Trotuari i fillimit të rrugës «Gazmend Zajmi», i bllokuar me leje komunale

Trotuaret në dy anët e fillimit të rrugës «Gazmend Zajmi», që çon në drejtim të lagjes «Kodra e Diellit», janë të zëna plotësisht nga dy organizata ndërkombëtare, njëra qeveritare, GIZ e Gjermanisë dhe tjetra joqeveritare «Save the Children».




Lidhja e qytetarëve nga «Kodra e Diellit» nëpërmjet kësaj rruge bëhet me rrugët «Ali Pashë Tepelena», në anën e djathtë dhe «Anton Çetta» në anën e majtë. Kthesat e dyfishojnë shkallën e rrezikut, teksa qytetarët detyrohen që kalimin atypari ta bëjnë nëpër rrugën e asfaltuar.

«Gjendja e këtillë është tashmë e disa vjet dhe ne sikur jemi mësuar që të mos bëjmë zë. Kalojmë si të mundemi, me plot rreziqe dhe nuk ndihemi të gjallë», ka thënë banori i lagjes «Kodra e Diellit», Liridon Beka. Sipas tij, po të ishte së paku njëra anë e lirë për të kaluar, këmbësorët do ta kishin më lehtë, porse janë të zëna në të dy anët trotuaret e rrugës.