Unë jam veç një pasaportë!




Izolimi nuk është gjë e re për mua, ashtu siç nuk është edhe për shumë bashkëkombës të mi. Por me kohë të zvogëlohet durimi dhe mirëkuptimi për t’u përballur me racizëm dhe diskriminim, vetëm sepse shteti që më ka dhënë këtë pasaportë, nuk prodhon asgjë tjetër përpos azilkërkuesve.

 

Nga Vjosa MUSLIU

Udhëtimet janë pjesë e pandarë e rutinës sime tash e gjashtë vite. Konferenca, ligjërata, simpoziume – të gjitha këto janë aktivitete mujore. Çdoherë kur më bëhet një ftesë e tillë janë dy gjëra që i mendoj në shpejtësinë e dritës. E para, a më duhet vizë për të udhëtuar? E dyta, nëse po, nga «1» deri në «Aplikim për vizë britanike» cila është shkalla e denigrimit gjatë procesit të aplikimit?

Për vendet (jo)liberale perëndimore (jashtë BE-së), pasaporta ime lexon: «azilkërkues». Në rastet kur tentoj të udhëtoj kudo tjetër pasaporta ime lexon: «secesionist». Në të dyja rastet refuzimin e kam ne xhep.

Procedurat e aplikimit për vizë janë mizore. Në to aplikuesi nuk ka identitet. Pasaporta bëhet identiteti (i vetëm) dhe identiteti zvogëlohet veç te ajo pasaportë. Bashkë me aplikimin për vizë, institucioni i pasaportës të zhvesh (shpeshherë dhunshëm) nga të gjitha ngjyrat dhe identitetet, dhe të zvogëlon vetëm në një «kategori politike». Kjo kategori politike të përcakton dhe të identifikon si refugjat, azilkërkues, turist etj. Mund të jesh grua, e papunë, profesor, qen, artist, shkencëtar, nuk ka rëndësi, ti prapë je vetëm një kategori politike e përcaktuar (shpeshherë në mënyrë të padrejtë) nga vendi në të cilin aplikohet për vizë. Pra, ti nuk ekziston! Ti nuk ke subjektivitet! Ti je vetëm një pasaportë! Një pasaportë e keqe madje. Është e gjithë kjo dhunë administrative që të identifikon me të gjitha të këqijat që pasaporta jote i përfaqëson.

Vite më parë motra dhe vëllai im (të dy në të njëzetat) donin të kalonin pushimet e fundvitit me mua. Vizat e tyre u refuzuan nga zyra belge në Prishtinë, me justifikimin se konsullata nuk ishte e «bindur» se ata do të ktheheshin në Kosovë – lexo: ne jemi të sigurt se ju do të kërkoni azil në momentin që do të shkelni në Belgjikë dhe do të përfitoni nga skema belge e sigurimit. Dhe ky justifikim, sado i vakët, erdhi vetëm pasi kishim bërë presion për muaj të tërë te zyra belge në Prishtinë për të dhënë një dokument, një dëshmi të refuzimit. Në të shumtën e rasteve, lajmin ta komunikojnë kur e merr pasaportën pa vizë në të, pa të sqaruar psenë e refuzimit.

Vitin që shkoi vëllait tim (sërish) iu refuzua viza belge, për të cilën nuk është njoftuar zyrtarisht deri sot e kësaj dite. Për autoritetet belge, diplomimi i motrës nuk është arsye e mjaftueshme për të marrë vizë belge. Sepse ti as nuk shihesh si subjekt turizmi, as si asnjë subjekt tjetër pos «azilkërkuesit». Ti je veç një pasaportë që kërcënon me azilkërkim. Nuk kanë bërë punë as letrat, fakset dhe apelet e dekanatit për një përgjigje pozitive. Mbaj mend se kam shpenzuar javë të tëra për të lexuar legjislacionin adekuat, dhe më rezultoi që familjarëve të mi do t’u jepej viza vetëm në dy raste: e para, nëse do të isha në gjendje kome. E dyta, nëse do duhej që trupin tim të pajetë ta transportonte dikush në Kosovë. Sigurisht, këto diskriminime të kësaj feje nuk vlejnë për zyrtarë qeveritarë, kushërinjtë dhe dashnore(ë)t e tyre.

