Turistët serbë: Sërish duam të pushojmë në Durrës dhe Sarandë, shqiptarët janë të përzemërt

Shumë qytetarë të Serbisë sivjet kanë kaluar pushtimet verore në plazhet shqiptare. Atje kanë shkuar me paragjykime, por janë kthyer me mendime të mira dhe me betimin se sërish do të vizitojnë Shqipërinë.

Plazh në Durrës. Foto: Shutterstock



Tashmë nuk është befasi: sa më shumë që zhvillohet turizmi në Shqipëri, aq më shumë gjuhë do të dëgjohen në rrugët dhe në plazhet e Adriatikut dhe Jonit. Republika me dy dete po tërheq turistë nga Italia, vendet skandinave, Zvicra, Austria e Franca. Sivjet pushimet në Shqipëri i kanë kaluar edhe një numër i konsiderueshëm i serbëve, sidomos nga jugu i Serbisë. Ata nuk kanë shkuar në Greqi, Mal të Zi, në Kroaci dhe Turqi kryesisht për shkak të çmimeve. Shqipëria vazhdon të jetë ende vend i lirë, andaj turistët serbë kanë marrë rrugën drejt Durrësit dhe Sarandës.

Aleksandar Niçiforoviq i ka thënë gazetës «Blic» se para se të shkonte në Shqipëri kishte shumë paragjykime, por tani sërish planifikon të shkojë në bregdetin shqiptar. «Do të shkojë sërish. Që ditën e parë e kam ndërruar mendjen. Plazhet janë të pastra, çmimet në kafeteri dhe restorante më të lira se në Novi Pazar, pronarët e lokaleve dhe banorët të përzemërt, sidomos ndaj nesh nga Serbia. Më moshuarit madje flasin serbisht dhe u pëlqen të bëjnë muhabet me mysafirët nga vendi ynë. Askush nuk na e vë mendjen dhe nuk flet për politikë», ka deklaruar Niçiforoviq. Ai ka thënë se në shtator do të shkojë sërish për vizitë me disa miq në Shqipëri: «Mezi po pres».

Gazeta «Blic» shkruan se ka edhe familje që kanë vendosur të blejnë banesë në Durrës. Edhe agjencitë turistike në Novi Pazar kanë regjistruar interesim më të madh të turistëve për të pushuar në Shqipëri. Kuptohet numri më i madh i turistëve nga Serbia jugore që shkojnë në Shqipëri janë boshnjakë dhe shqiptarë, por numri i serbëve është në rritje, sidomos nga Vraja, Vladiçki Hani, Surdulica dhe Bosilegradi. «Për herë të parë në korrik i kam kaluar 10 ditë në Durrës bashkë me familjen dhe nuk jemi penduar. Plazhet janë të pastra dhe të rregulluara. Njerëzit janë të përzemërt, mikpritës dhe të gjindshëm. Çmimet e aranzhmaneve janë të përshtatshme me standardin tonë. Pushimet na kushtuan gjithsejtë 1000 euro. Me siguri vitin tjetër do të shkojmë sërish në Shqipëri», tha Z.J. nga Vladiçki Hani. E habitshme është që ky serb flet anonim për pushimet e tij në Shqipëri. Marija Aleksandroviq nga Surdulica ka treguar se ka qëndruar me familje 15 ditë në Sarandë, «perlën e detit Jon. Natyra e bukur, klima e shkëlqyer, çmimet të volitshme. Ushqimi i mirë… Plazhet të rregulluara. Destinacion i vërtetë për pushime». Turistët serbë thonë se shqiptarët janë mikpritës të jashtëzakonshëm. Një turist nga Bosilegradi ka thënë se çmimet në Shqipëri janë përgjysmë më të lira në Greqi. (dp)

Ndalohet ribotimi nga mediat e tjera. Copyright: dialogplus.ch