Tymi i Obiliqit është qefini i kosovarëve

Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» boton fakte tronditëse mbi ndotjen e ambientit në Kosovë nga termocentralet e Obiliqit. Dhe akuzon Bankën Botërore për financimin e projektit të termocentralit «Kosova e Re»




Ndotja e ambientit në Kosovë nuk është risi e madhe, por shpesh mungojnë të dhënat e sakta mbi pasojat konkrete. Në numrin e së enjtes gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» (SZ) ka sjellë rezultatet e një hulumtimi të gjithanshëm, i cili tregon se qytetarët e Kosovës jetojnë në një ambient që i ngjan filmit «2012 – Fundi i botës» të regjisorit gjerman Roland Emmerich. Në fshatin Hade afër Prishtinës gjenden rezervat e pesta më të mëdha të qymyrit në botë – 14,7 miliardë tonelata, afër sipërfaqes, me pak përqendrim squfuri. «Kur mban mot i mirë nga këtu (nga fshati Hade) shihen duke u përdredhur në qiell shtyllat e tymit të dy termocentraleve poshtë ne luginë: Kosova A dhe Kosova B prodhojnë më shumë se 95 për qind të energjisë së vendit. Tymi i këtyre dy termocentraleve shtrihet mbi Kosovë si qefin. Në lëkurën e njerëzve ai lë një shtresë vaji dhe copëza të imëta të pluhurit në mushkëri. Duhma e qymyrit është gjithkund, ajo depërton në shtëpi, zyra, shkolla dhe bare gjysmë të errëta. Banka Botërore e quan Kosovën A ‹burimin më të madh punktual për ndotje të ambientit në Europë›. Drejtori për shëndetësi poshtë në qytetin e Obiliqit e thonë në mënyrën e tij: ‹Ajri këtu ka një aromë të veçantë›. Nga zyra e tij ai mund ta shohë Kosovën A, një përbindësh gjigant, i ndryshkur, i ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë, kapaciteti, para avarisë së fundit: 250 megavatë. Prapa termocentralit deponia më e madhe e bërllokut në vend, prej së cilës pikëlojnë në tokë substanca shumë helmuese dhe me dekada të vjetra. Mes tyre një lumë, i cili bart një mukozë shumëngjyrëshe. Në anën tjetër të qytetit gjendet Kosova B, 20 vjet më e re, kapaciteti momental: 540 megavatë», shkruan «Süddeutsche Zeitung».

Sipas gazetës, e cila i referohet listave të vdekjes të komunës së Obiliqit, banorët e këtij rajoni dhe më gjerë më së shumti vuajnë nga sëmundjet e organeve të frymëmarrjes, të zemrës dhe qarkullimit të gjakut, astmës, kancerit në fyt, kancerit në mushkëri. Në Obiliq regjistrohen 30 deri 40 për qind më shumë sëmundje të frymëmarrjes se në pjesën tjetër të Kosovës. Dhe kjo ndodhë në një vend ku jetëgjatësia edhe ashtu është dhjetë vjet më e ulët se në Bashkimin Europian. «Në një raport të vitit 2010 Banka Botërore bëri të ditur se në Kosovë kanë vdekur para kohe 835 njerëz për shkak të ndotjes së ajrit dhe 310 raste të bronkitit kronik, 22’900 sëmundje të mushkërive te fëmijët dhe 11’600 raste emergjente kanë qenë pasojë e drejtpërdrejtë e ndotjes. Banka Botërore llogariti se kostoja e drejtpërdrejtë e tyre arrin në 100 milionë euro», raporton «Süddeutsche Zeitung».

Në një vend normal një qytet si Obiliqi do të duhej të evakuohej plotësisht. Parashihet që Kosova A të mbyllet deri në vitin 2017, por ndërkohë askush nuk beson se kjo do të ndodhë. Qeveria mendon ta ndalë termocentralin tek pasi të sigurohet furnizimi me rrymë. Andaj planifikohet të ndërtohet një termocentral i ri, me standard europian, 600 megavatë, Kosova e Re. Banka Botërore, sipas SZ, e ka ndërmend ta mbështes këtë projekt me 58 milionë dollarë, ndonëse shumë njerëz pyesin përse këto para nuk investohen në sigurimin e energjisë alternative. Ose në pakësimin e humbjeve në rrjetin e shkatërruar të energjisë, në të cilin humbin 37 për qind. Akuza që drejtohet kundër Bankës Botërore është kjo: Me Kosovën e Re Banka Botërore do të përcaktonte të ardhmen energjetike të vendit për shumë gjenerata. «Financuesja më me ndikim e zhvillimit të botës, e cila pretendon se nuk do ta dëmtojë as njeriun, as ambientin, dëshiron të investojë në furnizuesin me energji, që është më i dëmshmi sa i përket klimës – në qymyr?», pyet dhe konstaton gazeta gjermane. SZ shkruan se moto e Bankës Botërore është «Ëndrra jonë është një botë pa varfëri», por nga ky synim Banka Botërore është tepër larg. «Një ekip reporterësh të konzorciumit ndërkombëtar për gazetari hulumtuese (ICIJ), të cilit i takojnë televizionet gjermane NDR, WDR, gazeta ‹Süddeutsche Zeitung› dhe më shumë se 50 gazetarë nga 21 vende i ka shqyrtuar më shumë se 6600 dokumente. Rezultati: Banka Botërore po dështon vazhdimisht për t’i mbrojtur ata, të cilët duhet t’i mbrojë sipas statuteve të saj: të varfrit. Nga projektet e mbështetura nga Banka Botërore dhe degët e saj ka shpërngulje të dhunshme, grabitje tokash, vrasje».

