Ujëra të trazuara në luftën kundër gjuetarëve të liqenit të Shkodrës

Një shqiptar dhe një malazez patrullojnë ujërat e liqenit të Shkodrës për të mbrojtur krapin nga gjuetarët e paligjshëm të sezonit të ndaluar, ndërsa përballen me kushte dhe paga modeste.

Liqeni i Shkodrës nga ana shqiptare. Foto: Ivana Dervishi/BIRN



Ata përbëjnë një dyshe të çuditshme të luftimit të krimit, por dy rojtarët që patrullojnë liqenin më të madh në Europën jugore kanë një reputacion prej të pakorruptueshmish.

Motori na çonte përpara në liqen, ndërsa dallgët e çonin varkën tonë drejt errësirës së hapësirës së ujit. Ishte pak pas mesnate.

«Rrjeta peshkimi», psherëtiu roja shqiptar. «Do të jetë e ngatërruar, t’i heqim nga helika».

Ai rrëmoi në barkë, por gjithçka që gjeti ishte një biçak i vogël.

Pas më shumë se një ore përkulur drejt motorit, duke prerë rrjetën nga helikat, ai më në fund na çliroi. Brenda varkës, uji pikonte nga uniforma e tij dhe djersa i kishte mbuluar fytyrën.

«Diçka e tillë ndodh thuajse çdo natë», tha ai, pastaj rindezi motorin për të vazhduar patrullimin tonë drejt një kanali të lumit Moraça.

Nga mesi i marsit deri në mesin e majit, peshkimi është i ndaluar në Liqenin e Shkodrës, një sistem i madh i ujit të ëmbël në kufirin Shqipëri-Mal i Zi. Nuk ke nga ta marrësh vesh bazuar te rrjetat.

Pak më vonë, rojtari tjetër në bord, një rojtar gjuetie malazez, luftoi me erën teksa tërhoqi një rrjetë prej 100 metra të gjatë. Brenda kishte zënë disa peshq krap. Disa peshonin deri në tre kilogramë.

Më kanalin e lumit Moraça, gjetëm një rrjetë edhe më të gjatë me rreth 20 krap të mbetur në të. Të çliruar, luspat e tyre shndritën në dritën e hënës teksa peshqit u hodhën sërish në ujë – një arratisje me fat nga njerëzit shumë lakmitarë për t’i lënë ata të paprekur gjatë sezonit të shumimit.

«Nuk e di nëse duhet të jemi të kënaqur apo të shqetësuar prej kaq pak peshku të zënë në rrjetë», tha rojtari malazez.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ka më pak peshq në liqen se sa më parë – dhe individët po pakësohen çdo vit. Ata fajësojnë peshkatarët.

Të ngarkuar për të patrulluar së bashku gjatë natës nga kompania publike që menaxhon parqet kombëtare të Malit të Zi, dy rojet janë një skuadër e mirë. Ata nuk pranuan të identifikoheshin me emër.

Njëri, nga qyteti kufitar shqiptar Ostrosh në anën juglindore të Liqenit të Shkodrës, është i gjatë, muskuloz dhe fjalëpak. Tjetri nga fshati malazez i Bijelo Poljes, në verilindje të liqenit. Ai është i bëshëm, i fortë dhe i gojës.

Të njohur si të pakorruptueshëm, ata nuk kanë tolerancë ndaj gjuetisë gjatë sezonit të shumimit. Kur vjen te mbrojtja e ujërave, ata kanë rezultatet më të mira se çdo rojtar tjetër.

Të paguar pak për të sfiduar netët e ftohta dhe rrezikun e vazhdueshëm të sulmimit nga gjuetarët e egër, ata rrezikojnë jetën sepse e shohin punën e tyre si thelbësore. Ata thonë se do ta bënin këtë edhe falas nëse do të qe nevoja.

«I gjithë Mali i Zi mund të jetojë nga ky liqen dhe peshqit e tij, por është tragjike se si shohim se çfarë njerëzit – vendasit në radhë të parë – po bëjnë me të», tha malazezi.

Ka shumë sfida në ruajtjen e liqenit, tregojnë ata. Gjuetarët janë të mirëpajisur me ndriçim, shtiza, rrjeta dhe mjete të tjera të paligjshme të peshkimit.

Një problem tjetër janë mjetet e pakta financiare të të punësuarve. Ndonjëherë ata nuk kanë as karburant të mjaftueshëm për varkat e tyre.

Por ata qëndrojnë të përkushtuar. Nga dashuria për liqenin, ata shkojnë përtej detyrës për ta mbrojtur atë. Ata shpjegojnë se sa e vështirë është të mbështesin familjet e tyre në një rrogë rojtari – por gjithsesi përpiqen t’ia dalin. Ashtu si shumica e malazezëve dhe shqiptarëve, ata nuk e kuptojnë se si ia dalin, thjesht e bëjnë.

Rojtari malazez tha se ai nxitet nga dëshira për ta lënë liqenin e Shkodrës në një gjendje mjaftueshëm të mirë në mënyrë që fëmijët e tij të mund të shijojnë bukurinë e saj e «jo të dëshpërohen nga rrënimi».

«Kur isha fëmijë dhe liqeni përmbyste fushat tona, fëmijët e tjerë dhe unë luanim me krapin në breg», tha ai. «Ishte plot me krap. Tani është krejt ndryshe».

(https://www.reporter.al/ujera-te-trazuara-ne-luften-kunder-gjuetareve-te-liqenit-te-shkodres/)