Trumpi rrit shpresat e Vuçiqit për një vizitë në Serbi

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq pretendon se homologu i tij amerikan Donald Trump do ta vizitojë Beogradin në vitin 2018, pasi Trump i tha atij se një vizitë e tillë do të ishte një «ide e mirë».

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq pozon për një foto me presidentin amerikan Donald Trump dhe zonjën e parë, Melania Trump. Foto: Twitter/Vuçiq.



Presidenti serb Aleksandër Vuçiq pretendon se do të presë së shpejti në Beograd presidentin amerikan Donald Trump pasi ky i fundit i ka pranuar një ftesë duke i thënë se kjo do të ishte «një ide e mirë».

«Nëse dhe kur do të vijë Trumpi – e unë jam i sigurt se do të vijë, porse kur – varet nga axhenda e tij dhe gjërat e tjera», tha Vuçiqi në mediat serbe.

Vuçiq ishte pjesë e një pritje të organizuar nga presidenti amerikan dhe gruaja e tij Melania për udhëheqësit botërorë, të cilët ishin mbledhur në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Presidenti serb u mburr se ia dha dorën Trumpit «katër herë» dhe tha se vizita e presidentit amerikan ka gjasa të ndodhë në vitin 2018.

«Kur i dhashë ftesën… i fola për ndjenjat që shtetasit serbë kanë për të, si do ta mirëpresin, se si vizita e tij do të tregonte se sa shumë e duan serbët këtë miqësi», tha Vuçiq për mediet.

Ai shtoi se Trump i kishte thënë se ngjante «si lojtar i NBA-së» dhe e pyeti nëse kishte luajtur ndonjëherë basketboll, ku Vuçiq pretendoi se u përgjigj se ishte «shumë i shkurtër dhe i dobët» dhe se kishte provuar të luante më parë por «pa sukses».

«Pata pak më shumë kohë në dispozicion me të se sa të ftuarit e tjerë, falë bisedës që filluam, ndoshta edhe sepse isha nga i njëjti rajon si bashkëshortja e tij», tha Vuçiq, duke iu referuar Sllovenisë, vendlindjes së Melanias.

(https://www.reporter.al/trump-rrit-shpresat-e-vucic-per-nje-vizite-ne-serbi/)