Është e vërtetë që si shumë njerëz kudo në botë, ka rastisur të kem lindur në një vend që prodhon kryelajme për ikje të refugjatëve përgjatë më shumë se një dekade. Në fillim ishin ikjet nga lufta, më vonë patëm rritje emigracioni për arsye ekonomike dhe të varfërisë. Ikjet e viteve të fundit, nga njerëz me statuse të ndryshme ekonomike e shoqërore, ishin ikje nga depresioni i madh dhe nga pritja se Kosova po bëhej siç duhet pas «çlirimit» dhe pas «pavarësisë». Pamje të tilla ngujohen në memoriet e vendeve të tjera dhe është vështirë që ato imazhe të fshihen me konferenca snobiste nëpër Prishtinë apo statuse në Twitter që s’kanë lidhje me realitetin. Është e vërtetë që qeveritarët në vendin tim të lindjes janë më shumë të zënë duke u marrë me menaxhimin e të «bëmave» të tyre gjatë dhe pas luftës, se sa për të lëvizur ndonjë gur që pasaporta ime të mos jetë kaq tmerruese. Por unë, ashtu sikurse shumica prej nesh, nuk jemi vetëm kjo pasaportë.

Paramendoni nëse një belgu – kryeministri i kaluar i së cilit ishte homoseksual dhe e kishte zakon të puthte «drag queens» në publik – t’i mohoj viza në Iran. Ose akoma më keq, paramendoni sikur një belgu t’i refuzohej viza në ndonjë vend të Amerikës Latine, vetëm pse ka pasur raste të shpeshta të shtetasve belgë të akuzuar për pedofili në shumë nga këto vende. Pasaporta e këtyre shtetasve është dokument udhëtimi dhe identifikimi dhe nuk e dhunon asnjërin prej tyre në formën që pasaporta ime, pasaporta e një kolumbiani, e një turku, e një marokeni – dhunon! Pra, një belg është «turist» edhe kur është pedofil gjetiu, ndërsa unë jam «azilkërkues» edhe kur ftohem për të ligjëruar në universitete.

Dhe kjo skizofreni nuk të shpëton edhe nëse jeton në zemër të Evropës. Është pasaporta, e ndërlidhur me një milion të këqija, që t’i mbyll dyert dhe të izolon edhe në zemër të Evropës. Bash për këtë tash e një kohë jam bërë banore e vetë-izoluar e zonës së Schengenit. Ka vite të tëra që refuzoj çdo ftesë për aktivitet akademik në Britaninë e Madhe. Kam vendosur të mos vihem në situatë kur më duhet të plotësoj një listë me pyetje denigruese siç janë: «A keni qenë ndonjëherë të përfshirë në aktivitete për trafikim organesh» ose «A keni qenë të përfshirë në aktivitete terroriste». E kam të vështirë të besoj se kjo është mënyra nëpërmjet së cilës Mbretëria e Bashkuar u bie në gjurmë kriminelëve apo terroristëve pasi ata të janë përgjigjur me «po» në këto pyetje. Por kjo është mënyra se si dekurajohen shtetas të vendeve të dështuara për të mos aplikuar më. Edhe më denigruese janë pyetjet që të vënë në «rëntgen» të gjitha kategoritë e mundshme identitare si për shembull: çfarë race i përkisni? Cilit besim i takoni? (pa të dhënë mundësinë për të zgjedhur «asnjë besim»). Cilit orientim seksual i takoni? E të tjera morbiditete si këto. Të njëjtin refuzim e bëj sa herë më bëhet ndonjë ftesë për Kanada, thjeshtë sepse refuzoj të mbledh një mal me dokumente dhe të shkoj deri në Paris për të dhënë «shenjat e gishtave» si ndonjë kriminel par exellance. Izolimi nuk është gjë e re për mua, ashtu siç nuk është edhe për shumë bashkëkombës të mi. Por me kohë të zvogëlohet durimi dhe mirëkuptimi për t’u përballur me racizëm dhe diskriminim, vetëm sepse shteti që më ka dhënë këtë pasaportë, nuk prodhon asgjë tjetër përpos azilkërkuesve.

Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë.