Turqia është partner, nuk është armik

Sulmi ndaj Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren është edhe vepër antishqiptare. Që Kosova është bërë shtet me thelb të kalbur – për këtë s’është faji i Turqisë, por i elektoratit që mashtrohet e shitet lehtë. Turqia është aleat i rëndësishëm i shqiptarëve dhe përherë duhet të jemi mirënjohës sidomos për angazhimin e Ankarasë në favor të pavarësisë së Kosovës.

40 ditë pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden takoi presidentin Rexhep Taip Erdoan në Ankara. Zyrtari i lartë i Washingtonit tha se ndihej me faj që nuk e kishte vizituar më herët Turqinë, aleatin e NATO-s. «Duhet të shikojmë përpara», tha Biden në fund të gushtit.

Duhet të shikojmë përpara. Një porosi e mirë kjo edhe për shqiptarët. Është marrëzi të mendohet se për shkak të sundimit osman ne duhet të jemi në «armiqësi të përhershme» me Turqinë. Sepse mes popujve nuk duhet të ketë armiqësi të përhershme, aq më pak për ngjarje që mund të kenë ndodhur para 200, 300 apo 500 vjetësh. Janë derdhur lumenj gjaku mes gjermanëve dhe francezëve, gjenerata të tëra janë rritur me bindjen se mes këtyre dy popujve ekziston, duhet të ekzistojë «armiqësia e përjetshme», por pas Luftës së Dytë Botërore politikanët e mençur të Parisit dhe Bonnit filluan një kapitull të ri, një epokë të pajtimit. Shqiptarët dhe turqit duhet të marrin si shembull edhe pajtimin mes francezëve dhe gjermanëve. Natyrisht nuk mund të krahasohen konfliktet përkatëse, por domosdoshmëria për pajtim gjithsesi. Në të vërtetë, që nga pavarësimi i Shqipërisë më 1912 shumë ujë ka rrjedhur nëpër Drinin e Bardhë e të Zi – po aq sa nëpër Eufrat. Elitat politike turke në 100 vitet e fundit kanë qenë të preokupuara me zhvillimin, emancipimin, integrimin e Turqisë në hemisferën perëndimore. Anëtarësimi në NATO është dëshmi e përkushtimit turk. Dëshira për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian po ashtu.

Që nga përpjekja për grusht shteti në korrik presidenti Erdoan ka nisur një fushatë të egër represioni kundër kritikëve, mediave, institucioneve të pavarura. Për këtë ai është kritikuar ashpër nga Washingtoni, Berlini, Brukseli, organizatat e të drejtave të njeriut, nga mediat. Madje edhe në mediat shqiptare nuk kanë munguar kritikat. Fundja, me mënyrën se si po sundon Erdoani nuk janë të lumtur as miliona turq.

Në viset shqiptare, ku gëlojnë shumë media të papërgjegjshme që sillen gjoja si properëndimore, ka një tendencë që Turqia të barazohet me Perandorinë Osmane dhe që Erdoani të skicohet si një padishah i ri që po i dërgon karvanët në Iliri për të sunduar si dikur paraardhësit e tij. Ky disponim antiturk bëhet qesharak, por edhe i dëmshëm në prag dhe gjatë 28 nëntorit, kur përkujtohet shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në këto ditë jo pak shqiptarë bëhen tregtarë flamujsh, çirren nëpër kafehane, bëjnë copë më copë shishe birre dhe ndonjëri prej tyre sulmon edhe përfaqësi diplomatike turke, siç ndodhi në Prizren. Sulmi ndaj Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren është edhe vepër antishqiptare. Që Kosova është bërë shtet me thelb të kalbur – për këtë s’është faji i Turqisë, por i elektoratit që mashtrohet e shitet lehtë.

Turqia është aleat i rëndësishëm i shqiptarëve dhe përherë duhet të jemi mirënjohës sidomos për angazhimin e Ankarasë në favor të pavarësisë së Kosovës. Diplomacia turke dhe vetë presidenti Erdoan janë angazhuar në sigurimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga ato shtete ku Ankaraja ka ndikim. Dhe ky ndikim nuk është për t’u nënçmuar. Po të ishte Turqia një shtet që mund të injorohet, këtë do e bënin para nesh Washingtoni, Berlini, Londra, Parisi e Brukseli.

Sidomos në Kosovë flitet e shkruhet shumë për ndikimin e rrezikshëm turk në procesin e privatizimit, për përpjekjet për ndryshimin e historisë, për imponimin e modeleve kulturore neo-otomane. Ka shumë të vërteta këtu. Por po aq e vërtetë është se privatizimi skandaloz i distribucionit të KEK-ut është vepër e hajdutëve tanë në pushtet, të cilët për çdo ditë shëtisin të lirë nëpër sheshin Nëna Terezë. E vërtetë është po ashtu se shumë historianë shqiptarë historinë e raporteve shqiptaro-osmane e kanë treguar si përrallë të stolisur me gjak, duke mos u bazuar në fakte historike. E vërtetë është se modelet kulturore neo-otomane, përfshirë edhe gjuhën turke, po zgjojnë interesim jo vetëm në viset shqiptare në Ballkan. Vitin e kaluar mediat serbe njoftuan për interesimin e shtuar në Kragujevc për të mësuar gjuhën turke. Psikologu Ivan Nedelkoviq nga gjimnazi i Kragujevcit tha se gjuha turke flitet nga 220 milionë njerëz në botë dhe është e pesta për nga përhapja. «Duhet të jemi të hapur për të gjithë, në mënyrë që fëmijët tanë të mësojnë trashëgiminë kulturore të popujve të tjerë», tha Nedelkoviq.

Kur flasin kështu serbët, atëherë çfarë të thonë shqiptarët për Turqinë? Themelet kulturore të këtij shteti janë vendosur edhe nga shqiptarët, himni turk është shkruar nga një shqiptar, Stambolli ka qenë deri në fillim të shekullit ’20 qyteti më i madh shqiptar, hekurudha e parë e ka lidhur Kosovën me Perandorinë Osmane, shafranin e kemi eksportuar në Stamboll, jo në Vjenë, shpesh jo pak shqiptarë rrahin gjoks për gjithë ata sadriazema (kryeministra) të Perandorisë Osmane, mburren për shqiptarët që themeluan Egjiptin modern, madje kanë qejf shumë të thonë se edhe Ataturku ka qenë shqiptar. Kjo trashëgimi nuk mund të shlyhet, asgjësohet, ajo është faktike, historike, andaj është budallallëk i madh të sulmosh objekte diplomatike të Turqisë. Këtë mund ta bëjnë vetëm shërbëtorët e atyre që duan të thellojnë krizën politike në Kosovë. Nëse në Prizren janë ngritur edhe flamuj turq, krahas atyre shqiptarë, për nder të 28 nëntorit, atëherë për këtë përgjigje duhet të japin autoritetet komunale dhe vetë kreu i komunës, një person i dënuar për keqpërdorim pushteti. Atë nuk ua solli Erdoani, atë ai e gjeti në mesin tuaj. Shqiptarët duhet të merren me ramadana, jo me erdoana.