Turizmi i pakontrolluar kërcënon zonat në UNESCO të Ballkanit

Zonat e trashëgimisë botërore si Ohri, Dubrovniku dhe Kotorri rrezikojnë ta humbasin statusin e tyre për shkak të turizmit masiv i cili po dëmton qytetet dhe mjedisin.

Qyteti i Vjetër në Dubrovnik. Foto: BETA



Zona të trashëgimisë UNESCO në Kroaci, Mal të Zi dhe Maqedoni po pësojnë dëmtime të paprecedentë për shkak të turizmit masiv të pakontrolluar, i cili po vë në pikëpyetje statusin e tyre si trashëgimi.

Përveç ndotjes së mjedisit rrethues, numri i pakontrolluar i turistëve duket se është me pasoja të rënda për disa nga zonat, të cilat si rezultat mund ta humbin statusin e tyre.

Zonat më në rrezik në Ballkanin Perëndimor përfshijnë qytetin bregdetar kroat të Dubrovnikut, «Perlën e famshme të Adriatikut» sipas Bajronit dhe Parkun Kombëtar të liqeneve Plitvicë në brendësi të Kroacisë, si dhe qytetin e lashtë bregdetar të Kotorrit në Mal të Zi, pa harruar qytetin më historik të Maqedonisë, Ohrin.

Udhëtarët nga deti kërcënojnë perlën e Bajronit

Dubrovniku ndërkohë është i shqetësuar për numrin në rritje të anijeve që kanë ankoruar pranë qytetit në vitet e fundit, duke tërhequr paralele me Venecian, e cila gjithashtu ka qenë në rrezik të humbjes së statusit të vet në UNESCO.

Tragetet në portin e Dubrovnikut. Foto: Pixabay/kamerman1960

Tragetet në portin e Dubrovnikut. Foto: Pixabay/kamerman1960

Qyteti i periudhës së Rilindjes – gjithashtu një sheshxhirimesh i njohur – është i famshëm botërisht si simbol i kulturës europiane dhe u përfshi në listën e UNESCO në vitin 1979.

Por, me një popullatë prej vetëm 40,000 banorësh, qyteti po përçapet të përballojë mbi një milionë turistë në vit, të cilët zgjedhin të qëndrojnë disa net në vend, sipas të dhënave të turizmit të byrosë së Dubrovnikut, dhënë për BIRN.

Për më tepër, shifrat e qëndrimit gjatë natës nuk përfshijnë vizitorët ditorë që vijnë me anije.

Sipas Autoritetit Portual të Dubrovnikut, 800,000 turistë e kanë vizituar qytetin me anije, ose ndryshe rreth 10,000 vizita në ditë.

Meqënëse nuk ka të dhëna të sakta rreth parave që Dubrovniku fiton nga pasagjerët kalimtarë me anije, vendasit ngrenë pyetje për përfitimin që i vjen nga një turizëm i tillë.

Instituti Kroat për Turizmin llogariti në 2010 se Kroacia fitoi 53 milionë euro në vit nga linjat detare – ku më shumë se 80 për qind e fitimeve ishin në Dubrovnik.

Turistët vizitojnë Liqenet Plitvicë. Foto: BETA

Turistët vizitojnë Liqenet Plitvicë. Foto: BETA

Megjithatë, të dhënat e njëjta tregojnë se kostot totale arrijnë deri në 338 milionë euro, kur llogaritet dëmtimi i mjedisit.

«Ajo që po ndodh atje është një katastrofë e pastër», tha për BIRN Vjeran Pirshiq, një aktivist i ekologjisë në Kroaci.

Aktivisti gjithashtu përmendi zonën e Liqeneve të Plitvicës, gjithashtu në UNESCO – zonë që përbëhet nga një grup liqenesh, shpellash dhe ujëvarash.

Vitin e kaluar, u paralajmërua se ishte në rrezik të humbjes së statusit të trashëgimisë kulturore, prej numrit të madh të vizitorëve – rreth 1.3 milion në vit – ku piku sheh deri në 15,000 vizitorë në ditë në korrik-gusht.

Pirsiq tha se të dyja zonat në UNESCO duhet të menaxhohen sipas një plani që përfshin «kapacitetin e mbajtjes» – ku të saktësohet se sa persona mund ta vizitojnë Plitvicën në një ditë dhe sa anije mund të ankorojnë në Dubrovnik.

«Kjo rrugë të çon në shkatërrim. Së pari, bukuritë natyrore po shkatërrohen; Liqenet Plitvicë nuk po përfitojnë nga këto grupe turistësh. Së dyti, destinacioni turistik në vetvete po shkatërrohet, në vend që të përfitojë nga statusi i UNESCO» përfundoi Pirsiq.

