Ukraina kërcënon Kusturicën për vizitën e tij në Krime

Ukraina kërcënoi se do të ndjekë penalisht dhe ndalojë regjisorin e famshëm serb Emir Kusturica të hyjë në territorin e saj pasi ai vizitoi Krimenë dhe lavdëroi marrjen e gadishullit nga Rusia.

Emir Kusturica. Foto: Beta.



Ambasada ukrainase në Beograd i dërgoi një letër të hapur Kusturicës të martën, duke paralajmëruar se kushdo që shkel Ligjin e vendit për Territoret e Pushtuara Përkohësisht duke vizituar Krimenë e aneksuar nga Rusia do të ndiqet penalisht.

«Një nga ndëshkimet për shkeljen e ligjit është ndalimi i hyrjes në territorin ukrainas për një periudhë pesë vjeçare», tha ambasada në letër.

Më 23 korrik, Kusturica mbajti një koncert në Yalta, në gadishullin e Krimesë, me grupin e tij muzikor «No Smoking Orchestra».

Para koncertit, ai citoi se bashkimi i Krimesë dhe Rusisë ishte një «proces natyral organik» dhe i bëri thirrje qytetarëve të Krimesë ta zhvillojnë gadishullin si «pjesë të Rusisë të madhe».

Ambasada tha se i vinte keq për faktin që Kusturica «mbështeste agresorin, Rusinë», duke shtuar se 11,000 njerëz, përfshirë artistë të famshëm, kanë vdekur gjatë konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë.

Kusturica nuk qe i disponueshëm për një koment të martën.

Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas një referendumi tepër të diskutuar në të cilin njerëzit votuan se gadishulli ukrainas duhej t’i bashkohej Rusisë.

Si Ukraina ashtu edhe Perëndimi e konsiderojnë të paligjshëm referendumin dhe aneksimin si pushtim të territorit ukrainas nga ana e Rusisë.

Në letrën e saj, ambasada ukrainase shtoi se Kievi ende e mbështet fuqimisht Beogradin në lidhje me politikën e Kosovës dhe nuk e ka njohur pavarësinë e kësaj të fundit.

(https://www.reporter.al/ukraina-kercenon-kusturicen-per-viziten-e-tij-ne-krime/)