Tyxharë me tepsi duke dëbuar një popull nga vatra e tij

Si shitet Kosova? Duke bërë aleancë me Listën Serbe të ish-dorës së djathtë të Vojislav Sheshelit. Kjo është qeveri pa qytetarë të Kosovës. Ose me qytetarë që në mënyrë fatale po i duartrokasin ardhjes së autobusit që vjen nga Serbia për t’i dërguar në Serbi, prej nga marrin botën në sy.

Foto: Shutterstock



Në vitin 2014 Zllatan Ibrahimoviqi i nervozoi jo vetëm nacionalistët serbë, kur tha: «Kosova është aq serbe sa është nëna ime e virgjër». Në qeverinë e ardhshme të Kosovës, nëse krijimin e saj e lejon Lista Serbe, do të kemi me gjasë edhe një ministër që nga një gazetë kroate është cituar të ketë thënë se «Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka». (Serbia ende është nënë e Kosovës, për fat të keq, nënë e keqe). Kështu në një qeveri do të bëhen bashkë ithtarët e Vojislav Sheshelit, të cilët janë shndërruar në «proeuropianë», miqtë e udbashit Selim Brosha dhe me gjasë edhe vrasësit e tij, «kumanirat», Fatmir Limaj («komandant Çeliku»), doktor Jakup Krasniqi, «sekserët», Ukë Rugova dhe një këngëtar i kafehaneve. Një qeveri tyxharësh të fatit të Kosovës, të cilët pasi dyshohet që e kanë plaçkitur deri në palcë këtë vend bëhen tok me nxënësit e Sheshelit.

A duhet t’i gjykojmë tani njerëzit e Kosovës, të cilët këto ditë nxjerrin bileta autobusi për në Beograd, pastaj fatin e tyre e lënë në duart e trafikantëve serbë të qenieve njerëzore? Më 2009 Kosova ishte tronditur nga tragjedia në lumin Tisa. Në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 pasoi tronditja tjetër: ikja masive nga Kosova e rreth 100 mijë njerëzve të pashpresë, të cilët nuk u besonin përrallave të pushtetit për krijimin e qindra-mijëra vendeve të punës. Që nga atëherë ikja e njerëzve në drejtim të Europës nuk është ndalur, por nuk ka qenë aq në fokus të mediave. Tani, pasi koalicioni i territ u bë bashkë me koalicionin «Boris Jelcin & Selim Brosha», jo pak njerëz po varrosin edhe iluzionet e fundit. Ikin nga Kosova të dëshpëruar, me fjalë që të frikësojnë për të tashmen dhe të ardhmen e këtij vendi.

Ndërsa shqiptarët e Kosovës, shumica të rinj, merren vesh me trafikantët serbë të qenieve njerëzore për çmimin e rrugës deri në kufirin me Hungarinë, në Prishtinë bëhen pazare të tjera. 4 deputetë, 5 ministri dhe një mijë poshtërsi. Por, tyxharët e paskan bërë hesapin pa hanxhiun. Në betejë për ndarje të plaçkës tani është futur Lista e Sheshelit. Kërkon ministrinë e Bujqësisë. Dhe mund t’ia dhënë, sepse e meritojnë: «Na i siguruan numrat». Faleminderit «gospodine Vučiću». Tani mbetet vetëm që Goran Rakiqi («takozvani Raki») të emërohet kryeministër i «Kosovës dhe Metohisë», të cilit do t’i raportojë Ramush Haradinaj, kryeministri i ministrave të AKR-së. Kjo është qeveri pa qytetarë të Kosovës. Ose me qytetarë që në mënyrë fatale po i duartrokasin autobusit që vjen nga Serbia për t’i dërguar në Serbi, prej nga marrin botën në sy.

Më 11 qershor njerëzit votuan për një qeveri tjetër, të pavarur nga nxënësit e Sheshelit. Tash ata votojnë me këmbë. Kjo është sa tragjike, aq edhe absurde, sepse këta njerëz në Europën perëndimore nuk i presin vendet e punës, por vetëm përbuzja e autoriteteve të emigracionit dhe avionët që do t’i kthejnë sërish në Kosovë. Edhe nga kjo tragjedi ka përfitues. Serbia, në radhë të parë politikisht. Pastaj trafikantët e njerëzve në Serbi dhe në Kosovë. Mandej ata që janë të lidhur me trafikantët, kryesisht politikanët dhe kodoshët e tyre.

Ndërsa njerëzit ikin nga Kosova me lot në sy dhe me mllef në zemër, ata që po e krijojnë qeverinë nuk kanë guxim të shkojnë te stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe t’u dalin përpara, sepse kanë frikë se do të kthehen në vilat e tyre së paku të pështyrë në fytyrë për krejt krimet që i kanë bërë në dëm të këtij vendi. Ndërsa në vilat e hajdutëve hapen shishe me shampanjë për koalicionin e ri, të rinjtë e Kosovës përqafojnë të afërmit e tyre para së të nisen në një rrugë që është vetëm qorrsokak. Këso ëndrrash të frikshme për Kosovën zor të ketë parë edhe Sllobodan Millosheviqi. Por, ja që paskësh ende edhe shqiptarë, të ashtuquajtur politikanë, që bashkë me nxënësit e Sheshelit realizojnë ëndrrat e kasapit të popullit të Kosovës.