Palët shkëmbejnë akuza për kërcënimin e Kotorrit

Qyteti i Vjetër në Kotorr. Foto: BETA

Qyteti i Vjetër në Kotorr. Foto: BETA

Në Malin e Zi fqinj, masat e qeverisë për të siguruar qëndrimin e Kotorrit në listën e UNESCO-s, përfshirë një ndalim të ndërtimit në qendrën e vjetër, kanë shkaktuar polemika.

Autoritetet vendore  në qytet, që drejtohen nga partitë opozitare për herë të parë në tre dekada, pretendojnë se ndalimi është një formë e presionit politik mbi qeverinë vendore.

Ata thonë se autoritetet kombëtare nuk bënë asgjë për të ndaluar ndërtimin e paligjshëm në Kotorr gjatë dy dekadave të shkuara.

«Statusi i Kotorrit në UNESCO është rrezikuar nga ndërtimi prej individëve dhe familjeve të pasura që kanë lidhje me administratën kombëtare», pretendoi më 6 prill kryebashkiaku Vladimir Jokiq.

Vendimi për të ndaluar ndërtimin në qytet për gjatë muaj pasoi një paralajmërim të ashpër nga Komiteti i UNESCO-s , bërë në takimin e korrikut të shkuar në Stamboll.

Komiteti tha se Kotorri rrezikonte të hiqej nga lista e Trashëgimisë Kulturore, ku u përfshi në vitin 1979.

Që nga viti 2013, UNESCO ka paralajmëruar për rrezikun e ndërtimit në Qytetin e Vjetër mesjetar, urbanizimin e tepruar dhe turizmin e pakontrolluar, si dhe në rastin e Dubrovnikut për numrin e madh të anijeve që ankorojnë në portin e vogël.

Mali i Zi kishte kohë që në mesin e marsit për të hequr këto pengesa nëse dëshironte të ruante vendin në UNESCO.

Plan-veprimi i miratuar nga qeveria në shkurt, të cilin BIRN e ka parë, urdhëroi imponimin e një moratoriumi ndërtimi, të paktën përkohësisht.

Opozita megjithatë, zbuloi se përpara futjes së masave të reja të mbrojtjes më 5 prill, qeveria kishte dhënë disa leje ndërtimi për komplekse të mëdha turistike në qytet. Ata e futën në fuqi ndalimin, vetëm pasi opozita mori drejtimin.

Autostrada shkakton telashe për Ohrin

Liqeni i Ohrit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Liqeni i Ohrit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Në Maqedoni, në kufirin me Shqipërinë, liqeni më i thellë dhe më i vjetër në Ballkan, Ohri, është një nga vetëm 28 zonat kudo në botë, që UNESCO i ka shpallur Trashëgimi Botërore në kategoritë kulturore dhe natyrore.

Bashkë me bukurinë e natyrës – liqeni është shtëpi e shumë specieve në rrezik si trofta e Ohrit – ajo që e bën Ohrin special është trashëgimia e pasur kulturore. Qyteti është plot kisha të vjetra, shtëpi piktoreske dhe monumente që datojnë në shekuj.

Liqeni dhe qyteti janë pika të nxehta turistike në Maqedoni.

Megjithatë, zona mori vëmendjen e UNESCO-s për shkak planit shtetëror për ndërtimin e një autostrade përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit, që do të lidhë qytetin me manastirin e lashtë të Shën Naumit. Rruga e planifikuar është caktuar gjithashtu të kalojë përmes malit Galiçica, ku jetojnë shumë specie të rralla.

Rruga për në Ohër nga pika kufitare e Tushemishtit në Shqipëri. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Rruga për në Ohër nga pika kufitare e Tushemishtit në Shqipëri. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Duke filluar nga kjo javë, një ekip ekspertësh të UNESCO-s po vizitojnë Ohrin, për të inspektuar nëse planet e ndërtimit e rrezikojnë statusin e tij si vend i trashëgimisë.

Gjithashtu, UNESCO do të shqyrtojë planet për ndërtimin e një qendre skish në Galiçicë dhe tre zona të reja të zhvillimit të turizmit përgjatë liqenit.

Ekspertët mjedisorë kanë theksuar më herët se ndërtimi i tyre mund ta përfshijë Ohrin në zonën «e rrezikuar», që është vetëm një hap larg humbjes së statusit të mbrojtur nga UNESCO.

Publikuar më parë në: (https://www.reporter.al/turizmi-i-pakontrolluar-kercenon-zonat-ne-unesco-te-ballkanit/)