Turqit e shohin me dyshim identitetin e ri turk të Erdoanit

«Dikur ishim republikë shekullare. Tani, nuk e dimë as çka jemi. Po çfarë projekti na bashkon? Cila kontratë shoqërore?», pyet Cengiz Candar, intelektual turk. Presidenti Rexhep Taip Erdoan është shndërruar në lider gjithnjë e më autokratik dhe rrethi i tij po pasurohet gjithnjë e më shumë.

Mauzoleu i Ataturkut në Ankara. Foto: Shutterstock

Umit Engin, pronar i një dyqani të vogël në udhëkryqin e rrugicave në lagjen e vjetër të qytetit, Beyolu, lexon ulur në lokalin e tij në njërën prej pasditeve të ditëve të fundit. I ka rënë me të madhe puna qysh prej vitit të kaluar, kur nisën sulmet me bomba dhe nisi të binte jashtëzakonisht shumë numri i turistëve. Zoti Engin, 42 vjeç, që është fort i shqetësuar për të ardhmen e Turqisë, kalon ditën duke pastruar rrugën para dyqanit, me shpresë se myshterinjtë do t’ia behin në dyqan. «Kemi humbur rrugën», thekson ai. «Më nuk ka gjallëri. Nga t’ia mbajmë, nuk e dimë. Po presim të mos ndryshojë diçka, por nuk e dimë se çka na pret».

Ai merr frymë thellë para se të nxjerrë dufin: «Jemi në atë fazën <Duke pritur Godonë˃», thekson ai duke iu referuar dramës së Samuel Beckettit. «Duke pritur Turqinë». Turqia po kalon kohë të çuditshme. Shpërthimi i bombave është bërë përditshmëri në qytete të mëdha. Shoqëria turke është polarizuar aq shumë, saqë njerëzit po flasin zi e terr nga frika e një lufte të armatosur civile. Është ndezur përsëri lufta e vjetër me separatistët kurdë, duke ia futur flakën pjesës juglindore kufitare të vendit në kohën kur shtetet në jug të këtij vendi, si Turqia dhe Iraku, janë zhytur thellë në dhunë dhe dilema qenësore për fatin e tyre.

Por ndryshimet më të themelta kanë ndodhur edhe në shoqërinë turke. Dhe të gjitha këto ndryshime kanë ardhur si rezultat i politikave të presidentit bombastik, Rexhep Taip Erdoan. Zoti Erdoan ka bërë copa-copë sistemin shekullar të imponuar prej Mustafa Kemal Ataturkut në vitet ‘20, duke fuqizuar shtresën e shtypur ngaherë me rrënjë islamike dhe duke sjellë barazi larg më të madhe në mesin e shoqërisë turke me politikat e tij ekonomike që janë zbatuar në zonat e varfra.

Por gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, zoti Erdoan është shndërruar në lider gjithnjë e më autokratik dhe rrethi i tij po pasurohet gjithnjë e më shumë. Dhe, shumë turq, përfshirë edhe besnikë të bazës së tij, po shprehin shqetësime për fuqizimin e sistemit të ri në vend të atij që po e shkatërron me themel. «Është si puna e <Zotit të unazave˃: Tani e kemi unazën, ama jemi bërë skllevër të saj», ka deklaruar një aktiviste e re islamike, duke iu referuar parasë dhe pushtetit, që ka mbyllur llogarinë e saj në Twitter për shkak të sulmeve të vazhdueshme prej blogerëve proqeveritarë pasi kishte kritikuar shtypjen e dhunshme të protestave më 2013 që ishin shndërruar në një lëvizje të madhe kundër zotit Erdogan.

«Nuk është puna te kemalistët, nuk ka lidhje me protestuesit shekullarë – është fjala për testin tonë. Dhe, shumica nuk po e kalojmë testin». Liberalët, si rasti i zotit Engin, thonë se i kanë çuar duart. Zoti Erdogan ka shtypur protestat më 2013. Opozita e mori veten pasi partia e tij humbi shumicën në parlament në zgjedhjet e qershorit 2015, por e kapërceu këtë sfidë pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Në protesta «kemi provuar gjithçka, por nuk fituam asgjë», thekson zoti Engin. «Në fakt, kemi humbur shumëçka. Kemi humbur miq. Tani është e pamundshme të organizohen protesta të tilla. Njerëzve ua ha mendja se nuk do të ndryshonte asgjë».

