UNESCO-s i propozohet të mbrojë dokumentet e Gjyqit të Auschwitzit

Berlin, 14 qershor - Rreth tetë mijë pjesëtarë të Waffen - SS dhe dyqind SS të tjerë shërbyen në Auschwitz.

Njëzet e dy prej tyre u akuzuan në Gjykimin për Auschwitzin në Frankfurt në vitin 1963. Nuk ishin të akuzuar vetëm për vrasje individuale, por më shumë për ndjekjen e «urdhrave kriminale të udhëheqjes shtetërore gjermane» dhe pjesëmarrjen në krime masive. Gjykimi zgjati 20 muaj dhe përfshiu 300 dëshmitarë, 200 prej tyre të mbijetuar të Auschwitzit. Gjashtë prej të akuzuarve ishin dënuar me burgim të përjetshëm e tre u liruan në mungesë provash.

Është e pamundur të harrohet një gjykim i tillë, shkruan DW, transmeton «Koha Ditore». Ngjarja historike prodhoi 454 dosje dhe 103 audioincizime, të cilat komisioni gjerman i UNESCO-s i ka nominuar që të bëhen pjesë e regjistrit të UNESCO-s si «Kujtesë e botës».

Joachim-Felix Leonhard, kryetar i komitetit për nominimin gjerman, ishte 16-vjeçar kur ndoqi për herë të parë gjykimin.

«Është e pamundur të harrohet», ka thënë Leonhard. «Ende i dëgjoj zërat e dëshmitarëve. Ende më dalin para sysh fytyrat e tyre», ka shtuar ai. Për të, futja e dokumentacionit të gjykimit në regjistrin global është prioritet personal.

«Gjyqi i Auschwitzit ishte mundësia më e madhe për të gjithë dëshmitarët nga të gjitha vendet e përfshira që zëri i tyre të dëgjohet, në gjuhën e tyre, me ndihmën e përkthyesve», ka thënë historiani Leonhard. Kjo e bën dokumentacionin që të ketë interes të veçantë në shkallë të përgjithshme ndërkombëtare.

Qëllimi i regjistrimit është që të «nxjerrin dokumentacionin me vlerë të jashtëzakonshme nga arkivat, bibliotekat dhe muzetë për t’i bërë ato të qasshme në mënyrë digjitale në mbarë botën». Kjo do të thotë që të përfshihen dokumente nga shtete të ndryshme që më pas ato të kompletojnë njëra-tjetrën. Materiali nga gjykimi do të jetë një tjetër pjesë e përballjes me Holokaustin, bashkë me Ditarin e Ana Frankut, i cili tashmë është pjesë e regjistrit.

Gjykimi nuk do të ndodhte pa ndihmën e prokurorit të shtetit të atëhershëm, Fritz Bauer. Gjermanët deshën që të harronin Luftën e Dytë Botërore në vite pas përfundimit të saj.

Aleatët tashmë kishin mbajtur gjykime të shkurtra duke përfshirë më shumë kriminelë seniorë nazistë. Rindërtimi ishte prioritet e jo përballja me të kaluarën nacionale socialiste. Fritz Bauer, vetë hebre i mbijetuar nga kampi i përqendrimit në Danimarkë, u bë një prej kampionëve më prominentë të reformës në drejtësinë kriminale. Këmbëngulja e tij çoi në themelimin e Qendrës për kërkime dhe dokumentacion të Holokaustit. Këtë e bëri në emër të tij dhe kjo qendër ruan fragmente të audioregjistrimeve të gjyqit.

«Askush nuk e ka menduar më parë se ajo që ndodhi në Auschwitz mund të jetë e vërtetë», ka thënë Werner Konitzer, kryesues i «Fritz Bauer Institute». Incizimet shpalosin edhe detaje se si të akuzuarit mundohen të arsyetojnë veprimet e tyre, duke thënë se vetëm kanë ndjekur urdhrat që kanë marrë.

«Mund të shohësh se ata nuk ishin vetëm duke ndjekur urdhrat», ka thënë Konitzer. «Vërehet një urrejtje e ftohtë nga mënyra e të folurit».

Konitzer sikurse edhe Leonhardi, e konsideron si të nevojshme futjen e dokumenteve të gjykimit në regjistrin e UNESCO-s.

«Ne nuk pyesim përse duam që gjërat e mira të mbrohen si trashëgimi botërore, por kultura ka të bëjë edhe me ballafaqimin me gjëra dhe ngjarje të vështira», ka thënë Konitzer. Aktualisht janë 348 artikuj në rrjetin digjital të UNESCO-s, 22 prej të cilave vijnë nga Gjermania. Vendimi për marrjen në mbrojtje të dokumenteve të Auschwitzit pritet të merret vitin e ardhshëm në Paris.