U promovua Karta e të Drejtave të Fëmijëve në Spital

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me qëllim të zbatimit të Konventës së të Drejtave Ndërkombëtare të Fëmijëve, si dhe duke u bazuar në Kartën Evropiane të të Drejtave të Fëmijëve në Spital, Ministria e Shëndetësisë promovoi sot Kartën e të Drejtave të Fëmijëve në Spital.




Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se kjo kartë ka për qëllim të sigurojë të drejtën për kujdes shëndetësor të fëmijëve, përfshirë qasjen, cilësinë dhe sigurinë në shërbime, të drejtat e tyre gjatë trajtimit spitalor dhe kushtet e tjera të nevojshme në kujdesin spitalor, transmeton Koha.net.

«Krijimi i ambientit sa më të mirë të mundshëm, ambiente mike për fëmijë të cilët kanë nevojë të qëndrojnë në spital, është një nga prioritetet të cilat MSh është duke i mbështetur vazhdimisht viteve të fundit përmes aktiviteteve të vazhdueshme të Grupit Nacional për mbikëqyrjen e shërbimeve shëndetësore pediatrike, aktivitete këto nga të cilat edhe është identifikuar nevoja e hartimit të kësaj karte», tha ministri Rrahmani.

https://i2.wp.com/cms.koha.net/cms/f/u/20160601125855893.jpg?w=696

Sekretari i Përgjithshëm në MSh, Gani Shabani tha se MSh do të ofrojë mbështejen e domosdoshme në promovimin edhe të dokumenteve të tjera, të cilat sigurojnë respektimin e të drejtave të fëmijëve gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore dhe shërbime cilësore për ta.

Shefi i Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Skënder Syla, organizatë kjo që ka mundësuar dizajnimin dhe shtypjen e ekzemplarëve të parë të kësaj karte, tha se kjo kartë është një rikujtues i mirë për profesionistët shëndetësor dhe prindërit për të drejtat e fëmijëve, në mënyrë që ata të kenë trajtim dinjitoz në institucionet e kujdesit shëndetësor, qasje të bashkëpunimit dhe komunikimit të mirë për të siguruar edhe trajtim adekuat.

Kopjet e para të kartës së të Drejtave të Fëmijëve në Spital, të përgatitura në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze do t’u dërgohen spitaleve dhe Klinikës së Pediatrisë në QKUK, për t’u siguruar pastaj ekzemplarë edhe për institucionet e tjera ku ofrohen shërbime shëndetësore spitalore për fëmijë.