Turqia nis përgatitjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe

Në Universitetin e Thrakisë në Edrene të Turqisë ka filluar përgatitja e përmbajtjes së teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake, të cilat nga viti i ardhshëm akademik do të futen si lëndë zgjedhore në shkollat e Turqisë.




Planprogrami mësimor i cili përfshin gjuhët shqipe dhe boshnjake, i përgatitur sipas protokollit të nënshkruar në vitin 2016 mes Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Universitetit të Thrakisë, ishte pranuar javën e kaluar nga Këshilli Turk i Arsimit dhe Disiplinës. Pas vendimit, ekspertë akademikë nga Departamenti i Gjuhëve dhe Letërsisë Ballkanike pranë Fakultetit të Letërsisë pranë Universitetit të Thrakisë, kanë filluar me përgatitjen e përmbajtjes së teksteve shkollore për dy gjuhët.

Profesorë të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake pranë fakultetit janë duke punuar intensivisht për përgatitjen e teksteve pas miratimit të planprogramit të përgatitur. Rektori i Universitetit të Thrakisë, prf. dr. Erhan Tabakoğlu, duke folur për AA, rikujtoi se në kuadër të protokollit të nënshkruar vitin e kaluar me Ministrinë e Arsimit, detyra për përgatitjen e materialeve arsimore për gjuhët shqipe dhe boshnjake i ishte dhënë Universitetit të Thrakisë.

«Marrëdhëniet tona me Ballkanin vazhdojnë në mënyrë intensive dhe të ngrohtë. Secilit që i tregojmë, e pranon këtë fakt me kënaqësi. Ky lajm është pritur me gëzim të madh si në Shqipëri, dhe vendet ku flitet gjuha boshnjake. Edhe ata thonë se të fusin gjuhën turke. Gjithsesi, ne jemi komunitete farefisnore. Kemi histori dhe kulturë të përbashkët. Edhe kjo afërsi në aspektin gjuhësor do të jetë tregues i afërsisë sonë edhe në shumë aspekte të tjera. Mësimi i gjuhës shqipe dhe boshnjake në Turqi do të mundësojë që ata që mësojnë këto gjuhë ta kujtojnë Ballkanin dhe vendet ku fliten këto gjuhë. Po ashtu, hapet mundësia që personat e arsimuar që flasin shqipen dhe boshnjakishten të punojnë si mësimdhënës në Turqi», tha Tabakoğlu, duke e ritheksuar gëzimin për, siç thotë, këtë marrëdhënie emocionale dhe kulturore. (AA/ATSH)