Udhërrëfim për religjionin dhe kulturën e një qyteti shqiptar

Kronika e një prishtinasi tipik.

Foto: Shutterstock

(Pjesa e parë)

Kam qenë me fat që në familjen time nuk ka pasë as edhe presionin më të vogël sa i përket religjionit apo religjioneve. E njëjta ka qenë për të gjithë njerëzit rreth meje po ashtu. Në fakt s’kam njohur kënd ndryshe deri vonë. Thjesht puna e fesë ishte diçka që nuk diskutohej fare në asnjë mënyrë shtytëse dhe besimtarët respektoheshin me një lehtësi që po ashtu ishte e padiskutuar. Ishte një lloj qëndrimi asnjanës dhe kjo i lejonte të gjithë të jetonin një jetë «normale» brenda atij normaliteti që ka ekzistuar.

Nga aspekti kulturor ishte një thënie e pa cekur. Secili le të besojë për vete dhe të gjitha fetë respektohen. E vetmja gjë që shikohej ishte të jesh njeri i mirë. Në anën e tjetër ishte po i njëjti qëndrim. Asnjërit nga fetarët nuk ju lejohej të ndërhynin përmes besimeve të tyre në kulturën tonë, njëlloj sikurse nuk i pengonte kush të luteshin si donin vet, sepse ishte çështje e tyre private.

Kjo frymë kulturore e shqiptarëve në Prishtinë, aty ku jam lindur e rritur, është njëherit edhe fundamenti i demokracisë. S’kanë pasë nevojë të shkojnë në konferenca as edhe me qenë me diploma, të gjithë e kishin këtë natyrshëm dhe kjo quhet kulturë popullore. Këtu kishte aq pak përjashtime, saqë assesi nuk e cenonin këtë bazë të kulturës.

Në vitet e ‘90 u vërejt një lëvizje drejt një radikalizmi të islamit, konkretisht në Mitrovicë u paraqiten vehabistët e parë. Kjo filloi me përjashtimin nga puna të punëtorëve shqiptarë nga ana e pushtetit të Serbisë. Që nga 1999 këtij grupi i erdhën fonde marramendëse dhe bashkë me pagesat me dollarë, filluan të marrin hov pantallonat e shkurtuara, mjekrat dhe shamia tek femrat.

Ishim atëkohë një grup te rinjsh urban nga Prishtina në kërkim të përgjigjeve të mëdha. Fuqia e shpirtit të rinisë është në proporcion të zhdrejtë me kapacitetin e saj që të përgjigjet në ato pyetje jetësore si pse jemi këtu, cili është roli i njerëzimit në kozmos, çfarë është kërkimi i jetës pa vuajtje, etj. Sorollateshim rrugëve të shoqëruar me libra, lexuam shumë nga kokat e mëdha të njerëzimit që qenë pararendës, zhvilluan dhe i dhanë formë vetëdijes njerëzore. Kënduam antikën deri në Mesopotami e Indi, mësuam mitologjinë, të gjitha i «kuptuam», por përgjigje në pyetjet e mëdha nuk morëm dot. Shkenca dhe filozofia dështuan të na kënaqin mendjet tona të etura të rinisë adoleshente.

Disi, si pa e vërejtur fare filluam të bisedonim për religjione, ishim kureshtar të dinim a mos i gjenim përgjigjet tek religjionet.

Një ditë të mirë të Prishtinës, shkova në xhaminë e afërt tek shtëpia ime. Të tjerët veç e kishin këtë përvojë.   Nuk ishte as era e këpucëve të vjetra e papastërtia së bashku me çorapet, nuk ishte as ajo fotografi që dukej e shëmtuar me burrat duke «larë» këmbët e veshët e sytë në një qoshe që linte shumë për të dëshiruar edhe nga aspekti i higjienës e për të cilën ata burra e pleq ishin aty, bile as muhabetet gjysmë arabe që s’i kuptoja dot, s’më ndaluan të hyje brenda. Hyra, dëgjova e s’mora vesh gjë – jo pse më mungonte të kuptuarit, por për shkak se shumica ishte në gjuhën arabe dhe ato pak gjëra shqip që thuheshin ishin plotësisht jashtë kontekstit të shekullit ‘20 e lëre më dekadën e fundit te tij. Dola jashtë për të mos u kthyer kurrë më në xhami.

Ishte po ashtu një ditë tjetër e mirë e Prishtinës kur shkuam në kishën katolike, prifti na priti me mirësjellje dhe na ofroi çaj. Ishim ulur në një tavolinë në mes të dhomës ndërsa muri ishte përplot me libra, përfshirë këtu shumë nga librat e rilindjes kombëtare. Atmosfera ishte më shumë si në shtëpi në krahasim me xhaminë, megjithatë as prifti nuk na ofroi diçka të qëndrueshme që të na plotësonte tërë atë kureshtje dhe guxim rinor.

