UEFA ka angazhuar avokatin e kurorës së Mbretëreshës britanike për ta mbrojtur Kosovën nga Serbia

Serbia ka dorëzuar padi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës kundër pranimit të Kosovës në UEFA. Federata Europiane e Futbollit ka përgatitur një dokument prej 246 pikash për të kundërshtuar Beogradin. Të hënën hapet procesi.

Sir Daniel Bethlehem, avokat i kurorës së Mbretëreshës britanike dhe ish-këshilltar kryesor juridik i ministrisë së Jashtme britanike.

Beteja juridike e Serbisë kundër Kosovës vazhdon. Pas pengimit të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, Beogradi më 3 maj të këtij viti, megjithatë, pësoi një humbje: nuk arriti të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në UEFA, në Federatën Europiane të Futbollit. Pak ditë më vonë Kosova u pranua edhe në FIFA, në Federatën Botërore të Futbollit. Pala serbe protestoi dhe angazhoi zyrën e avokaturës Lansky, Ganzger & Partner me seli në Vjenë për ta përfaqësuar Federatën Serbe të Futbollit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne të Zvicrës. Avokati Gabriel Lansky i ka deklaruar në fillim të këtij muaji gazetës gjermane «Frankfuer Allgemeine Zeitung» se rasti është i qartë: statutet e UEFA-s dhe Karta e OKB-së nuk lejojnë pranimin e Kosovës. Të hënën në Lausanne do të hapet procesi. Përjashtimi ose bllokimi i anëtarësimit të Kosovës do të ishte një goditje e rëndë për shtetin e ri. Rrethanat juridike në të cilat është pranuar Kosova në UEFA janë të ndërlikuara.

Neni 5 i Statutit të UEFA-s thotë se si anëtar mund të pranohet çdo Federatë Futbolli e një vendi europian, i cili «është shtet i pavarur dhe i pranuar nga Kombet e Bashkuara». Siç dihet Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe gjasat që të jetë në të ardhmen e afërt janë të vogla për shkak se dy shtete me fuqi të vetos – Rusia dhe Kina – nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Në Kongresin e UEFA-s në Budapest përkrahësit e Kosovës propozuan ndërrimin e Statutit: neni i ri do të përcaktonte se anëtar i ri i UEFA-s mund të bëhet një shtet që është i pranuar nga «shumica e bashkësisë së shteteve në Europë». Për fatin e keq të Kosovës ky propozim nuk fitoi dy të tretat e votave të Federatave anëtare të UEFA-s. Megjithëkëtë, në Kongres u votua për pranimin e Kosovës – dhe 28 Federata mbështetën Kosovën, 24 ishin kundër, dy abstenuan. Ndërkohë Kosova si vendi i ’55 anëtar i UEFA-s ka luajtur ndeshjet e para në raundin e  kualifikimeve për Kampionatin e Futbollit në Rusi më 2018.

Pas padisë së Serbisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne UEFA ka ndërmarrë disa masa për të mbrojtur mënyrën e pranimit të Kosovës. Siç shkruan gazeta «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» (FAS) në numrin e nesërm (të së dielës), në të cilin ka pasur qasje dialogplus.ch, UEFA ka angazhuar disa avokatë të njohur për të përballur me Serbinë në rastin e Kosovës. Federata Europiane e Futbollit ka angazhuar Sir Daniel Bethlehem, avokatin e kurorës së Mbretëreshës britanike dhe ish-këshilltarin kryesor juridik të ministrisë së Jashtme britanike. FAS shkruan se Bethlehem është bartës i aq shumë titujve, diplomave, urdhrave dhe shpërblimeve, saqë «dikujt mund t’i dridhen veshët». Juristët e UEFA-s, të pajisur me argumentet e avokatit Bethlehem, do të ballafaqohen në Lausanne me zyrën e avokaturës Lansky, Ganzger & Partner nga Vjena, e cila përfaqëson Serbinë. UEFA ka përgatitur një dokument me 246 pika në mbrojtje të Kosovës. Ky dokument i prezantuar më 4 gusht si përgjigje e UEFA-s ndaj padisë serbe është nënshkruar nga Emilio Garcia, drejtor i UEFA-s për çështje të disiplinës dhe integritetit, dhe nga Jan Kleiner, një avokat i specializuar në të drejtën ndërkombëtare sportive të zyrës së avokaturës Bär & Karrer në Zürich.

«Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» ka arritur ta sigurojë këtë dokument 50-faqësh dhe thekson se në disa pjesë ai është një kryevepër e «rabulistikës oksidentale». (Fjala rabulistikë rrjedh nga folja latine «rabere» prej nga buron fjala «rabula» që domethënë avokat që me zë të lartë mbron qëndrimet e tij). UEFA thekson se pranimi i Kosovës është bërë duke respektuar plotësisht statutet dhe dispozitat e Federatës Europiane dhe apelon që të mos lëshohet pe përballë dëshirave politike të qeverisë së Serbisë për t’ia ndaluar Federatës së Kosovës anëtarësimin në UEFA. Sipas UEFA nënvizon se neni 5 i Statutit të UEFA thotë se vetëm një shtet i «pranuar» nga Kombet e Bashkuara mund të anëtarësohet në UEFA. Por – dhe ky duket se është argumenti më goditës i ekipit të juristëve të prirë nga Sir Daniel Bethlehem – askund nuk shkruan se ky shtet duhet të jetë «anëtar i Kombeve të Bashkuara», pastaj, fundja, çka domethënë «pranim»? Një shtet pranohet nga shtetet tjera dhe jo nga OKB, rrjedhimisht një shtet që dëshiron të anëtarësohet në UEFA e ka të pamundshme të dëshmojë se është pranuar nga OKB, ngase, siç përsërisin juristët disa herë, Kombet e Bashkuara s’pranojnë shtete.  Megjithëkëtë, UEFA e pranon se Statutet nuk janë tamam të qarta, andaj duhet interpretuar. Kësisoj neni 5 duhet të interpretohet në këtë mënyrë: një Federatë e Futbollit mund të pranohet nga UEFA nëse shteti prej nga vjen Federata pranohet nga shumica e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara. Kosova është një rast i tillë. Mbetet të shihet nëse argumentet e juristëve të UEFA-s do t’i bindin gjykatësit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lausanne.