Universiteti shqip «Nëna Tereza» në Shkup fillon me kontradikta

Asnjë profesor i premtuar nga universitetet me renome ndërkombëtare, kurse rektori i premtuar ndërkombëtar zëvendësohet me një kuadër të partisë shqiptare në pushtet. Universiteti i ri nuk ka as objekt, as staf të kompletuar akademik, ndërsa për disa ditë pritet të fillojë me ligjëratat. Ndërkohë shqyrtohet mundësia e shkrirjes së UEJL-së në këtë universitet, që ka ngjallur reagime të shumta.

Debat lidhur me Universitetin e ri shqip «Nënë Tereza» në Shkup.

Shumë kontradikta dhe probleme e kanë shoqëruar fillimin me punë të Universitetit «Nënë Tereza» në Shkup. Ai u trumbetua si universitet i tretë në gjuhën shqipe, ndërsa zyrtarisht është paraparë të jetë në tri gjuhë: anglisht, shqip dhe maqedonisht. Universiteti i ri parashihet të ketë pesë fakultete dhe 14 programe studimore. Ai që në hapat e parë është shoqëruar me shumë anomali, duke filluar nga formimi i stafit akademik, objekti, akuzat për politizim e deri te numri i vogël i studentëve të paraqitur. Fillimisht, universiteti i filloi procedurat me vonesë, ndërsa reagimet më të mëdha në opinion lindën me përzgjedhjen e stafit akademik dhe të drejtuesit.

Pas marrjes së vendimit në Qeveri për themelimin e këtij universiteti, u tha që rektori do të jetë ndërkombëtar. Vetë kreu i partisë shqiptare në pushtet, Ali Ahmeti, pati siguruar që ai nuk do të politizohet, se në stafin akademik nuk do të ketë njerëz partiakë. «Sigurisht që këtë garancë e keni. Unë jo vetëm që ju siguroj, por edhe mund të bisedoni dhe të angazhoni njerëz. Unë kurrën e kurrës nuk jam involvuar në politikat arsimore në universitet, as në atë të Tetovës, as në universitetin që po themelohet», u përgjigj Ahmeti, muaj më parë në emisionin «Rruga drejt», kur u pyet nga gazetarja nëse siguron që nuk do të ketë ish deputet, ish ministra, deputetë aktualë dhe zyrtarë të BDI-së në universitetin e ri.

Përkundër këtyre zotimeve, në krye të universitetit «Nënë Tereza» ushtrues detyre i rektorit u emrua Aziz Pollozhani, pikërisht një ish deputet dhe ish ministër nga radhët e BDI-së. Pas publikimit të këtij lajmi, u rritën edhe më shumë akuzat për politizim të universitetit të ri që në hapat e parë të themelimit. Përveç përkatësisë partiake, ndaj rektorit të ri dolën edhe dyshime të reja për sa i përket titullit profesor ordinar që është edhe kusht për zgjedhjen si rektor. Profesori Asllan Bilalli, i zgjedhur që në fillim në komisionet për themelimin e universitetit, akuzoi rektorin Aziz Pollozhani se thirrjen shkencore në Kolegjin Universitar «Iliria» e ka marrë në Prishtinë, me pronar Mixhait Reçi nga vendlindja e tij, Struga. Ky kolegj, sipas Bilallit, nuk ka studime doktorature dhe ligji nuk i lejon dhënien e thirrjeve shkencore.

Gatuhet shkrirja e UEJL-së në UNT

Një anomali tjetër e universitetit «Nënë Tereza» është mungesa e objektit, i cili u paralajmërua se do të ndërtohet këtë vit, por nga ky objekt nuk ka as themele. Në mungesë të tij, universiteti i ri është vendosur që vitin e parë akademik ta fillojë në hapsirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup. Por, përveç shfrytëzimit të hapësirave, dy universitetet i lidh edhe lajmi më i ri për shkrirjen e tyre, konkretisht shkrirjen e UEJL-së në UNT. Këtë tanimë nuk e mohojnë as nga Ministria për Arsim dhe Shkencë, as nga UEJL, e as nga partia shqiptare në pushtet, BDI.

«Ekziston mundësia e optimizmit apo racionalizimit të shkrirjes së Universitetit të Evropës Juglindore në Universitetin ‹Nënë Tereza›. Ky është një proces, i cili duhet të ndodhë natyrshëm në të ardhmen», tha ministri i arsimit dhe shkencës, Pishtar Lutfiu. Me qëndrime përafërsisht të ngjashme kanë dalë edhe nga UEJL, ku lënë hapsirë për bashkimin e dy universiteteve, duke thënë se UEJL dëshiron të japë kontribut në optimizimin e ofertës akademike. «Në mungesë të strategjive të qarta të zhvillimit të arsimit të lartë në rajon dhe iniciativave të shpeshta publike për masovizimin e qasjes në arsimin e lartë, dëshirojmë që edhe ne si universitet të japim kontributin tonë në optimizimin dhe racionalizimin e ofertës akademike, me theks të veçantë në arsimin e lartë në gjuhen shqipe», theksohet në kumtesën e lëshuar nga UEJL. Ndërkohë nga BDI për mediat në Maqedoni kanë thënë se do ta pranonin këtë ide nëse do të ishte në interes të rritjes së cilësisë së arsimit shqip në Maqedoni. Nga ana tjetër, idenë për shkrirje të UEJL-së në UNT e kanë kundërshtuar tanimë disa profesorë dhe studentët e universitetit, i cili u hap me iniciativën e ndërkombëtarëve dhe drejtohet nga një bord ndërkombëtar, UEJL. Studentët e këtij universiteti kanë filluar edhe një peticion kundër kësaj nisme.

Stafi akademik i përgjysmuar, interesim i dobët edhe për studime

Përveç problemeve të lartëpërmendura, hapja e universitetit të ri që pritet të fillojë me punë për disa ditë, ka hasur edhe në probleme me grumbullimin e stafit akademik dhe regjistrimin e studentëve në vitin e parë akademik. UNT ka shpallur konkurs të ri për zgjedhjen e 39 profesorëve dhe asistentëve, pasi në konkursin e parë, nga 170 sish sa kanë kandiduar vetëm 45 i kanë plotësuar kushtet dhe janë pranuar. Ndërkaq në konkursin për regjistrimin e studentëve janë paraparë 1’220 vende, ndërsa deri javën që lamë pas janë paraqitur 170 studentë.

Universiteti «Nënë Tereza» do të fillojë punën me pesë fakultete: Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Fakulteti i Shkencave të Informatikës, Fakulteti i Shkencave Teknike, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Fakulteti i Shkencave Teknologjike.