Nuk mbet gjë, duhet t’i lexoja të dyja, Biblën dhe Kuranin. Shkurt, Bibla është rrëfim i njëjte i treguar nga 4 persona te ndryshëm, ndërsa Kurani ishte më shumë «filozofik». Këtu marr guxim thjesht t’i përshkruaj. Të dyja janë, në fakt, kode morale qe mëtojnë ta rregullojnë jetën sociale të popullit përkatës. Ne kemi Kanunin që ka qenë rregullues i marrëdhënieve njerëzore ashtu siç e kanë edhe popujt tjerë të vjetër, armenët, gjeorgjianët.

Rrëfimi i fillimit të botës, krijimi i Adamit/Ademit, pastaj Evës/Havës, përzgjedhja e mollës, që ishte në mes të Edenit dhe ishte e ndaluar për ta ngrënë. Rrëfimi i vërshimeve, dënimet e ndryshme nga zoti që fillojnë me kullën e Babilonisë, me Sodomën dhe Gomorën, kërkimi nga zoti që Abrahami/Ibrahimi ta sakrifikon (ta bëjë kurban) djalin për ta dëshmuar devotshmërinë ndaj zotit, të cilin s’e lejojë ta bëjë flijim, kur zoti e kuptoi se ishte i devotshëm me gatishmërinë e tij ta flijonte djalin.

Këto rrëfime vazhdojnë më tutje, por për udhëzuesin tonë s’ka nevojë të shkoj më larg, përndryshe ju ftoj t’i lexoni këto dhe të tjerat me radhë. Pse jo, këto libra na përcjellin tashmë qe dy mijë e ca vite dhe pasi që kanë mbijetuar kaq gjatë e meritojnë vullnetin tonë që t’i lexojmë.

Ndodhi e kundërta e dëshirës time për te marrë përgjigje.  Përfundova me më shumë pyetje për gjithçka! Sipas Biblës/Kuranit njerëzimi qenka i vjetër disa mijëra vite.  Po si është e mundur kur kemi dëshmi arkeologjike gjithandej qe njerëzimi është shume më i vjetër? Po rrëfimi i kullës se Babilonisë, ku sipas librave fetarë (janë 4 gjithsej: Teurati, Ziburi, Ungjilli dhe Kurani) njerëzit e kanë ndërtuar për ta arritur lartësinë e zotit në qiell, dhe se zoti i ka dënuar ata duke ua shkatërruar kullën dhe gjithçka çka kishin ndërtuar dhe si dënim e shpartalloi njerëzimin në katër anët e botës dhe i bëri të mos e kuptonin njëri-tjetrin sikurse më përpara që njerëzimi kishte folur dhe kuptuar të njëjtën gjuhë.

Po rrëfimi i vërshimit dhe arka e Nojës/Nurit. Si është e mundur që i njëjti rrëfim të përshkruhet në Epin e Gilgameshit i cili është rreth 2500 p.e.r., rreth 2500 vite para Ungjillit dhe 3100 vite para Kuranit? Në këtë libër të gjetur si pllakë balte e pjekur në Mesopotaminë e sotme flitet për mbretin i cili kërkon bimën e pavdekshmërisë dhe gjate aventurës së tij shkon tek katra-katra-gjyshi i tij i cili ishte Noja/Nuri dhe e përshkruan vërshimin e madh identik sikurse në Ungjill/Kuran, por ai flet për luftën e zotëve në qiell në vend të një zoti suprem. Edhe në Bibël, edhe në Kuran ka raste kur zoti përshkruhet në shumës, por ato pjesë interpretohen me arsyetime të ndryshme.

Po rrëfimi i Mojsiut/Musasë që e kanë hedhur në lumë dhe e kanë gjetur, adoptuar e rritur në pallatin e faraonit në Egjipt. Si është e mundur që i njëjti rrëfim që daton rreth 1000 vjet p.e.r. të jetë identik me jetën e Mojsiut/Musës? Ky është rrëfimi i një princi hetit rrumbullak 1000 vjet më i vjetër se sa tregimi nga Bibla/Kurani. Kush kënd e ka kopjuar këtu? Qartë shihet që janë rrëfime identike, por këto rrëfime, t’i quajmë të pavarura, nuk flasin ndonjë gjë tepër hyjnore apo intervenim tjetër përveç se rrëfimi i vërshimit tek Epi i Gilgameshit që të jep përshtypjen e luftërave të jashtëtokësorëve. Psikologjia e racës njerëzore mbi të panjohurën është interesante, për shembull një ishull në Paqësorin jugor gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte i okupuar nga ushtria amerikane. Ishulli ishte evakuuar nga amerikanët menjëherë pas përfundimit të luftës dhe askush nuk ishte kthyer aty deri në vitet ’70, kur ishin gjetur vendasit me kultin e besimit i cili ishte një figurë aeroplani dhe e adhuronin atë figurë, duke u lutur për koka-kolat, çokolatat dhe të mirat tjera nga zoti aeroplan. Kurani në pjesën ku përshkruhet si ka udhëtuar Gebraili për ta takuar Muhamedin në udhëtimin deri në parajsë dhe mbrapa, ka të dhëna që mund të kalkulohen dhe të nxirret shpejtësia me të cilën ka udhëtuar, e që del rreth 280 mijë kilometra në sekondë që është afër me shpejtësinë e dritës. A kanë udhëtuar me aeroplan?

