Uglari anashkaluar nga pushteti lokal i Gjilanit

Banorët e fshatit Uglar të Komunës së Gjilanit janë ankuar për anashkalim nga pushteti lokal.




Sipas tyre, gjendja e rrugës që i lidh me fshatin Malishevë është e rëndë dhe ata detyrohen që t’i mbushin vetë gropat, të cilat janë hapur si pasojë e mosmirëmbajtjes nga ana e autoriteteve komunale, shkruan sot «Koha Ditore».

Gjithashtu akuzojnë Komunën se asnjëherë nuk ka marrë ndonjë iniciativë për rregullimin e shtratit të lumit Morava dhe pastrimit të tij nga mbeturinat. Fshati ka rreth 2 mijë banorë dhe është duke gjetur forma të vetëfinancimit për projekte të ndryshme.

Ramiz Isufi është njëri prej banorëve, i cili deklaron se me vetëfinancimin e tyre në të kaluarën kanë ndërtuar ura , kanë bërë asfaltimin e rrugëve të fshatit dhe kanë ndërtuar shkollën e fshatit. Ai akuzon qeverisjen komunale se është duke i trajtuar ata si qytetarë të dorës së tyre sa i përket ofrimit të shërbimeve publike dhe se asnjë zyrtar komunal deri më tani nuk i ka vizituar. «Vetëm në kohën e zgjedhjeve kanë ardhur dhe na kanë kërkuar votat. Ndërsa tash e 2 vjet askush prej zyrtarëve komunalë nuk na kanë ftuar madje nuk kanë bërë asnjë dëgjim publik me banorët sa u përket investimeve të mundshme në fshat.

Kemi probleme me rrugën, ku është dëmtuar, sepse nuk mirëmbahet. Kudo ka gropa të çelura dhe se banorët janë ata të cilët i mbushin. Sepse po shohim se komuna është duke na trajtuar si qytetar të rendit të dytë. Kemi problem edhe me lumin Morava ku është një sasi e madhe e mbeturinave dhe askush nga Komuna nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë për rregullimin e shtratit dhe pastrimin e tij. Ky është një turp për vetë Komunën, e cila nuk është duke i trajtuar banorët njësoj», ka thënë ai.

Sipas tij, Komuna ka treguar gatishmëri vetëm në një rast, kur ka marrë kupëzat e përdoruara nga një shkollë e Gjilanit dhe ia ka ofruar shkollës së fshatit, gjë të cilën e kanë refuzuar.

Edhe banorët Sadri Halimi dhe Fatmir Xhemaili vlerësojnë se në fshatin e tyre nuk ka pasur asnjë investim. Ata deklarojnë se si taksapagues të rregullt nuk gëzojnë asnjë beneficion nga komuna qoftë edhe për shërbimet publike, të cilat do të duhej të siguronin. Problem tjetër, sipas tyre, është edhe mosvendosja mirë e prioriteteve për investimet lokale të qeverisjes komunale.