U ndanë si miq

Një lavdërim për futbollistët shqiptarë nga Zvicra, që luajnë për Shqipërinë dhe Zvicrën.

Foto: Shutterstock

Pas ndeshjes kjo skenë: Arlind Ajeti luan me një fëmijë, i cili në vend të topit para këmbëve ka një gjësend që duket si rrotë. Në të vërtetë është imitim i djathit zviceran. Si shumë futbollistë të Kombëtares së Shqipërisë dhe të Zvicrës edhe Arlind Ajeti është fëmijë i diasporës së madhe shqiptare në Zvicër, Gjermani dhe Austri – një diasporë që dominohet nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Loja e Ajetit me fëmijën, e përjetësuar nga një fotograf i agjencisë Reuters, tregon lehtësinë me të cilën futbollistët shqiptarë menaxhojnë një humbje të pamerituar, të dhimbshme.

Me kostume dhe kravatë, thua se vjen nga një dasmë, Shkelzen Gashi flet me një gazetar të sportit të Neue Zürcher Zeitung. «Diçka më të bukur se këtë ndeshje nuk kam mundur ta marrë me mend. Kjo duhet shijuar», thotë Gashi, i cili ka qenë mbret i golave në ligën e parë zvicerane dhe tani luan në Amerikë. Gashi humbi një shans të madh. Një gazetë e Zvicrës franceze madje gati shpreh keqardhje që ai nuk shënoi, kur kishte kohë «të pi tri kafe» dhe pastaj ta vendosë topin në portë. «Më duhet t’i bëj një kompliment (portierit zviceran) Yann Sommer. Po të kishte qenë një portier tjetër, topi me gjasë do të kishte hyrë brenda portës», thotë Gashi.

Ndeshja mes Zvicrës dhe Shqipërisë ishte një përplasje emocionesh. Kjo vërehej të shtunën në Lens. Bënte vaki që një fans i Kombëtares shqiptare t’i drejtohej një përkrahësi të ekipit të Zvicrës për t’ia bërë të qartë se fitorja do t’u takonte bijve të shqipes. «Jam shqiptar», përgjigjej simpatizanti i ekipit të Zvicrës.

Para ndeshjes ishte shkruar shumë dhe shpeshherë me tone tendencioze kundër lojtarëve shqiptarë që luajnë për Zvicrën. Fusha e futbollit shpesh është edhe arenë e shovinizmit. Në vend të informatave të sakta shpesh qarkullojnë thashetheme, shpifje, ofendime ndaj lojtarëve. Disa nga ata që mbrojnë ngjyrat e Zvicrës kanë thënë se nuk kanë marrë ndonjë ofertë nga Federata Shqiptare e Futbollit, të tjerët me gjasë nuk kanë qenë të gatshëm të bëhen shërbëtorë të Armand Dukës, i cili edhe në Tiranë është figurë e kontestuar, thënë më së buti. Shumica, ndërkaq, kanë vendosur me vetëdije të luajnë për Zvicrën, sepse kanë qenë të bindur se kjo pikësëpari është mirë për karrierën e tyre dhe së dyti është opsioni më i logjikshëm, ngase në këtë vend ndihen si në shtëpinë e tyre. T’i akuzosh këta djem me argumente mesjetare, ku përmenden gjaku dhe gjenet, t’i etiketosh si tradhtarë, është nivel i ulët. Një lojtar i Kombëtares shqiptare kishte shkruar se «është shqiptar 24 karat», andaj luan për Shqipërinë. Do të bënte mirë ky vrapues pas topit të tregonte se ku gjendet peshorja patriotike që i mat karatët e shqiptarisë, në mënyrë që secili shqiptar të shkojë t’i nënshtrohet këtij testi dhe të patentohet.

Që është e mundur të luhet futboll si profesionist, me emocione të shëndosha, pa nxitje të urrejtjes, pa provokime, këtë e dëshmuan vëllezërit Xhaka. Rrjedhimisht edhe reagimet e UEFA-s, të mediumeve, të opinionit janë aq entuziaste. Në katakombe Taulant Xhaka, siç shkruan Neue Zürcher Zeitung, përqafoi Xherdan Shaqirin, ndërsa Mërgim Mavraj tha se shpresonte që të mos i kenë zhgënjyer fansat e shumtë shqiptarë.

Pastaj lojtarët, fansat, por edhe prominenca shqiptare e qofteve dhe suxhukut, që kishte ardhur në Lens, vërshoi baret e qytetit për të festuar edhe më tutje. Sepse e shtuna nuk është fundi, por vetëm fillimi i një udhëtimi të bukur sportiv, i cili s’do ishte i bukur po të mos pësonim ndonjëherë edhe një humbje. Kjo i kthen të gjitha ekipet në terrenin e realitetit. Pranimi i realitetit është hapi i parë drejt përmirësimit.