U mbajt demostrata në Bernë

Protesta kundër procesit ‹Monstra› u mbajt megjithatë. Numri i pjesëmarrësve qe i vogël, po mesazhi ishte shumë i qartë - me gojë dhe me shkrim, në shqip dhe gjermanisht...




Ata duken nga larg, burra dhe gra që mbajnë lartë parulla dhe flamurin shqiptar. Përbri kalojnë autobusët kuq e zi të qytetit të Bernës. Gjithçka kuq e zi! Dikush ka montuar shtizën me flamurin shqiptar në dorën e një figure të monumentit para Muzeut Historik të Bernës. Kalimtarë kurreshtarë ndalojnë të kuptojnë çfarë po ndodh. Turistë aziatikë fiksojnë një moment para protestuesve!

Demostrata fillon me përpikmëri zvicerane: më 12! Për një orë Sheshi Helvecia është shqiptar. Një orë e viteve të ’80-ta dhe ’90-ta, kur shqiptarët tundnin sheshet e Perëndimit për kauzën e tyre, u vendos në shekullin e ri…

Gjithçka shkon
Gjithçka shkon
Flamuri shqiptar në monumentin e Helvecisë
Flamuri shqiptar në monumentin e Helvecisë
Kujtim nga Evropa
Kujtim nga Evropa

Mesazhi i një demonstrate

Një grup i vogël njerëzish me një shqetësim të madh! Ata shprehin indinjatën e tyre që gjykata maqedonase ka dënuar me burgim të përjetshëm gjashtë shqiptarë lidhur me rastin ‹Monstra›.

I pari iu drejtua protestuesve zëdhënësi i grupit iniciues të demostratës së të shtunës së 19 korrikut në Bernë, Florim Kadriu. Ai konteston në mënyrë të vendosur vendimin e gjykatës maqedonase për gjykimin e saj drakonik dhe dënon ashpër dhunën e policisë së këtij shteti ndaj demonstruesve shqiptarë në protestat që vazhdojnë prej javësh në qytete të Maqedonisë.

Tre janë kërkesat e demonstruesve që artikulon Kadriu: Lirimi urgjent i gjashtë shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm, implementimi i menjëhershëm i Marrëveshjes së Ohrit dhe ndalimi i çdo lloj dhune të forcave speciale maqedonase ndaj popullatës shqitare. «Para demonstruesve shqiptarë në Maqedoni shohim policë të armatosur me kallashnikovë – kjo është skandaloze!», shprehet Florim Kadriu.

«Ne nuk jemi aspak të bindur nga drejtësia maqedonase», thotë ai dhe vazhdon: «Pushteti maqedonas që në fillim i ka denoncuar të akuzuarit si terrorristë, kjo nuk le asnjë shpresë për një gjykim fer dhe të drejtë.»

Një ndër qëllimet e demonstratës është edhe sensibilizimi i opinionit ndërkombëtar për mungesë drejtësie në rastin ‹Monstra›, aq më tepër që Ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, Didier Burkharlter, është edhe udhëheqës i OSZE-së. «Ne kërkojmë një hetim qenësor të komplet procesit nga ndërkombëtarët, të monitoruar nga OSZE-ja si organizatë me kredibilitet dhe neutrale», prononcohet Kadriu. Thelbin e fjalimit të tij Kadriu e lexoi edhe në gjermanisht.

Një demonstratë me manire të demokracisë zvicerane në Sheshin Helvecia. Organizatrët u ofronin mikrofonin t’u drejtohen të pranishmëve edhe persona nga mesi i tyre. Pesë veta – nga Zvicra franceze, ajo gjermane, nga Maqedonia – zonja dhe zotërinj – e morën fjalën në protestë. Apeli i ishte i njëjtë: Të lirohen të burgosurit e rastit ‹Monstra›! Në shprehje erdhi temperamenti edhe zemërimi i protestuesve: «Poshtë Ali Ahmeti!», «Shqipëri etnike!»… Me shkrim: «Lironi djemtë tanë», «Stop skenareve politike», «Stop rasteve të dhunës», «Ktheni mandatet»…

Florim Kadriu u drejtohet protestuesve
Florim Kadriu u drejtohet protestuesve

Pak njerëz, shumë sharm

Ata nuk janë shumë, po vijnë nga gjithandej – trojet shqiptare dhe e gjithë Zvicra. Në një anë dëgjon të folura në gjuhën letrare, në anën tjetër në dialekt. Dy tprotestues bisedojnë me njëri-tjetrin: njëri flet toskërisht, tjetri gegërisht! Njëra me minifund, tjetra me shami. Të gjithë kanë një simbol shqiptar, shumica kuq e zi. I madh e i vogël, burra dhe gra, Kosovë e Dibër. Qoftë ky edhe simboli i kuq i Polo-s në sfondin e zi të një fanelle Ralph Lorain. «Duam bashkim», është njëra ndër parullat më të shpeshta. Demostruesit mbajnë shumë parulla në gjermanisht, anglisht, latinisht. Po mesazhi i tyre është shqiptar, njerëzor.

Tre flamuj në dy duar
Tre flamuj në dy duar
Ngjyra e kuqe shumë i ngjanë
Ngjyra e kuqe shumë i ngjanë
Numri një!
Numri një!
Edhe Kosova ishte aty
Edhe Kosova ishte aty
Barë e rëndë në kurriz
Barë e rëndë në kurriz
Plis Kosove
Me plis Kosove
Edhe plisi i Dibrës...
Edhe plisi i Dibrës…
...latinisht, gjermanisht, anglisht!
…latinisht, gjermanisht, anglisht!

«Organizatore e demonstratës është një shoqëri e quajtur ‹Grupi Protesta Paqësore›, një ekip i përbërë nga shqiptarë të të gjitha viseve», shpjegon Florim Kadriu nga Kërçova. «Ata kanë sfond të ndryshëm shoqëror e profesional», shton ai, duke treguar me dorë nga ndonjëri prej tyre që ndodhet më afër.

Kjo demonstratë, e iniciuar nga një grup mërgimtarësh, duhej të mbahej me datë 12, po autoritetet nuk kishin dhënë leje për këtë ditë. Për me datë 19 korrik ajo ishte lejuar të zhvillohej sipas itinerarit të kërkuar, «përfshi një kalim nga Ambasada e Maqedonisë dhe dorëzimi i një deklarate të demonstratës», përshkruan Kadriu peripecitë e protestës së sapo përfunduar.

Florim Kadriu rrëfen se Ambasada kishte refuzuar pranimin e deklaratës së demonstruesve. Pengu tjetër i organizatorëve kurajozë të demonstratës është pjesëmarrja modeste e mërgimtarëve. Kjo ka të bëjë me kohën shumë të shkurtër të lajmërimit të tyre dhe pushimeve, arsyeton ai. «Po, gjithçka ka shkuar mirë!», përfundon zëdhënësi në shikimin miratues të stafit të tij.

Me respekt
Me respekt