Udhëheqësi i ndershëm

Historiani amerikan William Taubman ka shkruar një biografi monumentale të Mihail Gorbaçovit. Ai e përshkruan ish-sekretarin e përgjithshëm dhe presidentin e shtetit sovjetik si vizionar demokratik.

Mihail Gorbaçov.



Si ishte dikur, si do të mund të ishte, si nuk është më fare: fotografitë e kryeministrave të disponuar mirë, madje të buzëqeshur në takimet mes Lindjes e Perëndimit në vitet ’80 mund të të bëjnë elegjiak: Mihail Gorbaçovi me socialistin francez François Mitterrand, me udhëheqësit kapitalistë, por reflektues Helmut Kohl ose Margaret Thatcher, me konservatorin e rëndë Ronald Reagan, i cili u bë mik i tij – reformatori sovjetik ndihej më mirë me partnerët e tij perëndimorë se me krerët partiakë të Europës Lindore si Erich Honecker apo Nicolae Ceaușescu.

Qe më shumë se një çerekshekull është në pension politikani, i cili me «Glasnostin» dhe «Perestrojkën» reformoi vendin, i bëri të mundshme çarmatosjen dhe përfundimin e Luftës së Ftohtë. Tashmë ai është 87-vjeçar. Si qe e mundshme që një njeri novator si ai të bëhet shef partie në sistemin e ngurtë sovjetik, çka i jepte atij besimin, që shtetin unik dhe rendin botëror ta ndryshojë paqësisht me «mjete evolucionare», siç thoshte ai? Autobiografitë që Gorbaçov i shkroi sa ishte në pushtet dhe shënimet e njerëzve të besueshëm të tij i linin ende të hapura pyetjet mbi këtë njeri, të cilin disa e shohin si hero, ndërsa të tjerët si tradhtar. «Është vështirë ta kuptosh Gorbaçovin», e pranoi ai, i cili për veten e tij fliste në veten e tretë, duke qeshur në bisedë me historianin amerikan William Taubman.

Tani kur sërish ka filluar një kohë e acarit, Taubman ka shkruar një biografi të re, gjithëpërfshirëse të burrështetasit: «Gorbaçovi – Njeriu dhe koha e tij» është një vepër monumentale, në të cilën laureati i çmimit Pulitzer ka punuar dhjetë vjet. Bisedat personale me Gorbaçovin, me njerëzit e besueshëm të tij dhe me kundërshtarët e tij, me politikanë të huaj dhe bashkëkohanikë, ditarët dhe dokumentet e materialet nga arkivat ndërkombëtare politologu nga Amherst College në Massachusetts i ka përmbledhur në një lektyrë mbresëlënëse.

Eksperti i historisë sovjetike, i cili më 2004 u shpërbyle për biografinë e tij të Hrushçovit, e analizon Gorbaçovin si «personalitet të fuqishëm e shumështresor», me vetëbesim të jashtëzakonshëm, «me intuitë demokratike». Ai është një «orator ekscesiv», nuk është strateg mjeshtëror, por taktikues brilant, i cili përbuzte dhunën: në fund të fundit «për një lider një njeri çuditërisht i ndershëm».

Zor të besohet, por Taubman ia del ta mbajë afër lexuesin brenda 811 faqeve (edhe 100 të tjera i merr aparati akribik nga «lista e akterëve», fjalorthi shpjegues deri te regjistri i personave) – sepse historiani i jep përshtypjen lexuesit se është pjesë e viteve dramatike të erës së Gorbaçovit mes 1985-1991: qoftë në brendi të aparatit sovjetik të pushtetit, ku pak persona të gatshëm për reforma luftonin me përfaqësuesit e vijës së fortë, ose edhe në qarqet e pushtetarëve perëndimorë, të cilët pas dyshimeve në fillim i përgatitën Gorbaçovit një triumf, por pastaj refuzuan t’i jepnin përkrahjen ekzistenciale ekonomike.

