Turistët nga Azia pushtojnë Zürichun

Në metropolin e shtrenjtë zviceran po lulëzon turizmi: brenda gjashtë muajsh janë shënuar gati 3 milionë bujtje.

Foto: Shutterstock



Një kafe 5 euro, një birrë 8 euro, një porcion pasta 25 euro, një picë 22 euro: shpesh çmimet në Zürich i tmerrojnë turistët, sidomos ata nga Ballkani, të cilët vijnë t’i vizitojnë të afërmit e tyre. Përkundër imazhit si njëri prej qyteteve më të shtrenjta në botë, Zürichu mbetet destinacion shumë i kërkuar. Siç shkruan gazeta «Neue Zürcher Zeitung» vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti në Zürich janë regjistruar 2’740’463 bujtje ose pesë për qind më shumë se një vit më parë. Të dhënat i ka bërë të ditura agjencia për promovimin e turizmit në Zürich.

Numri i turistëve që vizitojnë Zürichun po rritet prej vitesh. Më së shumti mysafirë vijnë nga Azia. Vitin e kaluar Zürichun e vizituan 18 për qind më shumë kinezë, 31 për qind më shumë banorë të Indisë dhe 35 për qind më shumë japonezë. Në vitin 2016 shumë aziatikë hoqën dorë nga udhëtimet në Europë pas sulmeve terroriste në Paris dhe Bruksel. Tani duket se kjo frikë është zhbërë. Sipas shitësve të orëve në Zürich gjithnjë e më shumë turistë vijnë nga Koreja, Vietnami dhe Kina. Për të tërhequr sa më shumë turistë Zvicra madje ka lehtësuar edhe procedurën e dhënies së vizave qytetarëve kinezë. Vitin e kaluar Zürichun e kanë vizituar më shpesh edhe amerikanët dhe spanjollët, ndërsa ka rënë numri i britanikëve, francezëve dhe italianëve, të cilët kanë qëndruar në Zürich. Edhe numri i turistëve nga vendet arabe ka rënë lehtë. Bëhet fjalë për turistë që harxhojnë para pa hesap sidomos në Bahnhofstrasse, rrugën më të shtrenjtë të Zürichut. (-lli)