Ujku, hoteli dhe gjaku

Një rrëfim mbi hotelin «Holiday Inn» në Sarajevë.

Gjurmët e luftës: pamje e hotelit Holiday Inn në Sarajevë. Foto: Shutterstock



Për Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë, të cilat u mbajtën në vitin e largët 1984, ndoshta më së shumti duhet të gëzohen ujqit në Ballkan. Dhe ja përse: deri atëherë ujku në Ballkan vuante nga imazhi i keq, në mendjen e shumë njerëzve ai ishte një kafshë frikësuese, grabitëse dhe gjakpirëse. Në prag të Lojërave Dimërore në Sarajevë, ndërkaq, opinionit botëror iu prezantua maskota zyrtare – një ujk i vogël dhe simpatik. Në gjuhën e atëhershme serbokroate ai quhej «Vučko», një shprehje përkëdhelëse për ujkun. «Vučko» ishte skicuar nga piktori slloven Jozhe Trobec dhe ishte përzgjedhur nga gazetat më të mëdha jugosllave të asaj kohe. «Vučko» bartte një shall të kuq dhe një palë ski mbi supe. Ai u bë i njohur sidomos me ulërimën e tij të paharrueshme: «Sarajevuuuuu»!

Ujku është njëri ndër simbolet e Sarajevës olimpike. Simboli tjetër është hoteli «Holiday Inn», i cili sot, pak a shumë, i përngjan Hotelit Grand në Prishtinë, domethënë: një ngrehinë e madhe e arkitekturës socialiste, që është lënë pas dore, me mobile të vjetra dhe me një sharm të çuditshëm të Jugosllavisë së shkatërruar.

«Holiday Inn» u ndërtua në prag të Lojërave Olimpike, si shumica e hoteleve dhe bujtinave të Sarajevës. Vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës të organizojë lojërat dimërore i dha një hov të paparë ambicieve të pushtetit të atëhershëm për të investuar në ndërtimtari. Në kodrën Mojmilo u ngrit Fshati Olimpik, pranë stadiumit Koshevo u ndërtua qendra sportive Zetra, në malet e Bjelashnicës dhe Igmanit u hapën disa hotele. Ndërtesa që ngjalli më së shumti debate ishte ajo e hotelit «Holiday Inn». Me strukturën prej kubi dhe me fasadën e verdhë ky hotel edhe sot veçohet nga arkitektura e qytetit. Arkitekti i kësaj godine, Ivan Shtraus, një slloven që kishte bërë karrierë në Bosnjë, e kishte lavdëruar veprën e tij, duke thënë se ajo parafrazon në mënyrë bashkëkohore skemën e lashtë arkitektonike të këtij vendi, ndërsa ngjyra e verdhë e fasadës së aluminit, po sipas Shtrausit, ishte befasuese. Duket që projektuesi i «Holiday Inn» është njëri ndër mbrojtësit e paktë të stilit të tij ndërtimor. Kritikë të tjerë, jo vetëm nga fusha e arkitekturës, kanë gjetur fjalë të rënda për këtë godinë.

Gazetari amerikan Roger Cohen, i cili gjatë luftës së viteve ‘90 kishte jetuar në këtë hotel dhe kishte raportuar për «New York Times» nga Sarajeva e rrethuar prej forcave serbe, e kishte përshkruar «Holiday Inn»-in me fjalë të ashpra. Ky hotel atij ia kujtonte një «kub me ngjyrë të senfit… i projektuar, me sa duket, me qëllim parësor për të shkaktuar tmerr». Por, gjatë luftës «Holiday Inn», përkundër arkitekturës së mërzitshme, ishte i vetmi hotel që punonte dhe shërbente si strehë për qindra gazetarë, të cilët raportonin nga Sarajeva. Ata që gjenin një dhomë këtu, mund të ndjeheshin të privilegjuar. Kameramanët më të guximshëm ngjiteshin në kulmin e hotelit dhe nga këtu xhironin agoninë e përditshme të Sarajevës.

Një vend tmerri hoteli ka qenë edhe më parë, në prag të shpërthimit të luftës në fillim të vitit 1992. Këtu, në «Holiday Inn», ishte vendosur udhëheqja e Partisë Demokratike Serbe (SDS) e Radovan Karaxhiqit. Restoranti i hotelit, i cili drejtohej nga një simpatizant i SDS-së, ishte shndërruar në kantinë të njësive paraushtarake serbe, të cilat hapur tregonin armët e tyre. Më 6 prill 1992, datë kjo që merret si fillim i luftës në Bosnjë, mijëra qytetarë të Sarajevës u mblodhën para hotelit për të protestuar kundër nacionalistëve serbë, të cilët katet e epërme të ndërtesës i kishin shndërruar në kazermë. Me atë rast snajperistët kishin hapur zjarr nga kati i gjashtë, duke vrarë gjashtë demonstrues dhe plagosur më shumë se dhjetë. Ndonëse nacionalistët serbë janë përpjekur që tragjedinë ta quajnë inskenim të palës boshnjake, revista NIN e Beogradit kishte shkruar: «Nga kulmi i hotelit Holiday Inn ishte hapur zjarr snajperist dhe ishin vrarë gjashtë demonstrues. Pala serbe nuk do ta pranojë përgjegjësinë për këtë sulm, por është e arsyeshme të mendohet se kjo ishte dita e parë e terrorit snajperist, të cilit ushtria e Karagjiqit e ushtroi kundër Sarajevës deri në përfundim të luftës».

Lufta e fundit në Bosnjë ka përfunduar në vitin 1995, por dhomat e hotelit «Holiday Inn» ende i përngjajnë një relikti të së kaluarës. Në vitin 2003 hoteli është blerë për 22 milionë euro nga firma austriake Alpha Baumenagement, e cila kishte premtuar shndërrimin e «Holiday Inn» në qendër kongresesh. Nga ky plan nuk është realizuar asgjë. Në vitin 2008 u bë e ditur se austriakët ia kanë shitur hotelin ndërmarrjes MPC Holding nga Beogradi. Pronar i MPC Holding është Petar Matiq, biznesmen serb i lindur në Slloveni, i cili në fillim të viteve ‘90 ishte vendosur në Beograd dhe nën regjimin e Slobodan Milosheviqit ishte bërë i pasur duke tregtuar naftë, cigare dhe pije alkoolike. – Kështu nisin dhe mbarojnë historitë ballkanike.