U përkujtuan 15 maturantët e Malishevës në 11 vjetorin e vdekjes tragjike

Në «Lëndinën e lotëve» në Malishevë, të mërkurën janë përkujtuar 15 maturantët gjimnazist, të cilët njëmbëdhjetë vite më parë, humbën jetën në një aksident tragjik në FushëArrëz të Shqipërisë, përderisa ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri.




Pikërisht në ora 14:15, kur edhe kishte ndodhur aksidenti, mijëra qytetarë të Komunës së Malishevës, kishin dalë në «Lëndinën e lotëve», ku edhe janë të varrosur 15 maturantët e gjimnazit «Abdyl Frashëri» (tani «Hamdi Berisha»).

Homazhe dhe nderime, sot bënë familjarët e maturantëve, strukturat komunale të Malishevës të prirë nga nënkryetari i komunës, Rexhep Mazreku, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shukrije Bytyçi, mijëra nxënës të shkollave të mesme të Malishevës, përfaqësues të partive politike në Malishevë, ish-maturantë të vitit 2004 dhe qytetarë të shumtë.

«Dhimbja dhe pikëllimi dukej e njëjtë, sikur njëmbëdhjetë vite më parë, kur autobusi me maturantë, ishte aksidentuar në FushëArrëz, e ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva dhe një qytetar nga FushëArrëzi, makina e të cilit ishte përplasur me autobusin», thuhet në njoftimin për media të Komunës së Malishevës.

Në këtë aksident kishin mbetur të lënduar edhe dhjetëra maturantë të tjerë.

Kjo tragjedi është edhe ngjarja më rëndë e ndodhur në Kosovën e pasluftës.

15 maturantët e Malishevës janë të varrosur në «Lëndinën e lotëve» në Malishevë, ndërsa Komuna e Malishevës ka ngritur edhe një lapidar në kujtim të maturantëve. Edhe shteti shqiptar, në vendin e ngjarjes tragjike në FushëArrëz, ka ngritur një përmendore në kujtim të 15 maturantëve.