Turizmi i Titos shndërron në biznes nostalgjinë për Jugosllavinë

Turistët tashmë mund të eksplorojnë bunkerin e liderit jugosllav Tito në Bosnjë ose të vizitojnë një apartament të dekoruar sipas stilit të vjetër jugosllav në Serbi, ndërsa biznesi eksploron mënyra të reja për ta shndërruar në përfitime të kaluarën komuniste.

Yugo-touri i çon pjesëmarrësit në një udhëtim pas në kohë. Foto: Tihomira Doncheva, Anne-Laure de Chalup.



Nga një shesh i vjetër që daton që nga koha e Mbretërisë së Jugosllavisë në mauzoleun e «Shtëpisë së Luleve» ku është varrosur Josip Broz Tito, Jugo-turi është një lloj pelegrinazhi nëpër reliket e një të kaluare të lavdishme.

Madje edhe kartolinat e ofruara në dyqanin e dhuratave të turit tregojnë madhështinë e Titos, me presidentin e përjetshëm të portretizuar në një kornizë me lule dhe ngjyra.

Për të përsosur imazhin, pjesëmarrësit nuk e zhvillojnë turin me ndonjë automjet të vjetër, por në një Zastava, makina emblematike e prodhuar në Jugosllavi dhe e njohur me nofkën «Yugo».

«Të huajt habiten më shumë të dëgjojnë se kjo kohë e socializmit ishte shumë e begatë, sepse shumica e tyre kanë një imazh negativ të komunizmit dhe habiten kur dëgjojnë një histori ndryshe», thotë oficerja e operacioneve për Tours në Beograd, Milica Ilinçiq.

Për t’u treguar atyre ato që kanë mbetur nga kjo begati, Jugo-turs i çon pjesëmarrësit e tij në një udhëtim në kohë, në të cilin çdo ndalesë është shumë simbolike.

Një prej tyre është Hotel Jugosllavia, dikur një ndërtesë luksoze që u bombardua nga NATO në vitin 1999. Një tjetër është Qendra Sava – «një shembull i arkitekturës moderne», thotë Ilinçiq.

Përveç të huajve, tureve u bashkohen edhe disa njerëz nga vendet e Ballkanit, edhe pse ata janë kryesisht mbi 30 vjeç, sipas Tours në Beograd.

Ilinçiq thotë se ky grup moshe përbëhet nga njerëz që dikur jetonin në Jugosllavi dhe donin të kujtonin se si ishte ajo kohë.

Ajo ka vënë re edhe një trend interesant – ndërkohë që shumica e të huajve janë të interesuar për makinën «Yugo» dhe ndërtesat e betonit, shumica e vendasve magjepsen zakonisht nga ndalesa e fundit e turit, varri i Titos dhe dhoma plot me dhurata që i janë dhënë atij nga liderë botërorë në Muzeun e Historisë së Jugosllavisë.

Poshtë në bunker

Turizmi Jugo-nostalgjik duket se është një trend në rritje dhe bunkeri i vjetër i Titos në Bosnje dhe Hercegovinë, në qytetin e vogël të Konjicit, është shndërruar gjithashtu në një atraksion turistik.

Mbi zhurmën shurdhuese të sistemit të ajrit të kondicionuar, guida turistike që punon në bunker përpiqet të shpjegojë qëllimin e disa cisternave të mëdha të gazit në një nga blloqet e këtij strehimi anti-bërthamor.

Por një detaj kap syrin e vizitorëve: shkronja të kuqe me të cilat është shkruar fjalia «vlera materiale e përtacisë» nëpër cisterna. Kjo është pjesë e instalimeve të ndryshme artistike që tani janë ekspozuar në vendin ushtarak – një devijim nga fokusi i Titos për të cilin disa vendas pendohen.

«Për njerëzit nga ish-Jugosllavia, kam një tur special, sepse ne këndojmë këngë partizane dhe hidhemi dhe kërcejmë», shpjegon me krenari guida turistike Lamija Rizvanoviq.

Rizvanoviq më parë u tregonte njerëzve bunkerin, duke prezantuar se si Jugosllavia e Titos ishte në skajin kryesor të teknologjisë. Tani asaj i vjen keq për faktin që ka pjesë arti midis gjërave ushtarake dhe e ka lënë punën e saj, tepër kritike për mënyrën si organizohen turet.

«Nëse ata të flasin për ndonjë gjë, kjo do të jetë për artistët dhe jo për Titon», thotë ajo.

