Turizmi në Kosovë kërkon strategji të reja

Ndërsa numri i turistëve të interesuar për të vizituar Kosovën rritet, organizatat joqeveritare që punojnë në këtë sektor thonë se shteti duhet të zhvillojë politikat e tij për të tërhequr më shumë vizitorë në të ardhmen.

Brodi. Foto: Ismail Gagica



Numri i turistëve në Kosovë është rritur gjatë viteve të fundit, sipas vlerësimeve të marra nga të gjitha komunat në vend, thotë Shoqata e Turizmit Alternativë të Kosovës (KATA). Por kreu i KATA-s, Baki Hoti, tha për BIRN se Kosova duhet ende të shijojë përfitimet e vërteta të potencialit të saj turistik për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe vendeve të shumta historike dhe ngjarjeve kulturore. Ai thotë gjithashtu se institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë punë për të tërhequr më shumë turistë në të ardhmen. Ai përmend fillimisht mungesën e informacionit. «Ka një mungesë të përgjithshme informacioni mbi politikat, nismat dhe projektet e ndërmarra për zhvillimin e këtij sektori», tha Hoti. «Qeveria duhet t’i japë përparësi zhvillimit të turizmit duke krijuar politika për të tërhequr më shumë vizitorë të huaj përmes projekteve», shtoi ai. Ndër vendet e shumta me potencial turistik në Kosovë janë Brodi, Novobërda, Prizreni, Boga dhe Gjakova.

Brodi

Fshati i vogël i Brodit gjendet thellë në jug të Kosovës në komunën e Dragashit. Ai ka më shumë se 900 shtëpi, të cilat kryesisht i përkasin pakicës së goranëve. Fshati është i rrethuar me male dhe gjithashtu ka një kanion aty pranë. «Por gjëja më e bukur turistike e Brodit është atmosfera. Aty të krijohet ndjesia se koha ka ngelur në vend. Një xhiro në fshat do të tregojë se si shtëpitë janë të rregulluara rreth rrugicave me kalldrëm», shkruan «Turists Spots».

Novobërda

Kalaja e Novobërdës ndodhet rreth 40 kilometra në lindje të Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës, dhe daton nga shekulli i ’14. Qyteti mesjetar ishte një qendër minierash dhe madje edhe sot, mbetjet e mureve të vjetra, kullat e vëzhgimit dhe themelet e disa vendeve të shenjta brenda zonës së kalasë ruhen ende. Pas dekadash të tëra neglizhence, kalaja tani po restaurohet dhe atje mund të shkohet nëpërmjet një rruge të ndërtuar kohëve të fundit.

Prizreni

Ky qytet i lashtë në jug të Kosovës, me më shumë se 85’000 banorë, ka tërhequr prej kohësh turistët e huaj për shkak të historisë së tij të pasur dhe trashëgimisë së arkitekturës osmane dhe zejtarisë tradicionale. Prizreni është gjithashtu një qendër për të gjitha besimet kryesore të Kosovës, me xhami dhe kisha ortodokse e katolike. Qyteti është një nga 25 qytetet europiane ikonike që duhet vizituar, shkroi së fundi «National Geographic».

Bogë

Boga është një fshat turistik malor pranë Pejës në Kosovën perëndimore. Për shkak të peizazhit piktoresk, fshati ka tërhequr turistë prej kohësh. Në dimër, ai njihet më shumë për skijim, ndërsa ecjet, alpinizmi, hedhja me parashutë dhe ushqimi tradicional shqiptar e mbajnë këtë fshat të bukur edhe për stinët e tjera të vitit.

Gjakova

Qyteti perëndimor i Gjakovës njihet për pjesën e vjetër, e cila, fatkeqësisht, u shkatërrua gjatë luftës në vitin 1999, por u restaurua më vonë duke ruajtur stilin tradicional. Ai krenohet me një pazar të vjetër me dyqane të vogla prej druri dhe djepe të punuar me dorë, i restauruar në vitin 2014. Qyteti është gjithashtu i famshëm në Kosovë për ushqimin dhe pijet tradicionale. (kallxo.com, BIRN)