Trump trondit Europën: «NATO është e panevojshme»

Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump e ka quajtur Aleancën Veriatlantike të panevojshme dhe pranimin e refugjatëve nga Angela Merkel një gabim «katastrofal». Detaje ekskluzive nga intervista e Trumpit dhënë gazetës gjermane «Bild», e cila botohet në numrin e së hënës.

Ilustrimi: Shutterstock



Donald Trump ka folur për herë të parë për mediat europiane pas zgjedhjes së tij president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë dhënë gazetës bulavardeske gjermane «Bild» dhe të përditshmes britanike «Times» ai i është drejtuar europianëve në prag të marrjes së detyrës. Trump do të inaugurohet të premten në Washington. Deklarata që ka bërë më së shumti jehonë në mediat gjermane të dielën pas orës 23:00, kur «Bild» e ka postuar intervistën në internet, ka qenë ajo mbi NATO-n. Sipas një përmbledhjeje të intervistës të bërë nga agjencia e lajmeve DPA Donald Trump e ka quajtur NATO-n të panevojshme. Ai ka thënë se Aleanca Veriatlantike është themeluar ngaherë dhe vetëm pak shtete anëtare paguajnë atë që duhet të paguajnë. «Ne do të duhej t’i mbronim këto vende, por shumë nga këto vende nuk paguajnë sa duhet të paguajnë». Kjo, sipas Trump, është e padrejtë ndaj SHBA-ve.

Trump e ka filluar intervistën duke pyetur gazetarin e «Bild»: «Si është Angela Merkel?» Pastaj ai ka atakuar ashpër kancelaren gjermane, duke e quajtur politikën e saj ndaj refugjatëve si «katastrofale». «Kam respekt të madh për Merkelin, por mendoj se ishte shumë fatkeqe çfarë ka ndodhur». Ai kritikoi që Gjermania pranoi «gjithë këta njerëz», pa marrë parasysh se nga vinin. «Ju e dini se unë e dua Gjermaninë, sepse babai im rrjedh nga Gjermani dhe unë nuk dua të gjendem në një situatë të tillë». Që nga dita e parë e punës së tij SHBA do të angazhohen për kufij të sigurt, tha Trump. «Njerëzit nuk duan që në vendin e tyre të vijnë njerëz të tjerë dhe ta shkatërrojnë». Ai paralajmëroi se «do të ketë kontrolle ekstreme të sigurisë, nuk do të jetë më siç ka qenë deri më tani». Trump tha se e kishte fjalën për myslimanët «nga shumë pjesë të botës, të cilët kanë shumë probleme me terrorizmin».

Duke folur për luftën e Irakut të filluar më 2003 nga SHBA-të, ai tha se me gjasë ajo ishte vendimi më i keq në historinë amerikane. «Ne e kemi ndezur atë – ka qenë si të hedhësh gurë në zgjoin e bletëve» dhe «tani është një nga tmerret më të mëdha të të gjitha kohërave».

Trump tha se ka qenë më mirë të krijohen zona të sigurisë për refugjatë në Siri dhe se kjo do të ishte më pak e kushtueshme se trauma që po e përjeton tani Gjermania.

Në pyetjen nëse ndërhyrja e Rusisë në luftën e Sirisë ka qenë e mirë apo e keqe, Trump tha: «Jo, ajo ishte një punë shumë e keqe, e keqe». Ai tha se SHBA-të dështuan të ndërmarrin diçka me kohë, «tani është vonë, tani ka marrë fund gjithçka». Trump paralajmëroi rivlerësimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Ndonëse kishte thënë se do ta anuloje marrëveshjen atomike me Iranin, Trump e la të hapur një opsion të tillë. Ai paralajmëroi kohëra të vështira për prodhuesit gjermanë të veturave. «Ata mund të prodhojnë vetura për SHBA, por për çdo veturë që vjen në SHBA duhet të paguajnë 35 për qind tatim». Firmës së veturave BMW Trump i sugjeroi të heq dorë nga ndërtimi i një fabrike në Meksikë dhe këtë ta bëjë në SHBA.

Sa i përket të ardhmes së BE-së Trump tha se pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, një gjë e tillë pritet ta bëjnë edhe shtete të tjera. Por ai tha se gjendja e BE-së nuk i interesonte aq shumë. «Shikoni, deri diku BE u themelua për t’i mposhtur SHBA-të në tregti, apo jo? Andaj, aq më bën nëse ajo është e ndarë apo bashkë, për mua s’luan rol». Trump në këtë intervistë premtoi se edhe në të ardhmen do të vazhdojë t’i drejtohet opinionit përmes Twitterit, ndonëse shefi në largim i CIA, John Brennan, e këshilloi që ta lë këtë aktivitet për hir të sigurisë së vendit.

Ndalohet rreptësisht botimi i këtij teksti nga mediat e tjera. Të drejtën e botimit në gjuhën shqipe e ka dialogplus.ch