Fishta e Zadrimës: Turizëm dhe shpresë në vendin ku diktatura syrgjynoste armiqtë

Fishta, pak kilometra nga Lezha, një fshat që shërbeu si kamp internimi u kthye në pak vite në një destinacion turistik falë një shefi të kuzhinës me ushqim të ngadaltë dhe natyrës e banorëve që nuk pranuan ta braktisin.

Vëllezërit Altin and Anton Prenga. Foto: Elvis Hila

Luk Koleci ka jetuar 90 vjet. 8 muaj prej të cilave i ka kaluar në birucat e hetuesisë komuniste, 8 vjet në një burg në Elbasan. Pjesën tjetër të jetës përfshi edhe dy vitet e fundit të dënimit politik i ka kaluar në Fishtë, vendin ku lindi e prej të cilit nuk ndahet dot. «Këtu kam qëndruar për rreth 2 vite në internim dhe për mua kanë qenë kohë shumë të vështira… Edhe pse e kisha shtëpinë fare pranë, nuk më lejohej asnjëherë të takoja familjarët e mi», thotë Koleci.

E megjithatë Fishta e Zadrimës – vendi prej të cilit policët e diktaturës e morën me forcë pa i thënë as pse as qysh e që më pas shërbeu edhe si burg për të – nuk i ka dalë kurrë nga zemra. Ai u kërkoi djemve që patën emigruar herët në Itali të ndërtonin një shtëpi të re në Fishtë.  «Mua ky fshat më pëlqen shumë, pasi kam lindur dhe jam rritur. Edhe pse kam kaluar kohë të vështira në burg, unë nuk e kam menduar asnjëherë që të largohem nga këtu», thotë Koleci për BIRN.

Fishta e At Gjergj Fishtës, poeti të cilit Koleci ia ka mësuar përmendësh vargjet dhe ia reciton edhe në këtë moshë, është një fshat kodrinor 17 kilometra nga Lezha, e deri para pak vitesh pak i njohur, përpos atyre që ishin çuar atje me përdhunë në kampin e internimit. Sot ajo është një nga cepat më të vizituar të Shqipërisë e famshme për mjedisin dhe kulinarinë. «I tërheq ushqimi, por edhe natyra, pasi këtu të ofrohet liqeni, mali, fushat dhe kodrat. Kush e ka vizituar njëherë këtë vend është rikthyer sërish», thotë Altin Prenga, shefi dhe drejtuesi i «Mrizit të Zanave», restoranti i ushqimit të ngadaltë me «certifikatë ekselence» në Tripadvisor, që është përgjegjës për ndryshimin e imazhit të fshatit.

Kampi i internimit

«Ky vend këtu ka qenë i rrethuar me kangjella nga katër anët, na detyronin të punonim në bujqësi. Kemi hapur kanale dhe kemi bërë dhe shumë punë të tjera. Nëse nuk bënim normën që na kërkonin ishte një birucë ku na çonin dhe na torturonin», thotë 90-vjeçari Koleci, i cili mezi e beson ndryshimin që ka pësuar fshati.

Shumë të tjerë e kujtojnë atë po ashtu si një vend vuajtjesh. Lin Shtjefni, historian, thotë se ka pasur edhe raste që të burgosur kanë vdekur nga torturat. «Ky burg është hapur në vitin 1967 dhe unë atëherë kam qenë në moshën 10-vjeçare. Burgu ka pasur një kapacitet për 320 persona të dënuar dhe ka pasur një regjim shumë të egër», thotë Shtjefni për BIRN.

Zef Hila nga fshati Troshan i Lezhës ka punuar në burg. Ai ka qenë shofer zetori dhe thotë se transportonte ushqim për të internuarit që prej vitit 1971. «Mbaj mend shumë të dënuar në këtë vend… ndërsa vuajtjet e tyre kanë qenë të shumta. Ata punonin në bujqësi, hapnin kanale e duhej të siguronin vetë ushqimin», kujton Hila. «Kush punonte mirë merrte vlerësime dhe trajtohej <mirë>, por kush kundërshtonte futej në birucat e burgut. Kanë qenë disa dhoma tepër të vogla ku i torturonin», tregon Hila.

Aty u internuan me dhjetëra familje, ndër më të njohurat familjet Paçrami dhe Lubonja, të cilat u dënuan në vitin 1973 pas «Festivalit të 11» dhe u vendosën në Fishtë në vitet ‘80. Liri Lubonja në librin «Larg dhe mes njerëzve» tregon se si vuanin të internuarit në kamp, sa pak mundësi kishin. Si mbeteshin pa dru për ngrohje e si me zor siguronin ushqimin.

«Ndërsa shkarkoheshin plaçkat, vështroja me vëmendje natyrën përreth, me nevojën për të gjetur medoemos të bukurën edhe atje ku isha e detyruar të jetoja me dhunë, ndoshta deri në fund të jetës time. Kur mendoja këtë ndjeja frikë, trishtim», shkuan ajo në libër. Diktatura mesa duket kishte arsye për të besuar se në Fishtë e bukura nuk mund të gjendej dhe fshati ishte një vend «i mirë» për të dërguar armiqtë.

Një xhevahir në mes të askundit

Altin Prenga, kuzhiner i ushqimit të ngadaltë, mendoi ndryshe kur hapi restorantin e tij në një zonë ku më herët kishte vetëm ferra dhe barishte edhe pse për të ishte një aventurë. «Mrizi i Zanave» dhe Fishta prej atëherë kanë fituar një «Certifikatë Ekselence«» prej Tripadvisor.com falë vlerësimeve prej udhëtarëve nga e gjithë bota. Dy javë më parë Marc. B. nga Cascais i Portugali shkruante në faqen e udhëtimeve: «Nuk prisja të gjeja një xhevahir të tillë në Shqipëri, në mes të askundit. Ja vlen të vish këtu». «Vetëm tek restoranti im vijnë më shumë se 60 mijë vizitorë dhe turistë në vit», na thotë Prenga. Shembullin e tij ndërkohë po e ndjekin të tjerë dhe numri i vizitorëve është edhe më i madh.

(Botuar fillimisht në: http://www.reporter.al/turizem-dhe-shprese-ne-vendin-ku-diktatura-syrgjynoste-armiqte/)