Po rrëfimi i Jezusit/Isasë që ka lindur nga e ëma e virgjër, ka bërë mrekulli, e kanë kryqëzuar dhe pas tre ditësh është ringjallur? Ky rrëfim është identik me Mitra, biri i diellit, i lindur nga virgjëresha më 25 dhjetor, ka bërë mrekulli, ka pasë 12 apostuj, e kanë gozhduar dhe pas tre dite është ringjallë. Shumë ngjashëm i keni rrëfimet për Dionisin e mitologjisë, Horosin e Egjiptit, Krishna.   Çfarë u bë kështu, çka është kjo?

Diçka këtu nuk përputhet sa i përket shenjtërisë së rrëfimeve. Tashti u shtua edhe një pyetje. Çka ka përtej këtyre rrëfimeve, sepse duket që ka një sistem shumë te lashtë të tentativës së krijimit të një strukture me rregulla të caktuara mbi jetesën njerëzore. Po vlerat bazë njerëzore që shumë çmohen nga këto dy libra, Bibla dhe Kurani? Ato do të jenë me vlerë gjithmonë dhe asnjë kohë si ndërron; mos gënje, mos vidh, mos vrit, mos dhuno, duaje veten, duaje njeriun, ndihmoje tjetrin në nevojë, ndajë me të tjerët, jo dhunë, dashuri.

Shtëpia e Popullit të Zotit, siç quhesh kisha e Jehovait, ishte ajo që na pranoi te shkonim si vizitor dhe po ashtu të organizonim debate të lira. Erdhën aty djem te rinj që studionin asokohe në Kajro, të krishterë e myslimanë, të gjithë ishim në atë shtëpi dhe debatonim edhe për çështje më të thella shpirtërore. Nuk hezitonim të bënim shumë pyetje dhe të dyshonim. Të gjithë ishin korrekt me njëri-tjetrin dhe të gjithë paraqisnin argumentet pa asnjë ngatërresë. Ishte e vetëkuptueshme se ishim aty për të mësuar dhe debati i lirë e mundësonte këtë për të gjithë ne. Ata që argumentonin për ekzistencën e hyjnores, përfitonin eksperiencë në argumentime kundër atyre më shumë të ngulitur në shkencë dhe filozofi dhe anasjelltas.  Diku në vitin 1992 përfundoi eksperimenti me kishat e xhamitë, por kërkimi personal jo. Duke qenë kureshtar mëson se më shumë s’di se sa që di, dhe se në fund e mëson mësimin final. Fillon të ndjehesh komod me faktin që ka shumë më tepër gjëra që s’i di se sa ato që i di dhe se nuk mjafton një apo edhe dy jetë për t’i mësuar gjërat që dëshiron.

Artistët kanë gjithmonë një relacion pak më ndryshe me idenë e krijuesit dhe të krijuarit. Sigurisht, artistët krijojnë botën e tyre fiktive që përjetohet hera herës sikur një botë paralele. Motivi im ishte të përfitoja më shumë ide rreth hyjnores, isha i bindur që do më ndihmojë ta gjeja rrugën time personale në krijimtarinë artistike.

Religjioni i cili ka shitur rrëfimin kinse ka sjellë etikën e moralin njerëzor dhe ka sjellë rregull në jetën e njeriut nga kaosi i paorganizuar – ky është mashtrim.

Vlerat dhe etika njerëzore kanë ekzistuar para monoteizmit dhe kjo e dyta nuk i solli ato tek njerëzimi «i egër», por gjeti vetëdije të mjaftueshme njerëzore që t’i përkrahnin këto ide dhe kështu për një kohë ka funksionuar. Të gjitha shpjegoheshin përmes hyjnores dhe se gjithçka është nga vullneti hyjnor. Religjionet, të gjitha pa përjashtim, kanë rrjedhë nga njohuritë njerëzore paraprake të organizuara në sistem të ri funksional. Mësimet e lashta shpirtërore të cilat kanë folur për zotë dhe po t’i lexoni do shihni që më shumë i ngjajnë një rrëfimi ku jashtëtokësoret e avancuar kanë zbritur në tokë. Kishat, xhamitë, sinagogat në fakt janë e njëjta fe, pretendojnë se janë ndërmjetësuese shpirtërore mes njerizimit dhe hyjnores dhe se janë të zgjedhurit që do ta drejtojnë jetën e njerizimit. Zoti i paska caktuar si të tillë dhe ne jemi të detyruar t’i pranojmë si te tillë. Ja edhe një mashtrim super i madh.

(Pjesa e dytë e tekstit botohet në ditët në vijim)

[Shkëlzen Dhomi, i lindur në Prishtinë, në vitet ‘90 ka studiuar pikturën në Akademinë e Arteve. Në vitet ‘2010 ka studiuar juridikun. Jeton në Kanada. Dikur samuraj i asfaltit të Prishtinës. Kërkues dhe dashamir i dijes].