Kaosi i rrëfyer me cilësi teatri i Kongresit të parë të deputetëve popullorë më 1989, risia e zgjedhjeve kryesisht të lira, kur Gorbaçovi deri në rraskapitje i drejtonte debatet e pafundme të rishtarëve parlamentarë dhe me të cilët diskutonte pas mbledhjeve, hyn në mesin e kapitujve më interesantë, po aq sa ballafaqimi me Boris Jelcinin, popullistin autoritar (Kapitulli: «Dy gaforre në një shishe»). Fakti që Gorbaçov me Jelcinin u soll tepër shkujdesshëm dhe në fund e ndëshkoi, e bëri kritikun fillimisht të mërzitshëm në armik të regjur të tij – edhe kjo një sjellje e Gorbaçovit, e cila është vështirë të kuptohet, shkruan Taubman.

Historiani nuk ngurron t’i bëjë një interpretim psikologjik akterit kryesor dhe lojtarëve të tij, por i lë vend edhe martesës për liderët sovjetikë të jashtëzakonshme me Raisa Gorbaçova, e cila gjatë gjithë jetës ishte një partneritet i lumtur dhe i barabartë. Në vendin e saj akademikja elegante shikohej me sy kritik – prania e saj e përhershme pranë shefit të partisë ishte e pazakonshme.

Në Perëndim, ku ajo e shoqëronte Gorbaçovin në paraqitjet e tij triumfale, zonja e parë ruse admirohej. Ndërsa Gorbaçovi për shembull më 1987 gjatë darkës zyrtare në ambasadën sovjetike në Washington i gëzohej pranisë së Arthur Millerit, Gore Vidalit, Henry Kissingerit apo edhe të Meryl Streepit, i quante intelektualët «tharm të shoqërisë» dhe konstatonte se «ne s’mund të vazhdojmë më kështu si deri më tani», Raisa entuziazmoi shkrimtaren Joyce Carol Oates, mbi librin e së cilës «Engjëjt e dritës» ato dyja shkëmbyen mendime.

Si qe e mundur që një djalosh fshatar nga Kaukazi verior, i cili si nxënës kishte marrë një çmim për një himn kushtuar Stalinit, me «Perestrojkën» të nxisë «revolucionin e dytë rus» (këtë titull mban një libër i tij nga viti 1987)? Sipas Andrej Graçovit, njërit prej këshilltarëve më të ngushtë të Gorbaçovit, ky reformator ishte një «gabim gjenetik i sistemit». Taubman i sheh arsyet për fuqinë vendimmarrëse dhe optimizmin e Gorbaçovit edhe te fati që Mihaili i lindur më 1931 e përjetoi në kohërat e tmerrshme. Kolektivizimi i detyruar dhe uria, që morën jetën e miliona bujqve, terrori i madh i Stalinit, gjatë së cilit u arrestuan të dy gjyshërit e Gorbaçovit, pushtimi i fshatit të tij nga Wehrmachti (ushtria gjermane) – në të vërtetë Mihaili e kaloi fëmijërinë, siç thoshte, por të gjitha tragjeditë morën kahje të mbarë për familjen: të dy gjyshërit së shpejti u liruan nga kampet. Babai i dashur, për të cilin ishte njoftuar se kishte rënë në luftë, u kthye në shtëpi. Pas luftës i biri i tij, nën presionin e nënës së rreptë, u bë nxënës i shkëlqyeshëm. Mihaili fitoi dekoratën e lartë të Flamurit të Kuq të Punës, për drejtimin e kombajnës, në të cilën i ati dhe i biri ndërroheshin në traktor gjatë 20 orëve dhe kështu arrinin rendimente rekorde.

