U promovua «Shtëpia në rrugë»

Vargut të autorëve shqiptarë në Zvicër, me një libër të promovuar në Prishtinë, iu bashkua edhe publicisti Avdyl Gërvalla – njëri nga vëllezërit Gërvalla.

Fotot: Rexhep RIFATI



Prishtinë, 16 gusht

Për vëllezërit Gërvalla dhe veprimtarinë e tyre atdhetare deri në martirizim janë shkruar libra e publikime. Nga dje, vargut të botimeve iu bashkua edhe një libër nga njëri prej vëllezërve, publicisti dhe veprimtari Avdyl Gërvalla.

Ngjarje, sa reale, aq edhe intime e personale

Libri përshkruan ngjarje dhe zhvillime, sa reale, aq edhe intime e personale, që ndërlidhen jo vetëm me jetën brenda, por edhe jashtë kësaj «Shtëpie në rrugë» të Avdyl Gërvallës. Në promovimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë, pos familjarëve, merrnin pjesë dashamirë të librit dhe veprimtarë të dalluar fushash të ndryshme.

Botuesi dhe shkrimtari Nazmi Rrahmani përkujtoi se autori librin e fillon me ngjarjet e vitit 1921, që i përjeton kjo shtëpi, e cila për shkak të pjesëmarrjes nëpër luftëra çlirimtare përjeton goditje të mëdha, deri në konfiskimin e pasurisë nga regjimi i atëhershëm. Rrahmani përmendi se rëndësia e librit qëndron në atë se në të janë përfshirë dy anët e medaljes – ajo familjare dhe atdhetare – që e bëjnë librin më të veçantë. Në të përshkruhen shumë detaje interesante që nga fëmijëria e vëllezërve Gërvalla: «Këto tregojnë më së miri edhe synimet e këtij libri të Abdylit, nëpërmjet të cilit lexuesi do të mësojë edhe shumë ngjarje të rëndësishme e parëndësishme, vendimtare e jovendimtare, por që do t’i plotësojnë e formojnë, jo vetëm personazhet me të cilat merret, por do ta pasqyrojnë edhe një periudhë të gjatë të jetës e të historisë së një shtëpie gjithnjë në rrugë», përfundoi Nazmi Rrahmani.

Kontribut për rrumbullakimin e biografisë së vëllezërve Gërvalla

Shkrimtari Ibrahim Kadriu shtoi se librin e vlerëson si një roman që përmbledh rrëfime fëmijërore, e që paraqesin edhe një kontribut më shumë për rrumbullakimin e tërësisë së biografisë së vëllezërve Gërvalla. Mendimin e tij për librin në këtë promovim e dha edhe krijuesi Skender Blakaj, i cili nënvizoi se ky libër duhet çmuar për faktin se ai e sjell familjen Gërvalla për së brendshmi, duke shtuar se deri më tash janë shkruar shumë libra e shkrime për Jusuf Gërvallën, për aktivitete e takime, por se ky libër flet për familjen konkretisht, gjë që e bën atë më të veçantë.

Vetë autori Avdyl Gërvalla e pati një kënd të veçantë referimi që e ka cyt për botimin e këtij libri thuajse biografik të familjes së tij. Ai thotë se vëllai Bardhoshi ishte arsyeja e vetme për ta publikuar një pjesë të ditarit të jetës së familjes së tij. Sepse, siç tha ai në këtë promovim, derisa veprimtaria e Isufit ishte e njohur për të gjithë, për Bardhoshin dihej fare pak. Më konkretisht, deklarata e Avdylit: «Arsyeja e librit ka qenë veprimtaria e Bardhoshit. I dëgjoja njerëzit në të gjitha anët që e dinin dhe e njihnin veprimtarinë e Jusufit, kurse veprimtaria e Bardhoshit ishte paksa e panjohur. Bardhoshi e ka filluar në Kosovë shkollën fillore në klasën e dytë, kur e ka ndërmarrë shtegtimin e parë ekonomik për në Slloveni. Duke u nisur nga përshkrimi i tij, unë kurrsesi nuk mund ta anashkaloja nënën, nuk mund ta anashkaloja vëllanë e madh – bacën, Hysenin dhe Jusufin, po ashtu», theksoi autori.

Bardhoshi, sa shqiptar, aq edhe evropian

Edhe e mbesa e Bardhoshit, e bija e Jusufit, Donika, e pati tregimin e saj në këtë promovim. Ajo tha se kishte dëgjuar edhe më herët për disa nga ato që përshkruhen në librin «Shtëpia në rrugë», por ai që ka lënë mbresë të pashlyeshme tek ajo ka qenë xhaxhai, Bardhoshi: «Për mua, si mbesë e tij, Bardhosh Gërvalla është ndër njerëzit më mbresëlënës që kam takuar ndonjëherë në jetën time». Ai për të është një ndër figurat më jotipike shqiptare, ndaj e karakterizoi, sa shqiptar, aq edhe evropian.

Promovimi u përshkua nga disa pika artistike, ndër të cilat edhe me njërën nga këngët e Jusuf Gërvallës, me titull «O bilbil, ta bëra benë», sjellë nga Denik Prizreni dhe Ylber Asllani. Pos autorit, Avdylit, nga radhët e familjes Gërvalla i pranishëm në promovim ishte edhe Ergon Gërvalla, djali i Jusuf Gërvallës, cili e ka përgatitur disenjmin e kopertinës së librit të promovuar.

Foto promovimi 2 (Small)
Pjesëmarrës në promovim
Foto promovimi 3 (Small)
Autori Avdyl Gërvalla me nënshkrim në librin e tij
Foto promovimi 4 (Small)
Donika e Ergon Gërvalla, vajza dhe djali i hero Jusufit, pjesëmarrës në promovim