Tymi mediatik: Zjarri në Stamboll e tymi në Obiliq

Obiliqi është vetëm 8 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, por raportimi fillestar në mediat online për zjarrin fushor u bë duke u bazuar vetëm në fotot dhe videot e arritura në adresën e medias nga qytetarët. Gazetarët shërbyen lexuesit e tyre me foto që datonin nga një tragjedi e mëhershme në Turqi.

Arta Berisha. Foto: Jeton Sopa.



E diel, 3 nëntor, Obiliq

Tymi mbulon Komunën e Obiliqit si pasojë e djegies së mbeturinave të hekurit dhe gomës në zonën e Metalkosit. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli. Sipas tij zjarrëvënia ka ndodhur larg termocentraleve dhe nuk ka pasur problem ne operimin ditor. Teksti i mësipërm do të duhej të ishte përafërsisht përmbajtja e një lajmi lokal që rastisë të ndodhë të dielën në komunën e Obiliqit; zonën ku ndodhen dy termocentralet që furnizojnë vendin me energji elektrike.

Rezultatet e monitorimit të mediave online, tregojnë se verifikimi i informacionit para se ai të publikohet, është sfida kryesore me të cilën ballafaqohen mediat online në Kosovë. Kopjimi i materialeve të paverifikuara nga një portal në tjetrin është po kështu një praktikë e zakonshme, e cila në të shumtën e rasteve  buron nga interesi i mediave për ta pasur secila në faqën e vetë, lajmin e fundit, pavarëshisht se a është lajmi i konfirmuar dhe i saktë.

Pikërisht nën paralajmërimin «lajmi i fundit» u publikua, edhe lajmi për  »zjarrin e madh në termocentralin Kosova A». Një zjarr që sipas autoriteteve ishte fushor, iu servua opinionit publik si shpërthim në termocentral, apo afër termocentraleve duke shpërndarë amulli e frikë tek lexuesi kosovar. «Zjarr i madh në afërsi të termocentralit Kosova A» ishte titulli i shkrimit në portalin Indeks Online. Teksti vijon se «zjarri i madh dyshohet të ketë shpërthyer në termocentralin «Kosova A».

Burimi i vetëm në këtë tekst janë fotografitë dhe videot e dërguara, siç thuhet, nga një numër i madh i lexuesve në redaksinë e portalit Indeks Online. Raportimi për mediat online është bërë më i lehtë sepse shpesh vijat e para të informacionit vijnë nga dëshmitarë okularë të cilët raportojnë për ngjarjet e fundit ose duke i postuar materialet në rrjete sociale ose duke i dërguar ato në mediat përkatëse. Por në anën tjetër jo gjithmonë informacionet që qarkullojnë në këtë mënyrë janë kredibile pasi ekziston rreziku i lajmeve të pavërteta, propagandës dhe në këtë rast krijimit të pasigurisë tek qytetarët.

Disa mediume të tjera e kopjuan lajmin për ta ripublikuar në kanalet e tyre pa e plotësuar me informata të reja dhe të sakta. Lajmi u përpunua në atë mënyrë që të jetë akoma më tërheqës për opinionin publik në funksion të manipulimit me faktet e munguara.  «Zjarri i madh ka shpërthyer në Termocentralin Kosova A», ishte titulli i lajmit në  portalin Periskopi, për të vijuar me brendësinë e tekstit»: «Duket se ky termocetral është përfshirë nga flakët nga një shpërthim i mundshëm.  «Tym i madh tek termocentrali Kosova A» ishte titulli i gazetës online Metro për të vijuar me po të njëjtën përmbajtje.  Më larg shkon portali Bota Press ku lajmi për zjarrëvënien afër Termocentralit «Kosova A» është shoqëruar me një fotografi të incidentit të para disa vitesh, të helikopterit në Stamboll, ku humbën jetën disa persona.

Raportimi fillestar ne mediat online për zjarrin fushor u bë duke u bazuar vetëm në fotot dhe videot e dërguara në adresën e mediave nga qytetarët, dëshimtarë okularë. Raportimi në këtë mënyrë bën që mediat të kontribuojnë që panikën e banorëve lokalë të shpërndajnë anëmbanë Kosovës dhe jashtë saj; në disa media online të rajonit, duke përfshirë Maqedoninë dhe Shqipërinë. Duke qenë se lajmi për zjarrin fushor në Obiliq është pasqyruar dhe raportuar i bazuar vetëm në fotot e dëshmitarëve dhe jo nga skena e ngjarjes, ai edhe ka rezultuar i pavërtetë.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut Skëndër Bucolli zjarri ka ndodhur tek MetalKosi – një kompani e grumbullimit të mbeturinave të hekurit dhe gomave – jashtë hapësirave operativet të KEK-ut. «Ka qenë zjarr fushorë, është djeg bari ku ka pasë edhe goma të vjetra por nuk ka pasë asnjë rrezik për operimet tona (të KEK-ut)» ka shkruar në profilin e tij në facebook zëdhënësi i KEK-ut. Në orët e pasditës të së njëjtës ditës mediat i plotësuan lajmet me informata të reja duke ju refeuar deklaratës zyrtare nga Korporata Energjetike e Kosovës si dhe duke qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Por lajmet fillestare të pa sakta nuk u larguan nga rrjeti.

Rëndësia e lajmeve lokale konsiderohet e rëndësishme vecanërisht kur ato vijnë nga zona si Obiliqi, ku ndodhen divizionet e prodhimit të energjisë elektrike. Për më tepër, etika profesionale i kufizon gazetarët të nxitohen në raportim kur zona të caktuara në të kaluarën kanë qenë burim i incidenteve fatale. Në vitin 2014 pikërisht në termocentralin Kosova ka ndodhur një shpërthim si pasojë e të cilit kanë humbur jetën dy punëtorë dhe disa të tjerë janë lënduar rëndë.

Pikërisht tragjedi të tilla me humbje në njerëz do të duhej të shërbejnë si shembull se pse mediat duhet të jenë të pergjegjshme si me shkrimin por edhe vizualisht kur raportojnë dhe informojnë opinion publik për një ngjarje të caktuar. Tymi mediatik, përvec keqinformimit për një ngjarje të caktuar, poashtu ndikon në rënien e besimit në raportimin e mirëfillët gazetaresk dhe krijon amulli në informim të përgjithshëm.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së.