E megjithatë «babai i Jugosllavisë» është kudo. Ka edhe një dhomë kushtuar atij, me një nga fotografitë ku ai paraqitet me uniformën e tij tradicionale të ushtrisë dhe me një vështrim kanosës në fytyrën e tij.

Pak centimetra më larg, një tjetër variant i të njëjtës fotografi e paraqet ish-presidentin në një tjetër këndvështrim, me një aureolë që duket se e shndërron atë në një gjysmë-zot.

Një grua boshnjake vrapon pas grupit të turit, duke parë gjithmonë pas ndërsa përpiqet të memorizojë në mënyrë të përsosur çdo portret të Titos. Ajo flet hapur për nostalgjinë që ajo ndjen, një nga arsyet pse ajo vendosi të vizitojë bunkerin.

Rizvanoviq thotë pa hezitim se vizitorët më të shpeshtë janë sllovenët, të cilët sipas mendimit të saj janë shumë Jugo-nostalgjikë.

Përveç kësaj, njerëzit nga ish-Jugosllavia rrallë vizitojnë, pasi që tarifa e hyrjes është synuar për të huajtë dhe jo për boshnjakët, thotë ajo e trishtuar.

Një shtëpi jugosllave e rikonstruktuar

Shtëpia sipas stilit jugosllav në Beograd. Foto: Monika Pavloviq.

«Shiko! Gjyshja ime kishte të njëjtën letër muri me ngjyrë të zezë dhe të artë!»

Mund të dëgjosh habinë e të ftuarve kur hyjnë në shtëpinë e mysafirëve të Jugosllavisë në Beograd, e cila është zbukuruar pikërisht si një apartament nga epoka jugosllave.

Pronari, Mario Milakoviq, ka mbledhur me kujdes objekte dhe mobilie nga e kaluara, duke imituar një mënyrë jetese që nuk ekziston më.

«Unë e nisa nga ato që kishim në shtëpinë tonë, më pas shkuam nëpër shtëpitë dhe familjet e miqve, kontrolluam nëpër papafingo dhe bodrume, shkuam nëpër tregje, dyqane mobiliesh të përdorura, në internet», shpjegon Milakoviq.

Jugodomi i kthen vizitorët në një epokë kur gjithçka «bëhej në Jugosllavi», nga televizorët e përdorur si komodina e deri te ikonat e popit si Lepa Brena posterat e të cilëve dekorojnë muret me ngjyrë të hapur.

Milakoviq megjithatë nuk e shikon projektin si Jugo-nostalgjik, por thjesht si një përpjekje e dizenjuesit që mund të ekzistonte «edhe nëse Jugosllavia do të ekzistonte në ditët e sotme».

Ai është tepër pasionant për atë që ai ka krijuar, edhe pse ai e pranon gjithashtu se shumica e frekuentuesve janë të huaj.

«Ata vijnë nga e gjithë bota dhe shumica e tyre nuk dinë  asgjë për Jugosllavinë, por atyre u pëlqen dizajni i vendit», shpjegon ai.

«Ata vlerësojnë aspektin e vjetër dhe retro, sesa një vend që nuk ekziston më».

Njerëzit nga kryeqyteti i Serbisë e mbështesin gjithashtu idenë, shton ai, sepse «shumica e tyre i njohin gjërat që kishin apo që i kanë ende në shtëpitë e tyre».

Milosh Niçiq, një lektor i studimeve kulturore në Universitetin e Beogradit dhe mik i pronarit, thotë se kjo është më domethënëse sesa thjesht një skemë për të fituar para.

Ai tregon për një pasaportë jugosllave, e varur plot krenari në një kornizë, duke u shprehur se është e vlefshme sepse nuk është më në qarkullim.

«Këtu ka diçka krejtësisht ekzotike», thotë Niçiq, i magjepsur nga nuri i vjetër i këtij vendi.

Është ekzotike për atë, një banor i Beogradit, sepse i kujton shtëpinë e gjyshërve, të dekoruar në një stil që shumë hotele të tjerë janë përpjekur ta zhdukin dhe ta zëvendësojnë me gjëra nga IKEA.

Niçiq thotë se e vlerëson unikalitetin «e trashëgimisë autentike lokale» dhe sheh potencialin në promovimin e saj për të tërhequr turistët dhe për ta shndërruar në burim të ardhurash interesin tek e kaluara.

