Umberto Eco mbi krizën e leximit dhe domosdoshmërinë e leximit

Shkrimtari i famshëm italian flet për romanin e tij të ri «Numri zero», që i kushtohet një gazete, për krizën dhe shansin e mediumeve – të shtypura dhe online, për triumfin e selfie-kulturës dhe dashurinë e tij për Milanon.

Foto: Shutterstock



Umberto Eco, i lindur më 1932 në Alessandria në Piemont të Italisë, është njëri prej intelektualëve më me ndikim në botë. Si profesor i semiotikës ia ka shkruar disa romane të rëndësishme, ndërsa me kolumnën e tij «La Bustina di Minerva», e cila botohet në magazinën «L’Espresso», është bërë i popullarizuar edhe si gazetar. Në romanin e tij më të ri «Numri zero» themelimi i një gazete shndërrohet në aventurë të rrezikshme. Në një intervistë për gazetën «Süddeutsche Zeitung» Eco ka folur për librin e tij dhe për shumë tema të tjera. Në vijim po sjellim mendimet më brilante të Ecos:

Për gazetën dhe romanin.
«Dua të flas për krizën e gazetës. Ajo filloi që në vitet e hershme të pesëdhjetës, me ardhjen e televizorit. Deri atëherë gazeta në mëngjes tregonte se çfarë kishte bërë vaki deri në mbrëmjen e ditës së mëparshme. Kriza e mediumit gazetë e përditshme ishte e pritshme, ajo edhe në titull i mbante kohërat e ditës: Corriere della Sera, Evening Star. Kësaj duhet shtuar ndryshimin e themelit ekonomik, për shembull të ardhurat nga reklamat. Kjo krizë është deri më sot aktuale, sepse shumica e të rinjve nuk lexojnë më gazeta».

Për kohën pa ideologji.
«Ndoshta triumfi i selfie është metaforë: objekti i vetëm identifikues që ka mbetur është vetvetja, jo kjo apo jo ideologji».

Për Milanon.
«Milano për mua është dashuri e vonshme. Kam ardhur më 1954 për herë të parë në këtë qytet, para më shumë se gjashtëdhjetë viteve. Pata ardhur nga Torinoja, ku kisha studiuar. Më vonë kam dhënë mësim në Firencë, pastaj në Bolonjë, shpesh kam qenë në Romë për arsyet më të ndryshme, por çuditërisht kurrë nuk ia kam dalë ta ndjej Milanon si . Tek në njëzet vitet e fundit jam pajtuar gjithnjë e më shumë me Milanon, jam shëtitur në këmbë, dhe me këtë libër e kam larë një lloj borxhi afektiv, që e ndjej ndaj Milanos. Jam marrë me Milanon , me Milanon e zhdukur, me Milanon e katakombeve, të kishave, të cilat ruajnë dekorime bizare të eshtrave».

Mbi raportin ndaj gazetave.
«Në familjen time e blinim Gazetta del Popolo, e cila kishte një shtojcë shumë të bukur për fëmijë. Unë kam qenë atëherë rreth dhjetë apo njëmbëdhjetë vjeçar dhe babai im atëbotë përherë thoshte: lexoje , faqen e tretë, ajo ishte diçka e ngjashme me rubrikën e kulturës të gazetave gjermane, me artikuj për kulturën dhe letërsinë, por edhe me raporte të korrespondentëve nga bota e jashtme, kishte mjaft njerëz që shkruanin mirë. Kështu babai im thoshte, këtë duhet ta lexosh, kështu mëson të shkruash tregime të mira».

Për të ardhmen e mediumeve.
«Do të mund t’u jepja një përgjigje pesimiste. Gjeneratat e sotme ndikohen shumë më tepër nga interneti se sa nga gazetat. Por gazetat e rëndësishme ende kanë ndikim të fuqishëm në politikë. Dhe unë me qejf do ta mbroja funksionin e gazetës për opinionin publik modern. Kur është fjala te gazeta, unë e di kush po më flet. E di si duhet të interpretoj se ç’shkruan Süddeutsche Zeitung, çka më thotë gazeta Bild. Në internet kurrë nuk e di saktësisht kush më flet. Dhe në internet mungon funksioni i gazetës si filtër dhe përzgjedhje; interneti ushtron ndikimin e vet të madh ndaj mendimit publik pa asnjë rregull dhe shpesh anonim, pa rend, pa kontroll. Te gazetat është ndryshe, ato kanë një adresë të qartë. (…) Sa i përket gazetës së përditshme klasike, unë përherë kam qenë me Hegelin, i cili ka thënë: ajo është bekimi mëngjesor i njeriut modern». -lli