Udhëzime për t’u bërë spiun

Dhjetë këshilla si mund të bëhesh spiun nëse je gazetar.

Ilustrimi: Shutterstock



  1. Nëse jeni njeri që besoni se vetëm e vërteta e shpie përpara një vend dhe një shoqëri, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  2. Nëse zemëroheni kur zbuloni se një politikan (ministër, deputet, president, kryeministër) keqpërdorë postin e tij për t’i shkaktuar dëm vendit, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  3. Nëse me shkrimet tuaja demaskoni parti apo politikanë të përzier në afera korruptive, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  4. Nëse shqetësoheni për të ardhmen e vendit dhe kërkoni që në pushtet të jenë njerëz që shqetësohen si ju për të ardhmen e vendit, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  5. Nëse nuk keni pranuar të bëheni pjesë e rrjetit të prostitucionit publicistik, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  6. Nëse nuk frikësoheni të shkruani kundër figurave politike që në të kaluarën kanë përdorur armën për të shuar zërat kritikë, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  7. Nëse nuk pranoni të hani në sahanët e pushtetmbajtësve të korruptuar, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  8. Nëse i injoroni militantët dhe psikopatët partiakë, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  9. Nëse gjithçka çfarë keni në duar është e vërteta, atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.
  10. Nëse vetëm ekzistenca juaj i pengon njerëzit e pushtetit dhe me çdo mjet përpiqen të të zhdukin, ashtu siç përpiqej regjimi i Slobodan Millosheviqit duke atakuar gazetarët me termin «Strani plaćenik», atëherë jeni kandidat serioz për të qenë spiun.