TV Dëshpërimi

Dilemën ndërmjet pushtetit dhe medieve, Churchilli e vendos në favor të së dytës. Sepse, siç i përshkruhet atij, nëpërmjet tyre do ta merrte edhe pushtetin! Nga kjo perspektivë, lufta e ashpër për mediet dhe nëpërmjet medieve vjen më pak e habitshme. Sidomos kohëve të fundit, kur gazetarët po trafikohen si deputetët në parlamentet shqiptare, redaksitë i ndërrojnë paradigmat politike varësisht nga pushteti politik, formatet televizive po përpjesëtohen nëpër kanale të ndryshme.

Protagonistët e kësaj drame që po luhet prej më se një dekade janë kryekëput televizionet. Është një fenomen i tyre. Dhe, mbase jo rastësisht. Nga mesi i viteve të ‘70-ta, politologu Michael J. Robinson e befasoi opinionin publik amerikan me gjetjen e tij se televizioni e bren besimin në politikë. Ai e lidh vështrimin e tij me strukturën specifike të publikut të televizioneve, sepse ky arrin aty ku nuk depërtojnë mediet e tjera; me besueshmërinë që gëzon ky medium, si dhe me raportimin negativist që kultivon ai. Dhe, këtu e ka parasysh strukturën narrative të raportimit, përqendrimin në zhvillime negative, fokusimin në sherre politike, vendosjen e politikanëve në një dritë të keqe, transmetimin e kualitetit të gjërave dhe abstragimin e statistikave që e krijojnë një imazh pozitiv, si dhe njëanshmërinë e raportimit.

E kanë në dorë specialistët e medieve që ta hulumtojnë kauzalitetin eventual ndërmjet raportimit mediatik dhe mosbesimit politik te shqiptarët. Në opinionin publik shqiptar identifikohen ligjërime në kuptimin e tezave të Robinsonit dhe gjetjeve të tij për raportimin politik të televizioneve. Qeveria e kaluar në Shqipëri i kualifikonte rezultatet e hulumtimit të Transparency International mbi korrupsionin si perceptime të krijuara nga mediet. Arbën Xhaferi, humbjen e partisë së tij në zgjedhjet e 2008-tës ia faturonte raportimit të medieve mbi aksionin e dhunshëm të Qeverisë, pjesë e së cilës ishte edhe partia e tij, në Brodec. Ndërkohë janë dekonspiruar taktikat mediatike të Qeverisë aktuale shqiptare, të cilat – për shembull – kur flasin për dështime shprehen me lekë të reja, kurse sukseset i shprehin me të vjetra, e të ngjashme.

Tezat e M. J. Robinsonit nuk e tronditën vetëm opinionin publik amerikan, ato i nxitën studimet në këtë plan edhe në vendet tjera perëndimore. Jashtëzakonisht interesante për këtë kontekst janë gjetjet e hulumtimeve të raportit ndërmjet medieve dhe besimit politik në Gjermani. Ato i sforcojnë përshtypjet nga trendet mediatike shqiptare, koniunktura që kanë formatet argëtuese televizive, të cilat, siç duket, gëzojnë shumë popullaritet te shqiptarët. Christina Holtz-Bacha zbulon që janë mu përmbajtjet argëtuese mediatike ato që i ftohin qytetarët nga politika. Thumbimi i autoriteteve në këto formate është rendi i ditës së këtyre produksioneve. Ato i rreken demontimit të personalitetit të tyre me gjithë arsenalin audiovizual në dispozicion, duke përfshirë edhe balerinat që vërtiten si venitalorë gjatë gjithë kohës. Nganjëherë, për minutazhin e tyre merren me gjëra krejtësisht triviale, personale, pa ndonjë dobi për recipientin, sa është e pamundur të mos e dallosh prirjen diskredituese që fshihet pas këtij raportimi.

Fragmentimi, mungesa e emancipimit politik dhe ekonomik të medieve e nxjerr në pah luftën politike si motivacion të këtij realiteti të ashpër. Komprometimi i kundërshtarit politik i shërben fitimit dhe ruajtjes së pushtetit. Punë e tyre? Po pasojat?

Në këtë diskutim nuk u mor mundimi të dëshmohet mungesa e besimit në politikë. Ai gjithë kohën është nënkuptuar, është marrë si i mirëqenë dhe vetevident. Sepse, disponimi duket më i zymtë se kaq – dëshpërues. Imazhet e vrasjeve mizore mafioze, zbulimi i aferave korruptive prej miliarda dollarëve, konspiracionet e thella, pabesitë historike, të shpalosura me të gjitha efektet e mundshme sugjestionuese verbale dhe vizuale, sugjerojnë shumë më tepër se dështimin e klasës dhe proceseve politike aktuale. Zhgënjimi nuk kufizohet te aktorët dhe proceset politike; ai është difuz dhe e rrezikon përkrahjen për sistemin demokratik si të tillë, dhe lirinë. Në debatet e ndryshme, gjithnjë e më shpesh ndien favorizimin e komunizmit me të gjitha zullumet e tij, apo shfryrje të llojit: «Më mirë nën Serbi…!».

Gjithashtu, deri më tani pothuajse u abstragua realiteti i fenomeneve të dënueshme, si korrupsioni e të tjera, që mund të vijnë si eufemizma, dhe e drejta e fjalës së lirë. Diskutimi nuk guxon assesi të merret si pledoaje për shenjtërimin e politikanëve të përfshirë në marifete të neveritshme dhe veprat e tyre si shpikje e medieve. Ai e inkurajon edhe demistifikimin e lëvizjeve kryengritëse shqiptare në kapërcyell të shekullit XXI. Por, admirimi i takon angazhimit të diferencuar dhe proporcional. Një arsenali të kalibrit që përshtatet për goditjen e deformimeve të lirisë, e jo vetë lirinë. Admirimi i takon profesionalizmit! Ku primatin megjithatë e kanë faktet dhe argumentet. Mosdurimi mund ta rrezikojë vetë sfondin nga i cili kanë ardhur dhe skenën në të cilën qëndrojnë mediet dhe mentorët e tyre. Sepse, mosbesim politik – ndër të tjera – domethënë apati dhe abstenim nga zgjedhjet, përmes të cilave mund të diskualifikohet një elitë e korruptuar politike.

Shprehja e fillimit, e cila i përshkruhet Churchillit, nuk është udhërrëfyesi më i mirë. Rekomandoj një tjetër thënie të tij, po kaq intriguese: Demokracia është forma më e keqe qeverisëse – përveç të gjitha të tjerave që janë provuar kohë pas kohe. Vërtet, demokracia dhe liria janë privilegje të shtrenjta të shoqërisë dhe të kombit shqiptar.