U mësova të dua




Në duart e mia të ftohta me duart e mia
trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë
largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm
dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë
e pamësuar dora ime e hapi kuvlinë
e dimrit
dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.
Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë
portofoli im rëre gërshetat e tij kallm
duart e mia të ftohta
trupi i tij ujë
dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë
rendi i katërt ishte plot
dyshemeja me lëvore gështenjash
këndet e larta rrjetë merimangash
e dikush tha. Po çirresh kot!
Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën
ai dukej si kuvertë anijeje në Detin Marmara
(nuk di nga m’erdhi ky përfytyrim)
ashtu dukej. Si kanjushë.
I verdhë. I ftohtë e i dashur
mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta
e kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush
në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja
as shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur
të dashur
si fjalët e para si deti i ri si qyteti
në kartëpostale.