Oferta dhe kërkesa

Makinat Yugo në Zagreb. Foto: Tihomira Doncheva, Anne-Laure de Chalup.

Niçiq thotë se kërkesa për sende të lidhura me kohën e Titos e ka transformuar turizmin në Ballkan.

Kur të huajt vizitojnë Zagrebin, asnjeri prej tyre nuk lë pa vizituar sheshin e bukur në kryeqytetin europian, atë kushtuar Marshallit Tito (edhe pse së shpejti emri i tij mund të ndryshohet). Sarajeva gjithashtu e ka emërtuar bulevardin e saj kryesor pas liderit të ndjerë dhe nuk është e pazakontë të shohësh turistët që i bëjnë fotografi tabelës me emrin e rrugës.

Në Ballkanin Perëndimor, edhe ndërtesat e mëdha prej betoni që u ndërtuan pas Luftës së Dytë Botërore për të strehuar shumë refugjatë, mund të joshin për të huajt.

«Keni shumë kroçera në lumin Danub me kryesisht të moshuar nga Shtetet e Bashkuara. Ata vijnë nga një tjetër kontinent dhe ata nuk dinë shumë për Jugosllavinë, por ata e njohin Titon», thotë Niçiq.

«Ai ishte një ikonë popi edhe kur ishte gjallë. Edhe Regani e përshëndeti Titon si një nga liderët më të mëdhenj».

Disa nga vendet që u bën të pavarur në vitet 1990 janë më pak jugo-nostalgjik sesa disa të tjerë.

Sipas një anketimi të opinionit publik të publikuar nga Gallup vitin e kaluar, 55 për qind e kroatëve mendojnë se vendi i tyre përfitoi nga rënia e Jugosllavisë – por 81 për qind e serbëve dhe 77 për qind e boshnjakëve pendohen për shpërbërjen e shtetit unitar.

Këto opinione të ndara janë edhe për presidentin jugosllav, thotë Niçiq.

“Shumë njerëz e adhuronin Titon, shumë të tjerë jo. Kur ke ndjenja të përziera, zakonisht ke tendencë t’i hedhësh poshtë ato negativet. Kujtesa ka tendencë të jetë optimiste kur bëhet fjalë për të kaluarën», sugjeron ai.

Por disa të rinj si Lamija Rizvanoviq, e cila është në të njëzetat dhe shumë e re për ta mbajtur mend komunizmin, magjepsen zakonisht me atë epokë, që ishte një nga arsyet pse ajo filloi të punonte si guide turistike në bunkerin e Titos», thotë Rizvanoviq.

Niçiq nuk sheh ndonjë gjë të gabuar me bizneset që përdorin historinë për të fituar para, për sa kohë që ata arrijnë të pasqyrojnë të gjithë realitetin. Ai paralajmëron sipërmarrësit që kërkojnë të shfrytëzojnë Jugo-nostalgjinë të tregohen të kujdesshëm për mënyrën si ata e prezantojnë imazhin e Titos.

«Për aq kohë sa ofroni një lloj konteksti ndryshe sesa ta bëni atë një figurë popi, s’ka problem, por nëse e paraqisni atë si një përbindësh apo si një hero, kjo është një qasje e rreme», u shpreh ai.

Milica Ilinçiq, oficeri i operacioneve për Tours në Beograd, shprehet se turet e saj përpiqen të mbeten objektive, por e pranon se Jugo-nostalgjia mund të përdoret për të sjellë të ardhura.

«Është padyshim interesante dhe gjithnjë e më shumë njerëz e shndërrojnë Jugo-nostalgjinë në biznes. Disa njerëz kanë ture më të vogla me «Yugo»-t (makina jugosllave)», thotë Ilinçiq.

Kërkesa për turizmin e Jugo-nostalgjisë duket të jetë e konsiderueshme – siç është magjepsja ndaj vetë Titos.

«Kishim një të ftuar nga Maqedonia, një aktor vërtet i njohur, dhe kur ai erdhi këtu kishte veshur të njëjtat rroba si Titoja», rikujton Rizvanoviq.

«Ngjante pothuajse si Titoja. Të huajt e panë dhe ai ngeci aty për dy orë me radhë, sepse të gjithë donin fotografi», thotë ajo duke shpërthyer në të qeshura.

(https://www.reporter.al/turizmi-i-titos-shnderron-ne-biznes-nostalgjine-per-jugosllavine/)