Trupi në Luzern, koka në Cërvicë

Të shtunën e 4 shkurtit u shfaq premiera e një dokumentari për aktivitetin e një shoqate të vogël me kontribut të madh. Histori prej dekadash në 50 minuta. Mbi 300 veta e shijuan programin dhe mikpritjen e një komuniteti kërçovar në Zvicër.

Në fund të premierës.



Në «You Cinema», në Oftringen, mysafirët nuk kanë të ndalur. I thërret një zë i brendshëm, shfaqja e një filmi për qenien e tyre në mërgim. Në hollin e kinemasë, kureshtjen e shtyjnë mbi 300 veta; ambasadorë, ministër, prefekt dhe një shumicë njerëzish, përditshmëria e të cilëve është puna e ndershme në sektorë të ndryshëm të Zvicrës. Burra plot histori emigracioni, të rinj ambiciozë dhe gra e vajza plot sharm dhe nur.

Qani Xhambazi e rregullon shpejtësinë në kokëpitin plot shkëlqim të një Mercedes Benzi. Ai ka shumë për të rrëfyer për rrugëtimin e shoqatës humanitare «Cërvica». Ajo zë fill në vitet e ’90-ta. Xhambazi dhe bashkëfshatarët e tij, si Islam Spahiu, kishin krijuar një bashkësi lokale paralele në Zvicër. Aktivitetet e saj të para ishin ngritja e një xhamie, rregullimi i rrjetit të kanalizimit dhe të ujsjellësist. Më pas u krijua një fond për luftën e Kosovës, që do të mblidhte ndihma për Kosovën, do t’i sistemonte të përzënët. Përshtypjet e atyre kosovarëve që qëndruan në Cërvicë vijnë në vetën e parë në film. Ndërkaq Ambasadorja e Kosovës në Zvicër e nderon këtë komunitet praninë e saj në premierë.

Me mbarimin e luftës struktura u ridimenzionua në një shoqatë humanitare. Në dokumentar prononcohen krerët e deritanishëm të shoqatës: Xhevdet Spahiu, Resul Mehmedi, Abaz Spahiu, Bukurim Xhaferri. Ata rrëfejnë për sfidat e tjera që ua kanë mësyrë. Toponomia e angazhimit të shoqatës shkon nga malet e Kosovës, në Universitetin e Tetovës, te shkatërrimet në Lagjen e Trimave në Kumanovë, përmbytjet në Hasan Beg të Shkupit. Patjetër atë e ka karakterizuar meraku për Kërçovën, Cërvica është shquajtur në mobilizimin e diasporës për votimin e kryetarit shqiptar të qytetit më 2013, kur i bllokuan aeroportet e Maqedonisë dhe Shqipërisë… Dhe, shoqata i ka gjithsej vetëm 200 anëtarë.

Si mund të ketë më shumë, kur fshati ka vetëm 410 shtëpi?! 70 për qind e 2’000 banorëve të tij jetojnë në kurbet. Cërvicasit shtigjet e mërgimit i hapën në vitet e ‘60-ta, kurse në të ‘80-tat i dhanë vërtet karar. Në sfondin e tingujve të «Bareshës» së Pagarushës një kamerë shëtit mbi relievin e fshatit, si në ëndërr. Ajo shpërfaq arkitekturën moderne të shtëpive dhe gjurmët e shekujve. Leska është lokaliteti më reprezentativ i Cërvicës, për të cilin thuhet se është më i vjetër se Uskana, Kërçova e lashtë, për çka ata janë krenarë dhe të përmalluar. Prandaj, edhe filmi mban emrin «Me kokën mbrapa».

Krenarë cërvicasit nuk janë vetëm për të kaluarën, por edhe për të tashmen dhe të ardhmen. Nga gjiri i këtij komuniteti ka dalë autori i logos së 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Zeniart Ballazhi. Një instalacion i saj i përshëndet banorët dhe mysafirët në sheshin e fshatit. Nga ky katund vjen edhe kandidati shqiptar për deputet i Diasporës nga Maqedonia më 2016, Xhevdet Spahiu, ish kryetar i shoqatës «Cërvica». Cërvicasit mburren me kuadrot e reja nga ky fshat në Zvicër, që japin shembullin më të mirë për integrimin në Zvicër; ashtu edhe me grupin artistik të fëmijëve «Shkëndija», të cilët kujdesen për ruajtjen e traditës. Ata organizojnë një manifestim tradicional, «Cërvica e bashkuar», me këngë, valle e recitime; mban aktivitete sportive.

Ideja e autorizimit të filmit ishte dokumentimi i aktivitetit të gjerë të shoqatës humanitare «Cërvica», shpjegon kryetari i saj, Bukurim Xhaferri. Si dhe shprehja e mirënjohjes për kontributin në dobi të komunitetit nga njerëz të shumtë. Koston e filmit e kanë mbuluar sponsorë të ndryshëm. Me këtë ai e zbulon edhe sekretin e financimit të aktiviteteve ambicioze të shoqatës. Njëri prej tyre është edhe autori i dokumentarit, regjisori i ri, Qëndrim Rijani. Kontributi i tij konsiston në punën njëvjeçare vullnetare për produksionin e filmit, bashkë me aktorin Arsim Fazlia, dhe pesë-gjashtë bashkëpunëtorë të tjerë. Mesazhi i filmit, sipas tij, është afirmimi i punës së admirueshme të një komuniteti të vogël në dobi të vendlindjes dhe të pozicionimit të tij në mërgim.

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, është i lumtur me faktin që mërgimtarët e tij i ruajnë kontaktet me njëri-tjetrin dhe me vendlindjen. Atij i bën përshtypje në këtë takim prania e madhe e grave dhe e riafirmon urtësinë se pas çdo burri të suksesshëm qëndron një grua e fisnike. Prefekti i Kërçovës është i bindur që me performansën e tij në komunë do ta meritojë mobilizimin e sërishëm të mërgimtarëve për të votuar në vendlindje. Qoftë për të, apo për ndonjë kandidat tjetër shqiptar.

Oratorë të tjerë i merituan duartrokitjet e auditorit për mesazhet e tyre. Takimi filloi me një homazh për Dritëro Agollin. Mërgimtarët kërçovarë u ndanë për t’u takuar përsëri me një përkujtim të veprës së çmuar të mësuesit të ndjerë nga Cërvica, Selim Ballazhi.