Trump vazhdon sanksionet ndaj «personave të rrezikshëm» të Ballkanit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një mesazh që i dërgoi Kongresit Amerikan, e njoftoi se u ka vazhduar sanksionet personaliteteve që konsiderohen të rrezikshëm për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Presidenti amerikan Donald Trump. Foto: Shutterstock



Në letrën me të cilën Presidenti Trump u vazhdon masat e jashtëzakonshme personaliteteve të Ballkanit përmenden arsyet pse u është vazhduar masa e ndalesës personave që konsiderohen të rrezikshëm nga administrata amerikane.

«Kërcënimi që paraqesin nga veprimet e personave të angazhuar, duke ndihmuar, sponsoruar apo mbështetur dhunën ekstremiste në Republikën e Maqedonisë dhe çdokund tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor ose aktet që pengojnë zbatimin e marrëveshjes së Dejtonit për Bosnjën dhe Hercegovinën ose Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën nuk është zgjidhur ende. Për më tepër, Urdhri Ekzekutiv 13219 është zgjeruar nga Urdhri Ekzekutiv 13304 i 28 majit 2003 për të marrë hapa shtesë sa i përket akteve për pengimin e zbatimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit lidhur me Maqedoninë», thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.

«Aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetet obstruksioniste të nënvizuara në këto Urdhra Ekzekutivë janë armiqësorë ndaj interesave të Shteteve të Bashkuara dhe vazhdojnë të paraqesin rrezik të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, kam vendosur që është e domosdoshme ta vazhdoj emergjencën kombëtare në raport me Ballkanin Perëndimor», thuhet në letrën e Presidentit Donald Trump për Kongresin Amerikan.

Nga Kosova, në mesin e një numri të madh personash, pjesë e kësaj liste janë ish-deputetët Daut Haradinaj, Rexhep Selimi e Fatmir Limaj, kryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku dhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Pjesë e kësaj liste janë edhe dy liderët serbë nga veriu i Kosovës Milan Ivanoviq dhe Marko Jakshiq.

Listën e plotë të personave të ndaluar që të hyjnë në ShBA mund ta gjeni në këtë link.