Gazeta përmend edhe një shembull nga Shqipëria: «Në lokalitetin e vogël Jale në Shqipëri një mëngjesi të muajit prill 2007 u rrëzuan shtëpitë e banorëve të varfër. Banka Botërore e kishte përkrahur sanimin e plazhit me një kredi prej 17,5 milionë dollarë, qeveria ngarkoi pastaj këtë punë dhëndrin e kryeministrit të atëhershëm shqiptar Sali Berisha. Autoritetet e bënë plazhin rrafsh me tokë me para të Bankës Botërore për të hapur vend për një resor turistësh. (…) Shefi i Bankës Botërore Robert Zoellik kishte thënë atëherë: ‹Banka kurrë nuk guxon të lejojë të ndodhë diçka e tillë›. (…) Kurrë më? Nëse drejtorati ekzekutiv i Bankës Botërore voton për ndërtimin e Kosovës C (Kosova e re), a nuk i shkelë banka edhe standardet e saj ambientale?» Natyrisht shefi i Bankës Botërore për Kosovën Jan-Peter Olters e mohon këtë, por fjalët e tij nuk tingëllojnë të besueshme. Gazeta shkruan se as Banka Botërore dhe as autoritetet kosovare nuk i kanë përmbushur premtimet që u kanë bërë banorëve të fshatit Hade sa i përket shpërnguljes. Atyre u ishte premtuar një Hade e Re (New Hade) me infrastrukturë moderne – por deri më sot nga ky modernitet nuk shihet asgjë.

Prej vitesh Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm përpiqet të pengojë ndërtimin e Kosovës C. Kjo organizatë kërkon që të modernizohet Kosova B dhe është e bindur se pjesa tjetër e energjisë mund të përftohet me masa shumë efikase dhe rigoroze të kursimit të energjisë. «Süddeutsche Zeitung» i quan aktivistët e Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm si Visar Azemi dhe Jeta Xharra «të rinj, shumë seriozë, shumë të informuar, shumë të zemëruar. Para tyre gjenden male me argumente».

Sipas një studimi të Daniel Kammen, profesor në University of California, Kosova mund t’i mbulojë 34 për qind të nevojave të saj për energji nga energjia e ripërtritshme. Kështu do të krijoheshin 60 për qind më shumë vende të punës se sa me një termocentral të ri. Profesori nga Berkeley shkruan se në krahasim me Kosovën C kështu do të kurseheshin shumë para. Kamman shkruan në ekspertizën e tij se ndërtimi i termocentralit të ri do të ishte një «trashëgimi fatale» për Kosovën si shtet i ri. Gazeta citon Visar Azemin, i cili thotë se ndërtimi i Kosovës C do të mbulonte Kosovën edhe për 40 vjet me energji të ndotur: «Çmimi për elektricitet do të shtrenjtohet në mënyrë drastike nëse ndërtohet Kosova C, kjo do të çojë në tensione sociale, sepse njerëzit nuk do të mund të paguajnë më rrymën. Qymyri nuk është më zgjidhja më e lirë».

Gazetarja Jeta Xharra ankohet se kritikat ndaj projektit për termocentralin e ri nuk po merren seriozisht nga përgjegjësit. «Po na trajtojnë si fëmijë të vegjël. Aq shumë gjëra janë jotransparente, një kohë të gjatë nuk ka qenë e qartë se sa ndërmarrje do të konkurrojnë për të ndërtuar termocentralin e ri, momentalisht me gjasë është vetëm një: ContourGlobal. Edhe kjo është shkelje e rregullave të tenderit, thotë Visar Azemi. Dhe teknika që ata duan ta përdorin është ‹suboptimale›, efikasiteti 37 për qind, një teknologji shumë e vjetër».

Projekti i Kosovës C ka ngjallur debate edhe në parlamentin gjerman. Në mars një deputet ka pyetur nëse Gjermania e mbështet projektin me qymyr në Kosovë. Sociologu i njohur zviceran Jean Ziegler, i cili Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), Fondin Montar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore i quan «tre kalorësit apokaliptik të urisë», thotë: «Kjo është simbioza totale mes Bankës Botërore dhe Wallstreet-it (kapitalit, v.j.). Banka Botërore nuk është bankë e të varfërve, ajo është bankë që në vendet e varfra financon infrastrukturën e koncerneve të mëdha».