Derisa Turqia po vazhdon të notojë ujërave të turbullta, disa turq po hamenden se çfarë drejtim po zgjedh vendi – dhe si do të duket kur të arrijë në ndonjë cak. Ndryshimet kanë qenë aq të mëdha, saqë shumëkush mendon se shteti – themeluar prej elitës si projekt që kishte kapërcyer bazat etnike e fetare për të krijuar konceptin e turkut modern – duhet të kalojë nëpër një periudhë paqartësie dhe me gjasë kaosi për ta rimarrë veten. «Kush jemi ne, dhe çfarë po po bëjmë këtu së bashku?» ka deklaruar Cengiz Candar, intelektual turk, që ka shpjeguar telashet e tanishme të vendit. «Dikur ishim republikë shekullare. Tani, nuk e dimë as çka jemi. Po çfarë projekti na bashkon? Cila kontratë shoqërore?» Dhe zoti Erdogan ofron një rrëfim. Flet me jehonë dhe bindje të madhe për lavdinë e të kaluarës osmane të Turqisë, duke hedhur poshtë tetë dekada të ndërmjetme shekullare të njohur si kemalizëm. Ai flet në fjalimet e zjarrta për planet që synon t’i realizojë deri më 2023 – jubileu njëqindvjeçar i Turqisë – dhe nganjëherë duket sikur dëshiron ta zëvendësojë vetë Ataturkun. Në njëfarë mënyre, i pashmangshëm ishte gjakimi për identitet të ri turk. Kemalizmi është rigjid, ideologji revolucionare e fillimshekullit njëzetë që kishte krijuar shtetin modern turk. Por kishte shtypur shumë fshatarë në tokat e tyre, bashkë me pakicat etnike, si kurdët. Është i natyrshëm fakti i shpërfaqjes së identitetit të ri turk. Deri tani, shoqëria turke duket se nuk ka ndryshuar asgjë. Grave nuk u është kërkuar të mbajnë shami, dhe derisa nuk duket në horizont ndonjë urdhër për t’i vënë ferexhetë, disa liberalë, si puna e zotit Engin, shqetësohen se kjo mund të ndodhë, sidomos pas deklaratës të forta të kohëve të fundit të Erdogani që gratë turke të lindin më shumë fëmijë.

Turq të sojit të tij mendojnë se më e udhës është që të fuquziohet orientimi perëndimor se të mendohet për të kaluarën e referencat osmane. «Evropa është përçarë, por Turqia ende po mbahet në këmbët e veta», ka deklaruar Mahmoud Atlas (47), pronar turk i një kompanie pastrimi nga Mersini, që ka marrë pjesë në një iftar në Stamboll, ku kishte folur edhe zoti Erdoan. «Më falni, por Shtetet e Bashkuara dhe Europa nuk mund ta thyejnë Erdoanin».

Rrënjët në shtresën punëtore të zotit Erdoan kanë rol të madh. «Ai vjen nga poshtë, si ne», thekson Emre Bozkurt (22). «Ai ulet dhe pi çaj me fukarenjtë. Janë këto gjëra pse e duam. Kur e këqyrin, e shohin veten».

Zoti Erdogan dhe partia e tij llogarisin prej 40 deri në 50 për qind të votave të turqve në pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Një pjesë tjetër e votave vijnë prej shtresës së njerëzve që më fort mendojnë për xhepat e tyre se për politikat e zotit Erdoan. «Ata i druajnë krizës eventuale më shumë se gjithçkaje tjetër», thekson Hakan Altinay, drejtor i Shkollës Europiane të Politikës në Universitetin Bogazici në Stamboll. «Marrëveshja është kështu: Mos u merrni ju se si qeveris unë, dhe unë ju sjell të mira. Por nëse nuk ju sjell të mira, ju ma sillni faturën e krizës». Ka pasur shenja pakënaqësie në iftarin e muajit në kaluar në Basaksehir, lagje në periferi të qendrës së vjetër të Stambollit, që ka qenë bastion i përkrahjes për zotin Erdoan dhe Partinë e tij të Drejtësisë dhe Zhvillimit. Emine Akarsu (48), arkitekte, ka lavdëruar partinë për transformimin e lagjes, dikur të vërshuar prej mbeturinave, në një prej zonave më moderne të qytetit me parqe e rrëkej artificial dhe me një liqe artificial. Por meqë krerët e partisë kanë nisur së fundi të pasurohen dhe kanë dalë në sipërfaqe akuzat për korrupsion, zonja Akarsu, më nuk e ka votuar. «Kanë ndryshuar, kështu ka ndryshuar edhe pikëpamja ime për ta», ka theksuar ajo, teksa po merrte termosin me çaj. «Më nuk ma merr mendja se po na i thonë gjërat qysh në të vërtetë janë».

Kurtulus Turan, biznesmen tekstili, ka theksuar se preferonte partinë e zotit Erdoan për shkak të qasjes probizneseve. Por tani presidenti duket se flet vetëm për turqit sunitë. Zoti Turan, duke treguar se është pjesëtar i pakicës shiite turke, ndihet i diskriminuar. «Kështu nuk ishte në fillim», ka shtuar ai.

Andaj, kah po shkon Turqia? Intelektualët e saj ende nuk nuk kanë zbuluar drejtimin. Zoti Candar, që është akuzuar zyrtarisht për fyerje presidentin në shkrimet që ka shkruar për konfliktin me kurdët, është ligjërues në Stokholm. Por ka edhe turq të tjerë të shtresës së lartë që po kërkojnë patundshmëri jashtë vendit. Portugalia është vendi më i preferuar. Ata që nuk kanë mundësi, po presin. Zoti Engin e ka krahasuar kohën e fundit me një stuhi që po e godet popullin turk. Ai thotë se do të ketë dëme, por mbetet të shihen pasojat e sakta. «Duhet të presim të mbarojë stuhia, që të qielli të kthjellohet», ka theksuar ai. Ka thënë se nuk e di nëse do të duhen një muaj a një dekadë, por beson se ndryshimi do të vijë «sepse punët nuk mund të shkojnë kështu».

«New York Times»