Tymi që shndërrohet në sëmundje

Nga 365 ditët e vitit 2017, 62 kanë qenë me ajër të ndotur disa herë përtej normave të lejuara. Kjo është informatë zyrtare për komunën e Obiliqit. Por, jo shumë më ndryshe është edhe në vendbanime të tjera. Qytetarët e Kosovës i ekspozohen ajrit të ndotur përtej normave të lejuara sidomos gjatë dimrit. Cilët faktorë ndikojnë që situata të jetë më e keqe këtë vit në krahasim me një vit më herët? Dhe çfarë (nuk) po bëjnë institucionet?

Arta Berisha. Foto: Jeton Sopa.



Djegia e thëngjillit për ngrohje gjatë  stinës së  dimrit konsiderohet si një  nga burimet kryesore të ndotjes së  ajrit në  Kosovë. Por kjo nuk i pengon shitësit ilegalë të shesin thëngjill në sasi të mëdha nëpër rrugët e Prishtinës apo edhe përmes internetit. Dy euro kushton një  thes thëngjill prej 35 kilogramësh. Mund të  blihet në trotuaret e lagjes Kodra e Trimave në  Prishtinë. Shitësi i cili thotë se thëngjillin e nxjerrë nga dheu në një  fshat të komunës së Vushtrrisë, ofron transport falas për blerësit e interesuar për sasi të mëdha.

Termocentralet e KEK-ut Kosova A dhe B mbeten burimet kryesore të  ndotjes së  ajrit. Instituti i Shëndetësisë Publike të  Kosovës disa faktorë të tjerë që ndikojnë në tejkalimin e normave të  lejuara të cilësisë së ajrit në Kosovë. Automjetet e vjetra dhe trafiku i dendur, djegia e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegia e mbeturinave, mungesa e sipërfaqeve të  mjaftueshme gjelbëruese, mospastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë  tërë vitit pa plan të  mirëfilltë urbanistik, prania e pluhurit në  qytet. Të gjithë këta faktorë, sipas  Institutit të Shëndetësisë Publike, e rrisin nivelit e ajrit të ndotur përtej të  lejueshmes.

Specialisti i cilësisë  së ajrit në Institutin Hidrometeorologjik të  Kosovës, Shkumbin Shala, paralajmëron përkeqësim të situatës nëse autoritetet nuk i ashpërsojnë masat parandaluese. Të dhënat zyrtare flasin për tejkalim të normave të lejuara për tre herë më shumë ende pa hyrë zyrtarisht në stinën e dimrit. Vetëm në  Obiliq numri i ditëve me ajër të ndotur vetëm deri në muajin nëntor ka shkuar në 62; krahasuar me vitin 2017 kur 62 ditë shënuan pikën maksimale. «Në  sezonin e dimrit, në të cilin kemi hyrë tash, norma më e lartë është regjistruar më datën 12 nëntor: 134 mikrogramë pluhur i imët (PM 10) për metër kub. Standardi i lejon 50 gramë. Ne, ndërkaq, iu kemi afruar trefishit të së lejueshmes për metër kub», tregon Shala. Nëse vazhdon ky trend do të ketë shumëfishim të ndotjes, paralajmëron ky ekspert.

Instituti i Shëndetësisë Publike ka alarmuar opinionin se gjendja aktuale sa i përket cilësisë së ajrit e dëmton dukshëm shëndetin e qytetarëve. Në një njoftim ky institucion ka bërë me dije se efektet afatshkurtra nga ndotja e ajrit me partikula (copëza, v.j.) rrisin numrin e vdekjeve të parakohshme, të sëmundjeve të frymëmarrjes, sëmundjeve të mushkërive, të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, të formave të ndryshme të kancerit, duke rritur kështu shkallën e mortalitetit në Kosovë.

Mjekia Rukije Mehmeti tregon se është rritur dukshëm numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore apo që kanë nevojë për t’u hospitalizuar në klinikën e mushkërive në Prishtinë. «Në gusht të këtij viti kemi pasur rreth 900 të sëmurë  në  ambulancën tonë, ndërsa në tetor kishim 1236 raste, kur pacientët kanë kërkuar ndihmë. Në këtë grup bëjnë pjesë më shumë njerëz që kanë sëmundje kronike të mushkërive, sepse ndotja ndikon shumë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të këtyre pacientëve», thotë Mehmeti, e cila është drejtore e Klinikës së Mushkërive në Prishtinë. Ajo tha se gjatë dimrit infeksionet virale janë më të shpeshta, andaj ajri i ndotur e keqëson edhe më shumë gjendjen e pacientëve. Përkundër problemeve të mëdha që shkakton ndotja e ajrit, institucionet qendrore dhe ato lokale nuk koordinojnë punët për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Ministri i Ambientit Fatmir Matoshi flet për masat që po ndërmerren kundër ndotjes së ajrit, por njëkohësisht ankohet se ministritë nuk po bashkëpunojnë në nivelin e duhur. «Nuk jemi të kënaqur me zbatimin e udhëzimit administrativ sa i përket kontrollit të emetimit të gazrave në ajër, që duhet ta bëjë ministria e infrastrukturës në pikat e kontrolleve teknike të automjeteve. Ne po ashtu po kërkojmë kontroll të rreptë të cilësisë së derivateve të naftës që hyjnë në Kosovë».

Qeveria e Kosovës e ka dërguar në Kuvend ndryshimin e ligjit të  automjeteve, i cili parasheh lejimin e importimit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet. Propozimi ka kaluar në komisionin e zhvillimit ekonomik – ndonëse është kritikuar nga Bashkimi Europian dhe nga shoqëria civile në Kosovë. Sipas opozitës, importi i veturave të vjetra ndikon në ndotjen e ambientit dhe rritjen e numrit të aksidenteve.

Një raporti i vitit 2015 i Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregon se rreth 70 për qind e banesave përdorin drurin si burim për ngrohje. Sistemet e ngrohjes qendrore ekzistojnë sidomos në Prishtinë dhe Gjakovë. Rreth 18 për qind e banesave ngrohen me rrymë. Në 7,1 për qind të banesave përdoret thëngjilli për ngrohje. Për Bankën Botërore nuk ka asnjë dyshim: «Ngrohja dhe zierja me linjit dhe me dru rezulton me ndotje të madhe, e cila vërehet gjatë dimrit në qytetet e mëdha».

Artikulli është realizuar në kuadër të projektit «Të kuptuarit e Qeverisë: Përmirësimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale përmes të dhënave të hapura», i cili implementohet nga Open Data Kosovo.