Mihail Gorbaçovi, i vogël, truplidhur, i pashëm, ishte «intelektualisht i pavarur dhe me vetëbesim deri në arrogancë», kur më 1950 filloi të studiojë drejtësinë në Universitetin Shtetëror në Moskë, shkruan Taubman, edhe atje një punëtor i paepur, një i ashtuquajtur «ambicioznij». Ai ishte tepër i varfër, shpesh pa çorape në këpucë dhe me muaj të tërë me kostumin e njëjtë, «por përgjithësisht unë ndihesha jashtëzakonisht mirë», kështu e përshkruante Gorbaçovi këtë kohë.

Lexuesi e shoqëron atë gjatë ngjitjes në shkallët e karrierës, gjatë dështimit katastrofik të luftës së tij të hershme kundër alkoolizmit në mbarë vendin, gjatë përpjekjeve dërrmuese dhe, në fund të fundit, të pasuksesshme për përparim ekonomik në një vend me vitrina të zbrazëta, në samitet amerikano-sovjetike të viteve 1987/88 bashkë me bisedat në katër sy deri te puçi i vitit 1991 dhe vitet pas largimit nga pushteti.

Për herë të parë pas shtatë dekadave më 1989 u mbajtën zgjedhjet kryesisht të lira, një parlament i vërtetë zëvendësoi Sovjetin e Lartë (Verhovni Sovjet), i cili kishte qenë një organ vetëm për aklamacion. Por, po ai vit, sipas Taubman, «ishte fillimi i fundit të Perestrojkës»: «Për shkak se pikërisht këto inovacione dëmtuan institucionet, të cilat deri atëherë e kishin mbajtur bashkë shoqërinë sovjetike, dhe për shkak se nuk u arrit që ato të zëvendësohen me institucione efektive». Për shkak të besimit të madh në vete dhe në objektivin e tij Gorbaçovi e kishte ngarkuar tepër veten me syimet e tij të larta.

Përse pas fitores kundër puçistëve më 21 gusht 1991 Gorbaçovi nuk vrapoi te Shtëpia e Bardhë e Moskës për të marrë përkrahjen e masës, e cila e priste duke brohoritur? Edhe kjo është një çështje e pasqaruar. Gorbaçovi nuk shfrytëzoi momentin kur ishte më i popullarizuar se kurrë më parë. Sapo kishte aterruar në Moskë me familjen e tij pasi kishte ardhur nga daça në Krime, ai u fut në veturë dhe shkoi në shtëpi. Taubman shkruan se Gorbaçovi u dhuroi njerëzve lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe të besimit, liri këto që ata nuk i kishin njohur kurrë. Vendin e tij ai me dëshirë do ta shihte në «shtëpinë e përbashkët të Europës».

Ndërkohë vetë Gorbaçovi ka pranuar se me gjasë do të kalojnë 100 vjet derisa në konsolidohet demokracia në Rusi. Arsyeja përse ai, në fund të fundit, u dorëzua ka të bëjë «më shumë me materialin e pambaruar», me autoritarizmin tradicional dhe mungesën e sundimit të ligjit, dhe më pak me lëshimet dhe gabimet e Gorbaçovit. «Duke pasur parasysh mentalitetin rus jeta e re ishte dashur të servohej menjëherë në një tabak argjendi», kështu u shpreh vetë Gorbaçovi, «tani dhe këtu, pa reformimin e shoqërisë».

Kundër akuzës së shumë rusëve se ai e kishte shkatërruar BRSS-në, e mbron «lëkura e trashë» e Gorbaçovëve, mendonte njëherë përkthyesi i tij dhe bashkëpunëtori Pawel Palashçenko. Mbase pothuaj asnjë lider tjetër sovjetik nuk do të kishte mundur të shmang shkatërrimin e mëvonshëm, beson Taubman. «Gorbaçovi ishte një vizionar, i cili ndryshoi vendin e tij dhe botën», përfundon historiani: «Të mos arrish tamam qëllimin, nuk domethënë se ke dështuar».
(Ky tekst u botua në gazetën «Süddeutsche Zeitung». Përktheu: E.R.)