Turqi: 175 vjet burg për xhihadistin kosovar

Çendrim R., i dëbuar nga Zvicra në Kosovë për shkak të shumë delikteve, ka qëndruar në Siri dhe gjatë kthimit ka vrarë në Turqi tre veta.

Çendrim R. pas arrestimit në Turqi në vitin 2014.

Në Brugg, një qytet në kantonin Aargau, ku jetojnë më shumë shqiptarë se çdokund në Zvicër, gati askush nuk ka fjalë të mira për Çendrim R. Ai përshkruhet si agresiv dhe i dhunshëm. Që në moshën e re ai kishte rënë në sy me delikte të llojllojshme, mes tyre rrahje dhe plaçkitje.

Njerëz që e njohin tregojnë se ai filloi të radikalizohet në burg në Zvicër, ku po vuante dënimin. Befas kishte filluar «t’i kthehet zotit», të lexonte Kuranin, të ëndërronte të studionte islamin. Pas vuajtjes së dënimit ai u dëbua në Kosovë, ku qëndroi në shtëpinë e prindërve të tij në Gjilan, por jo gjatë, sepse bashkë me islamistë të tjerë ai shkoi në Siri për të luftuar për llogari të bandës së terrorit që e quan veten «Shteti Islamik» (IS).

Në mars të vitit 2014 Çendrim R. vendosi të largohej nga Siria dhe të kthehej me gjasë në Kosovë apo në Stamboll. Në jug të Turqisë ai bashkë me dy shokë të tij hapi zjarr kundër forcave turke të sigurisë, me ç’rast u vranë një polic, një ushtar dhe një shofer kamioni.

Të mërkurën Çendrim R. ka marrë një dënim drakonik për këtë krim: një gjykatë në qytetin anadollak Nigde e ka dënuar atë pesë herë me burgim të përjetshëm, që i bie 175 vjet burg. Ky kosovar 24-vjeçar u akuzua se ishte kreu i bandës që sulmoi forcat e sigurisë. Krahas tij u dënuan edhe shtetasi gjerman Benjamin X. (katër herë burgim i përjetshëm) dhe shqiptari nga Maqedonia Muhamed Z. (njëherë burgim të përjetshëm).

Gjatë shpalljes së verdiktit të akuzuarit nuk qenë të pranishëm në sallë. Ata u lidhën drejtpërdrejtë me videolink nga një burg i sigurisë së lartë në Ankara. Sipas aktakuzës grupi planifikonte të kryente një akt terrorist në Stamboll. (-lli)