Turqia nuk do të furnizohet me teknologjinë zvicerane të përgjimit

Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco) e pengon dërgimin e mallrave për përgjimin e internetit dhe telefonisë mobile në Turqi.

Foto: Maksim Kabakou / Shutterstock.com

Seco e ka refuzuar një kërkesë furnizimi me mjete përgjimi të internetit dhe telefonisë mobile të Turqisë. Dhe, nuk është hera e parë që Zvicra i zë rrugën një eksporti të tillë. «St. Galler Tagblatt» dhe «Neue Luzerner Zeitung» kanë raportuar për këtë ndalim, i cili daton që përpara përpjekjes për grushtet në Turqi.

Është hera e tretë që Zvicra e refuzon një kërkesë të tillë eksporti të këtyre mallrave, të cilat mund të shfrytëzohen për qëllime civile dhe ushtarake. Korrikun e kaluar u fol që aktorë shtetërorë të Vietnamit dhe Bangladeshit ishin të interesuara për kësi pajisjesh nga firmat zvicerane, çka Seco në bashkëpunim me departamentin e punëve të jashtme dhe atë të mbrojtjes e kishte refuzuar.

Dhe, këto eksporte mund të pengohen që nga maji i vitit të kaluar. Atëbotë qeveria kishte miratuar rregulla më të rrepta për eksportin e mallrave për përgjimin e internetit dhe të telefonisë mobile.

Një leje e veçantë për eksportin e mallrave të këtilla për përgjim, sipas Secos, mund të refuzohet, nëse ka dyshime të arsyeshme se malli i eksportuar mund të shfrytëszohet nga blerësi si mjet represioni.

Përmes kontrollit të pajisjeve për përdorim civil dhe ushtarak, të cilat nuk i nënshtrohen ligjit për material luftarak, ndër të tjera, synohet të pengohet që këto mallra t’i kontribuojnë armatosjes konvencionale të një shteti, i cili me sjelljen e tij mund ta rrezikojë sigurinë rajonale apo atë globale. ks