që të plotësojë kërkesat e ekonomisë së rajonit të Gjilanit dhe të shndërrohet në promotor të edukimit të arsimit të lartë të kësaj treve, transmeton Koha.net.

«Është fat i mirë që ky vit akademik, në 7 universitete dhe 24 kolegje private po fillon me një kërkesë substanciale për studentët, që është studime cilësore, diplomë e respektuar dhe që siguron punësim», ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu tha se, në bashkëpunim me rektorin e këtij universiteti, do të punojë që ky universitet të ndërtojë identitet dhe të jetë i kërkuar nga studentët e gjithë Republikës së Kosovës.

«Jemi të sigurt që menaxhmenti dhe ekipi, që do të themelojë rektori, do të kenë një orientim strategjik të Universitetit «Kadri Zeka», tha ministri Bajrami, i cili foli edhe për ndërtimin e sistemit të performancës së universiteteve dhe rritjen e përgjegjësisë akademike.

Rektori i Universitetit «Kadri Zeka», z. Bajram Kosumi ka thënë se do të kërkojë përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë së Kosovës në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore.