Truprojë e Millosheviqit në Gazimestan, mbrojtës i Srebrenicës, hero i akuzuar për krime lufte

Naser Oriq, një mbrojtës i Srebrenicës gjatë kohës së luftës, i cili dikur punoi si truproje e Sllobodan Millosheviqit, shihet si një hero nga shumë boshnjakë, por akuzohet për krime lufte nga serbët.

Naser Oriq. Foto: Samir Jordamoviq (Anadolu)



Nëntë vjet pasi dënimi për krime lufte kundër Naser Oriq u rrëzua nga Gjykata e Hagës, ish-komandanti i Srebrenicës po pret një tjetër vendim, këtë herë nga gjykata shtetërore boshnjake në Sarajevë. Gjykata do të vendosë të hënën nëse Oriq është apo jo fajtor për krime lufte kundër tre të burgosurve serbë të luftës të vrarë në fshatrat Zalazje, Kunjerac dhe Lolici në zonat e Srebrenicës dhe Bratunacit në vitin 1992.

Oriq shihet si një hero nga shumë boshnjakë për rolin e tij në mbrojtjen e Srebrenicës në vitet para masakrave të vitit 1995, por përbuzet nga shumë serbë të Bosnjës, të cilët e akuzojnë atë për vrasjen e ushtarëve të dorëzuar në një njësi të Ushtrisë Boshnjake të cilën e drejtonte ai. Ish-komandanti mohon t’i ketë kryer këto krime.

«Mua më do populli anën e të cilit unë mbajta. S’më kanë qejf ata që më konsideruan si një pengesë në lumin Drina (në kufirin Serbi-Bosnjë) që nuk i lejoi ata të krijonin një Serbi të madhe», tha Oriq për BIRN. Para luftës, kur ai ishte polic, ai ishte një pjesëmarrës aktiv në disa ngjarje të rëndësishme ndërsa rënia e Jugosllavisë afrohej. Ai madje ruajti udhëheqësin serb Sllobodan Millosheviq kur ai mbajti një fjalim famëkeq në një tubim në Kosovë në vitin 1989 i cili flitet se ka ndihmuar në ndezjen e konfliktit në atë që atëherë ishte Jugosllavia.

Oriq ishte gjithashtu midis forcave të policisë që u përpoqën të shpërndanin një protestë të madhe kundër Millosheviqit në Beograd në mars të vitit 1991, kur betejat në rrugë lanë dy të vdekur para se u thirr ushtria për të rivendosur rendin. Oriq ka lindur në Potoçari në komunën e Srebrenicës, ku tani ndodhet memoriali i gjenocidit, në mars të vitit 1967. Pas mbarimit të shkollës, ai u regjistrua në Fakultetin e Metalurgjisë të Universitetit të Beogradit në Bor në Serbi, por ai u largua për të nisur shërbimin ushtarak me Ushtrinë Popullore Jugosllave.

Kur përfundoi shërbimin e tij në ushtri, ai kreu një kurs policie në komunën e Beogradit në Zemun dhe filloi të shërbejë si një polic i trajnuar në kryeqytetin serb. Si pjesë e Njësisë së Detyrave Speciale e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, ai u dërgua herë pas here në Kosovë dhe punoi si shpurë për Sllobodan Millosheviqin kur i kërkohej ta bënte këtë. Ai e ruajti Millosheviqin gjatë kremtimit të 600 vjetorit të Betejës së Kosovës në Gazimestan në Fushë Kosovë në qershor 1989, kur presidenti serb mbajti një fjalim nacionalist para qindra mijëra serbëve.

Në fjalim, Millosheviqi bëri thirrje për unitet midis serbëve në ato që ai tha se ishin betejat që do të vinin. «Ato nuk janë beteja të armatosura, edhe pse gjëra të tilla nuk mund të përjashtohen ende», paralajmëroi ai. Oriq tha se ai ishte i vetmi boshnjak i përfshirë në sigurinë e eventit.«Deri në atë kohë, nuk kisha menduar se ku do të çonin të gjitha gjërat që ndodhën», kujton ai.

«Njësoj si çdo herë tjetër, e bëra punën time në një nivel të lartë profesional. Kur kuptova se ishte një tubim i madh për serbët në të cilin u bënë thirrje për luftë, u bë e qartë për mua se çfarë do të ndodhte», shtoi ai. Në shkurt 1989, ai ishte gjithashtu i përfshirë në evakuimin e minatorëve shqiptarë të Kosovës që ishin në grevë dhe që ishin vendosur nën tokë në qytezën e Trepçës në atë që atëherë ishte Mitrovica e Titos, midis grevave kundër heqjes së autonomisë së Kosovës nga regjimi i Millosheviqit.

«Minatorë u mbyllën në 2000 metra nën nivelin e tokës dhe kërcënuan se do të shpërthenin eksplozivët. Trembëdhjetë prej nesh zbritën në gropë dhe i shpëtuam të gjithë minatorët. Me këtë rast, mora një pistoletë me mbishkrimin e Sllobodan Millosheviqit», kujton Oriq. Roli i tij si polic nënkuptonte se ai ishte gjithashtu i përfshirë në arrestimin e liderit opozitar të Lëvizjes së Rinovuar Serbe, Vuk Drashkoviq, gjatë demonstratës kundër Millosheviqit në Beograd, e cila përfundoi me dhunë më 9 mars 1991.

Oriq thotë se nuk fliste me Millosheviqin kur e ruante. Por vite më vonë, kur të dy burrat ishin në gjyq në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ata u takuan dhe biseduan. Oriq tha se Millosheviqi u soll «si zotëri», duke dashur të tregonte se krimet për të cilat akuzohej s’kishin lidhje me të. Ish-presidenti serb madje i dha atij dhurata. «Më pëlqente të shikoja filma me kauboj. Millosheviqi shpesh më jepte DVD të tija me këta filma», tha Oriq.

Pas Beogradit, Oriq u rikthye në qytetin e tij boshnjak të lindjes dhe filloi të punonte me policinë lokale. Në mes të prillit 1992, në Srebrenicë u ngrit një forcë territoriale mbrojtjeje dhe Oriq u bë komandanti i saj. Forcat serbe të Bosnjës pushuan qytetin në prill dhe maj 1992, por Oriq dhe shokët e tij e rimorën atë më 8 dhe 9 maj. Ai vazhdoi të udhëhiqte mbrojtjen e qytetit deri në vitin 1995. «Ai dha një kontribut maksimal në organizimin dhe vënien në zbatim të rezistencës. Mendoj se Naseri është një simbol i boshnjakëve që e duan këtë vend», tha ish-kolegu i tij në polici Zulfo Salihoviq. Megjithatë, Oriq u hoq nga komanda më 29 maj 1995.

«Më shkarkuan nga puna. Në fakt, Rasim Deliq nga Shtabi Kryesor i Ushtrisë Boshnjake më liroi nga detyra. Kam mbetur i pashkarkuar nga ushtria, por ai s’ma ka shpjeguar kurrë pse u mor ky vendim», tha Oriq. Pasi u shkarkua, Oriq shkoi në Tuzla, ku ishte më 11 korrik 1995 kur Ushtria Serbe e Bosnjës pushtoi Srebrenicën dhe filloi masakrimin e rreth 8000 boshnjakëve në ditët që pasuan. Pasi mësoi se çfarë po ndodhte, Oriq mblodhi bashkë një grup me rreth 30 vullnetarë në një përpjekje për të shpëtuar disa nga boshnjakët që iknin nga Srebrenica. Pas luftës, ai vazhdoi të jetonte në Tuzla, ku drejtoi një palestër, deri kur u padit nga Gjykata e Hagës dhe u arrestua në prill 2003.

Prokuroria e Hagës e akuzoi atë për përgjegjësi penale për vrasjen e shtatë serbëve që mbaheshin në rajonin e policisë në Srebrenicë në vitet 1992-1993 dhe trajtimin mizor të 11 të tjerëve, si edhe për «shkatërrim të paarsyeshëm … të pa justifikuar nga domosdoshmëria ushtarake» të shtëpive serbe gjatë bastisjeve në fshatra. Oriq thotë se gjatë kohës që ai ishte në gjyq, ai shpesh shoqërohej me të pandehur serbë në njësinë e paraburgimit të OKB-së. «Njësia e paraburgimit ishte shtëpia ime e dytë. Pasi e kuptova këtë, e pata më të lehtë të përballesha me procedurat gjyqësore», tha ai.«Takoja vazhdimisht të akuzuar serbë. Kam luajtur futboll me ish-oficerin e Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Sljivançanin. Ai është një komunist i konfirmuar. Ai arriti në burg si i tillë dhe nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë. Ai vazhdonte të thoshte se ndiente keqardhje», shtoi ai.

Oriq tha se beson se oficeri i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Momir Nikoliq ishte i vetmi i penduar i vërtetë nga të pandehurit në Hagë, sepse ai e pranoi që në Srebrenicë është kryer gjenocid. «Ai nuk e bëri këtë që t’i ulej dënimi me burg», shpjegoi Oriq. Oriq u dënua në qershor 2006 për mos parandalim të vrasjes dhe trajtim çnjerëzor të të burgosurve serbë dhe u dënua me dy vjet burg, por u lirua menjëherë pasi ai e kishte kryer tashmë atë dënim. Dhoma e apelit e gjykatës së OKB-së më pas e rrëzoi vendimin dhe e liroi atë nga akuzat në korrik 2008 dhe Oriq u kthye në Bosnjë.

Oriq thotë se ai ka vizituar qytetin e tij të lindjes vetëm një herë që nga lufta, për të marrë pjesë në një funeral, dhe nuk ka hyrë kurrë në shtëpinë e tij të vjetër. Në qershor 2015, ai udhëtoi në Zvicër së bashku me kryebashkiakun e atëhershëm të Srebrenicës, Qamil Durakoviq, dhe nënkryetarin e asamblesë komunale të Srebrenicës, Hamdija Fejziq, për të marrë pjesë në një përkujtimore të gjenocidit. Por ai u arrestua në Bern bazuar në një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia e cila pretendon se ai ka kryer krime lufte. Arrestimi nxiti protesta nga mbështetësit e tij dhe kërcënoi të prishte përkujtimoren e Srebrenicës atë vit.

Por autoritetet zvicerane vendosën ta ekstradonin atë në Sarajevë dhe jo në Beograd, sepse ai po hetohej gjithashtu për krime lufte edhe në vendin e tij – një vendim që shkaktoi zemërim në Serbi. Pak muaj më vonë, ai u akuzua për krime lufte nga prokuroria boshnjake dhe doli në gjyq në janar 2016. Gjyqi filloi pavarësisht kundërshtimeve nga mbrojtja e Oriqit, e cila pretendonte se ai ishte gjykuar dhe liruar nga akuzat për të njëjtat krime nga gjykata e OKB-së në Hagë. Por gjykata e OKB-së tha se padia e ngritur në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte shumë ndryshe nga akuzat për të cilat ai ishte liruar.
Me afrimin e vendimit, Oriq tha se çdo gjë që i ka ndodhur atij gjatë viteve ka qenë e shkruar të ndodhte. «Kishte luftëtarë më të mirë sesa unë. Fatkeqësisht, shumë prej tyre vdiqën», tha ai.«Proceset gjyqësore janë provë e asaj që kaluan boshnjakët gjatë luftës dhe kjo është e destinuar të vërtetohet në gjyqin tim», shtoi ai.
(Birn)